Sali BERISHA
Data 28 nëntor 1944 është jo vetëm dita e Pavarësisë, por mbahet edhe si dita e Çlirimit të Shqipërisë. Megjithëse, edhe sot, pasardhësit e diktatorit stalinist vazhdojnë të kremtojnë ditën e Çlirimit sipas ritit enveristo-serb me datën 29 nëntor, pra me datën e falsifikuar nga Enver Hoxha me urdhër të Beogradit, madje edhe pasi festoi dy vitet e para këtë festë më datën 28 nëntor.
Rëndësia e këtij qëndrimi qëndron në faktin se Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë, për ta njësuar këtë festë, jo me ditën e Çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, me ditën e shpalljes së saj në Jajce, më 29 nëntor të vitit 1943.
Pra, ai falsifikoi datën e Çlirimit në mënyrë që, pas bashkimit të Shqipërisë si republika e 7-të me Federatën e Jugosllavisë, të festonin edhe shqiptarët më 29 nëntor, së bashku me republikat e tjera, por natyrisht jo Jajcën, sepse aty nuk kishin qenë, por Çlirimin e vendit.
Mirëpo, mjerisht, ende sot e kësaj dite, ka shqipfolës që, në shembullin e Edi Ramës, argatit të Beogradit, apo Pashiqit të Tiranës, vazhdojnë të kenë si Mekë Beogradin. Në këtë shënim, unë do të ndalem në një aspekt tjetër themelor të kësaj date, në të vërtetën më të pamohueshme historike, se 28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, por edhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, një tjetër pushtim të huaj dhe një pushtim të brendshëm, si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo, pasi në fronin e pushtetit në Tiranë u ul një klikë shqiptaro-serbe, me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.
Sot, historianë dhe studiues, vendas dhe të huaj, me botimet e tyre serioze dhe të shumta, të bazuara në mijëra dokumente të arkivave të vendit, të atyre, të Aleatëve të luftës dhe vendeve të tjera, kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave historike të pamohueshme. Ata, me veprat e tyre tejet të rëndësishme, kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të falsifikimeve të historiografisë hoxhiste. Prandaj, sot, bazuar në të vërtetat historike shkencore, është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar, kudo jeton, për historinë tonë në tërësi, si dhe në rastin konkret, edhe rreth kësaj date.
Studimet, botimet themelore të këtij çerek shekulli, të bazuara në mijëra dokumente dhe raporte të kohës, kanë provuar në mënyrë shterruese se J. B. Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, për interesa të serbomadhisë, themeluan me dy qëllime kryesore, me të dërguarit e tyre, në nëntor të vitit 1941, në Tiranë, Partinë Komuniste të Shqipërisë, si degë të Partisë Komuniste të Serbisë, të udhëhequr nga Popoviç-Mugosha.
Qëllimi i parë dhe më kryesor ishte krijimi i “Kalit të Trojës”, pra i një partie dhe lëvizjeje jugosllave në Tiranë, të drejtuar, urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjes shqiptare. Qëllimi i dytë ishte që, në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptare, e udhëhequr nga serbët, të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve.
Në këtë kontekst, komunistët serbo-malazez shkruan programin e kësaj partie pa iu referuar asnjëherë Kosovës dhe çështjes shqiptare, vunë në krye të saj Miladin Popoviçin dhe emëruan rreth tij, Enver Hoxhën dhe vasalët e tjerë.
Pra, përfaqësuesit serbo-malazez të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), siç pohon edhe vetë Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe njësitë e saj partizane gjatë gjithë luftës si parti dhe lëvizje jugosllave, dhe më konkretisht serbe.
PKJ, me Kalin e saj të Trojës, PKSH arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe trojet tjera, pra bashkimin e mbarë kombit shqiptar në luftën kundër pushtuesve.
Ata, me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës, dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova, si Fadil Hoxha, etj., që u dërguan aty me mision, arritën të vendosin Kosovën nën vartësinë e PKJ, pavarësisht se Mbretëria e sllavëve të jugut, as dhe federata e tyre, nuk ekzistonin. Tito dhe PKJ, nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që e themeluan në Tiranë, realizuan sa më sipër, duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH.
Po kështu, ata imponuan anulimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, injorimin dhe asgjësimin e Marrëveshjes së Bujanit dhe urdhëruan dërgimin e brigadave dhe divizioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë me pretekstin e çlirimit nga gjermanët, por në fakt, si pararojë e pushtimit të saj nga divizionet serbo-malazeze dhe vendosjes së saj në administrim ushtarak nga Tito.
Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumente të pakundërshtueshme se: udhëheqësit jugosllavë dhe vegla e tyre, Enver Hoxha, pas shtatorit 1943, luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve e degraduan në një luftë kryesisht vëllavrasëse civile dhe se PKSH, siç pranuan, unanimisht, vetë Enver Hoxha dhe udhëheqja tjetër e kësaj partie në Plenumin e dytë të Beratit, zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë terroriste, duke kryer në dhjetëra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.
