Agjencitë më të mëdha të lajmeve ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së opozitës të zhvilluar në Tiranë.
“Reuters” shkruan se policia në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë hodhi gaz lotsjellës dhe përdori ujin me presion për të shpërndarë qindra protestues të opozitës që bllokuan rrugët, “të cilët akuzuan qeverinë për korrupsion dhe kërkuan zëvendësimin e saj me një autoritet kujdestar teknokratik”.
Agjencia e njohur citon protestuesit sipas të cilëve ndodheshin në “një fushatë të mosbindjes civile kundër kryeministrit të Partisë Socialiste Edi Rama”. Në shkrim nënvizohet se opozita në Shqipëri ka protestuar pothuajse çdo javë duke kërkuar krijimin e një qeverie të përkohshme deri në zgjedhjet parlamentare në 2025.
“Protestat do të vazhdojnë, kjo është një betejë derisa të largohet ky regjim”, – citohet Tedi Blushi nga Partia e Lirisë. “Drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare në Shqipëri, Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe Ilir Meta i Partisë së Lirisë, akuzohen për vepra korrupsioni dhe të dy akuzojnë Ramën për orkestrimin e tyre. Ata mohojnë akuzat. Rama thotë se akuzat nuk janë të motivuara politikisht dhe akuzon opozitën se po përpiqet të marrë pushtetin me dhunë.
Berisha po mbahet në arrest shtëpie me akuza për korrupsion në kohën e tij si kryeministër. Meta u arrestua në fund të tetorit edhe me akuzën e korrupsionit për kohën kur ishte president në periudhën 2017-2022. Rama është në pushtet që nga viti 2013 dhe planifikon të kandidojë për një mandat të katërt vitin e ardhshëm” – shkruan Reuters.
Edhe agjencia “Associated Press” thotë se “qindra aktivistë bllokuan trafikun në kryqëzimet kryesore të Tiranës duke akuzuar Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve të mëparshme dhe uzurpim të pushteteve të gjyqësorit”.
“Sipas saj, ligjvënësit dhe mbështetësit e opozitës, disa të ardhur nga qytete të tjera u përfshinë në përleshje sporadike me policinë që u përpoq të pastronte rrugët. Të tjerët u ulën në rrugë ose u përpoqën të largonin oficerët e policisë.
“Rama largohu”, ishte thirrja e përsëritur nga protestuesit në shumë vende. Qindra oficerë policie u vendosën për të mbrojtur ndërtesat qeveritare dhe për të mbajtur rrugët të pastra për trafikun dhe për të ruajtur rendin. Ata përdorën ujin me presion për të mbajtur protestuesit larg Bashkisë dhe Sheshit Wilson, si dhe gaz lotsjellës në të paktën në një rast” – citohet në shkrim.
“Associated Press” shkruan se Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj të koalicionit opozitar kanë mbajtur protesta për arrestimin e kreut të tyre Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta të akuzuar në raste të veçanta korrupsioni, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.
“Revolta dhe mosbindja civile e shqiptarëve nuk mund të ndalet” – citohet nga AP, Sekretari i Përgjithshëm i Demokratëve Flamur Noka, si “drejtuesi më i lartë i PD teksa Berisha është në arrest shtëpie”.
“Teksa Noka po iu drejtohej gazetarëve, ai pushoi së foluri për respekt kur u dëgjua një lutje nga xhamia e re myslimane aty pranë. Popullsia 2.4 milionëshe e Shqipërisë është më shumë se gjysma myslimane. Ata jetojnë në paqe përkrah të krishterëve katolikë dhe ortodoksë dhe komuniteteve të tjera më të vogla fetare.
Protesta përfundoi pas tre orësh me liderët e opozitës që u zotuan të vazhdojnë me mitingje në të gjithë vendin. Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme, të cilat socialistët e Ramës janë gati t’i fitojnë, sipas sondazheve, pjesërisht për shkak se opozita është e ndarë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në Bashkimin Evropian 27-vendesh. Në tetor, Tirana filloi diskutimet me bllokun për mënyrën se si vendi përputhet me qëndrimet e BE-së për shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria synon të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030, sipas Ramës” – shkruan “Associated Press”.
Edhe “Washington Post” shkruan se deputetët shqiptarë të opozitës dhe mbështetësit e tyre bllokuan për orë të tëra rrugët kryesore të kryeqytetit të martën duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe duke kërkuar që ajo të zëvendësohet nga një kabinet i përkohshëm teknokratik deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Rrjeti amerikan ABC News shkruan gjithashtu se mbështetësit e opozitës shqiptare bllokuan rrugët e kryeqytetit në një tubim antiqeveritar.
Vëmendje protestës i ka kushtuar edhe gazeta greke “Protothema” që shkruan se opozita shqiptare është angazhuar në një fushatë mosbindje sociale ndaj kryeministrit socialist Edi Rama.
“Rama ka drejtuar Shqipërinë që nga viti 2013 dhe planifikon të kërkojë një mandat të katërt si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme” – citon gazeta greke.