Gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, është zbuluar nga përgjimet e SPAK se ka dashur të eliminojë Saimir Kodrën nëpërmjet grupit kriminal Çopja, ngjarje kjo që ka tronditur sistemin e drejtësisë.
Gjyqtarja është vënë në shënjestër të Kodrës e sipas përgjimeve, ka komunikuar me kriminelë të rrezikshëm përmes një telefoni SkyEcc të siguruar nga një anëtar i bandës Çopja. Në bisedat e zbuluara, ajo ka porositur eleminimin e Kodrës.
Në këtë skemë përfshihen Endri dhe Klejdi Çopja, anëtarë të njohur të botës së krimit dhe pjesë e grupit të Suel Çelës. Endri Çopja, një personazh me precedentë të shumtë kriminalë, akuzohet për atentate të mëparshme, përfshirë sulmin me tritol ndaj Lulzim Kullës në 2018 dhe një përplasje me policinë e Elbasanit në 2017-ës.
Nga përgjimet rezulton se gjyqtarja, përmes vajzës së saj Megi Fetahu, ka ndërtuar lidhjen me grupin kriminal, duke siguruar mbështetjen e tyre për hakmarrje edhe të avokatit të Kodrës Arben Llangozi. E bija Megi Fetahu, në një bisedë, i ka thënë grupit kriminal “mami u kënaq kur i thashë se do të flasë me ju”.
Sipas komunikimeve mes grupit kriminal dhe gjyqtares, tentativa për të eliminuar Kodrën ka dështuar, pasi ai ishte i vështirë për t’u lokalizuar pasi ruhej vazhdimisht.