Studimet e dekadave të fundit të bazuara në dokumenta të panumerta kanë provuar se serbet dhe Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë ne krye të ushtrise partizane të Shqipërisë, kryen gjatë luftës kundër pushtuesve, genocid dhe krime të renda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.
Kjo klikë terroriste dhunoi me qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës, për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës etj.
E vërteta të detyron, prandaj sot, është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij me të vërtetën historike të kombit, të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtet ne shqiptarët, me datën 28 nëntor 1944?
Në përpjekjen për një përgjigje objektive të kësaj pyetje, do të gjejmë se e vërteta e çlirimit tonë dhe këtu nuk e kam fjalën për datën 28 apo 29, por për çlirimin si të tillë, është një medalje me dy anë.
Në njërën anë, është e vërtetë se, në raport me pushtimin gjerman, ne u çliruam, mbasi gjermanët në humbje e sipër të luftës, u tërhoqën nga Shqipëria dhe ne dolëm nga Lufta e Dytë Botërore të renditur në anën e aleatëve fitimtarë.
Po këtë ditë, Enver Hoxha u instalua në Tiranë me qeverinë e tij si fitimtar dhe mbajti fjalimin e gjatë të fitores. Për këtë akt historik, flijuan jetën dhe rininë e tyre gjatë luftës, mijëra djem dhe vajza, burra e gra të kombit tonë dhe, dhjetëra mijëra të tjerë luftuan me guxim, vendosmëri pushtuesit nazifashistë dhe renditën kështu Shqipërinë, në anën e drejtë të historisë.
Nderimi, për ata që flijuan jetën për idealet e lirisë, do mbetet i përjetshëm. Gjaku dhe sakrifica e tyre qendron ne themele të lirisë sonë kombëtare. Sikundër, i tillë do mbetet nderimi edhe për të gjitha ata që luftuan kundër pushtuesve për lirinë kombëtare dhe nuk u sollën gjatë luftes si Kainë ndaj vëllezërve të tyre, nuk kryen akte terroriste, genocide dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa, këta të fundit, për krimet e tyre kanë perfunduar aty ku dhe e kanë vendin, si xhelatë të popullit tyre, në koshin e plehrave të historisë.
Dua të shtoj këtu, se keto të vërteta historike nuk mund të mohohen, pavarësisht nga manipulimet dhe falsifikimet monstruoze të luftës nga historianët hoxhistë, si: rritja me disa herë i numrit të të rënëve, shpikja e betejave edhe të paqena, stërfryrja e humbjeve të shkaktuara armikut etj etj.
Këto të verteta për luftën partizane nuk mund të mohohen, sikundër nuk mund të mohohen genocidi dhe krimet kundër njerëzimit që udhëheqja komuniste shqiptaro-sllave kreu gjatë luftës me falangat e veta terroriste, sistematikisht gjatë luftës, dhe për të cilat meritojnë çdo dënim, madje nuk mund të mohohen as dhe karakteri vëllavrasës dhe civil që dominoi këtë luftë, pasi Enver Hoxha dhe klika e tij për qëllime të pushtetit personal dhe i urdhëruar nga padronët e tij serbë, i dhane asaj pas shkelmimit të Marrëveshjes historike të Mukjes në shtator të vitit 1943.
Në idenë e saj lufta kundër pushtuesve ishte një luftë e drejtë.
Aleatet anglo-amerikane kishin njohur, vlerësuar dhe mbeshtetur, financuar dhe furnizuar me armë uniforma, ushqime, specialistë ushtrinë partizane. Qeveritë e tyre kishin përshendetur që në fillim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve. Në mënyrë të pamohueshme forcat partizane komuniste ishin dhe njesitë më të organizuara dhe më numerike ne teatrin e luftës në Shqipëri, dhe kjo, jo për shkak të mbështetjes së tyre të gjere në popull. Por, para së gjithash për shkak të dobësive të pamohueshme të nacionalistëve shqiptarë. Eshtë i drejtë dhe plotësisht i justifikuar dhe mendoj unë i detyrueshëm, denimi me ashpersi i të gjitha qendrimeve çnjerëzore antikombetare i klikës serboshqiptare që udhëhoqi luftën parizane. Por është tejet i gabuar mohimi i luftës, i gjakut të derdhur dhe sakrifcave të medha që partizanet bënë për liri.
