Ish-kryetari i Partisë Demokratike për Qarkun Vlorë, Agron Sharra mbajti një fjalim në aktivitetin e PD-së me të rinjtë e Brain Gain në Vlorë. Ky aktivitet u organizua në një ditë shumë të veçantë, kur qyteti i Vlorës, një nga më historikët e Shqipërisë, nderoi simbolikisht Ditën e Flamurit.
Gjatë fjalës së tij, Sharra theksoi rëndësinë e kësaj dite dhe mesazhet që ajo përcjell për qytetarët dhe për kombet, duke u shprehur se është një mundësi për të nderuar ata që sakrifikuan për pavarësinë dhe prosperitetin e vendit. Ai gjithashtu komentoi ngjarjet e fundit politike, duke shprehur besimin se Partia Demokratike do të rikthehet në rrugën e saj të vërtetë.
“Kam kënaqësinë dhe jam i lumturuar që në një ditë simbolike si Dita e Shpalljes së Pavarësisë, të jem para qytetarëve të qytetit të Vlorës, një qytet historik që ka firmosur memorien historike të këtij vendi.
Dita e Flamurit është një ditë në të cilën ne jemi të lumtur dhe kemi obligimin t’i respektojmë ata paraardhës që sakrifikuan jetën dhe sublimin e tyre më të rëndësishëm, siç ishte dhe pjesa e ekonomisë.
Një ogur i mirë ka qenë dhe dita e djeshme, ku një vendim i GJKKO ka liruar liderin historik të Partisë Demokratike, i cili është një shpresë në vijim jo vetëm për forcat e djathta, por për gjithë opinionin publik shqiptar.
Për të mos u zgjatur, dua t’i falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, natyrisht edhe grupin e deputetëve të Partisë Demokratike, rezistencën e tyre në ditët e sotme në Parlament dhe angazhimin e tyre për t’u rikthyer në atë që quhet pjesa reale e Partisë Demokratike.
Gëzuar Ditën e Flamurit!”, u shpreh Sharra.