Nuk duhet të harrojme asnjëherë se, renditja në anën e drejtë të Luftës së Dyte Botërore, pati një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kjo, jo vetëm për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe për faktin së, me gjithë mbeshtetjen që aleatët i kishin dhënë luftës së popullit shqiptar kundër pushtueseve, ata që në krye të herës kishin lënë te hapur dhe këtu, me sa duket ndën ndikimin e Greqisë, çështjen e përcaktimit kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre, kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin pas luftës në Konferencën e Paqes. Duhet thene se, megjithëse luftën në anën e aleatëve, kombi shqiptar u trajtua de facto si i humbur dhe mbeti i copëtuar siç ishte padrejtesisht para luftës dhe akoma më keq, aleatët me kërkesë të Greqise lanë për shkak të luftes italo-greke të hapur mundësine e trajtimit të Shqipërisë si palë e humbur. Këtu qendron më shume se në çdo drejtim tjetër dhe rëndësia e pamohueshme e renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve. Mbasi renditja në anën e kundërt edhe mund të shoqërohej me ndëshkime të renda si pale e humbur. Por nuk duhet mohuar se, çështja e vendosjes së kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes mbartte në vetvete mundesinë e kërkesës nga pala shqiptare të bashkimit të Kosoves dhe të trojeve tjera shqiptare me Shqiperinë, natyrisht kjo në rast se shqiptarët do luftonin të bashkuar kundër pushtuesve nazifashistë siç vendosen edhe më ndërmjetesimin e aleatëve britanikë në Mukje.
Por ana tjetër, ana e zezë e medaljes se dates së 28 nëntorit 1944, pra datës se Çlirimit është se kjo datë në të vërtetë nuk do të shenonte çlirimin e vërtetë të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm do të shenonte apo sillte zëvendësimin e pushtimit gjerman me specifikat e tij me pushtimin serb, jugosllav shumë herë më të rrezikshëm për vetë ezkistencën e kombit shqiptar si dhe vendosjen diktaturës 46 vjeçare më të egër, me moniste, si pushtimi i brendshëm më barbare, që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre. Kështu që, kjo ditë e nëntorit të vitit 1944, në vend që të ishte dita e mrekullisë kombëtare dhe viti 1944 te ishte annus mirabilis, ështe dita e vendosjes se nje pushtimi të zi dhe nje annus horribilis për shqiptarët.
Këtu më poshtë do të ndalem shkurtimisht në vendosjen e pushtimit serb, jugosllav pas 28 nëntorit të vitit 1944 në Shqipëri.
Zëvendësimi i pushtimeve ndodhi sepse, në Tiranë, në pushtet do të vinte partia dhe ushtria e themeluar, e drejtuar dhe e udhëhequr nga serbët e PKJ dhe Tito, dhe vegla e tyre Enver Hoxha, të cilët pasi shisnin Kosovën, kishin vendosur dhe punonin së bashku me Beogradin për projektin ogurzi e antikombëtar, aneksimin e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Jugosllavisë. Pra, më 28 nëntor të vitit 1944, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, duke brohoritur për një klikë terroriste shqiptaro-serbe që u instalua në pushtet në Tiranë dhe hyri në një pushtim të ri të dyfishtë, pushtimin serbo-jugosllav dhe pushtimin komunist.
At Zef Pllumi, dëshmitar i çlirimit të Shkodrës, shkruan në kryeveprën e tij ‘Rrno vetëm me tregue’ se: më datën 29 nëntor Shkodra u gjet e mbushur me flamuj jugosllavë dhe se në këmbanoren e Katedrales së qytetit, flamuri shqiptar pa yll u zëvendësua nga një partizan me flamurin jugosllav. Pra, në qytetin e përjetshëm të shqiptarëve valvitej flamuri i pushtuesve të rinj si dëshmi tragjike e zëvendësimit të pushtuesve. Flamuri i pushtuesit që iku u zëvendësua jo me flamurin kombëtar, por me flamurin e pushtuesit të ri. Kështu, më 28 nëntor të vitit 1944, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, të mashtruar si kurrë më parë në historinë e tyre, dhe duke mos e kuptuar ndoshta shumica e tyre se pikërisht këtë datë ata hynë në një pushtim të ri. Më saktë ata brohoritën atë ditë një klikë shqiptaro-jugosllave me në krye Enver Hoxhën që u instalua në pushtet me projektin makabër të asgjësimit të lirisë së tyre kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe aneksimin e saj si Republikë e 7-të në federatën e sllavëve të jugut të dominuar nga serbët, armiqtë shekullorë të kombit shqiptar.
Pas kësaj dite, pra 28 nëntorit 1944, instalimit në Tiranë të klikës shqiptaro-serbe të Enver Hoxhës, vendosjes së veriut të Shqipërisë dhe më pas edhe Kosovës nga Tito në pushtim dhe administrim ushtarak, genocidi dhe krimet kundër njerëzimit në Shqipëri dhe në Kosovë do të merrnin dhjetra mijëra jetë të pafajshme ose do të largonin nga vendi mbi qindra mijëra shqiptarë. Me këtë dhunë dhe terror të egër ndaj shqiptarëve, Tito me vasalin e tij Enver Hoxha, me ushtritë e tyre partizane, do të vazhdonin të ecin me vendosmëri në zbatimin e doktrinës së Çubrilloviçit në Kosovë, por në njëfarë mënyre edhe në veriun e Shqipërisë dhe manu militari do të zhduknin çdo pengesë në rrugën e rianeksimit të plotë të Kosovës si krahinë e Republikës së Serbisë, si dhe për asgjësimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e kësaj të fundit me Federatën e Sllavëve të Jugut, si Republikë e shtatë e saj.
Aneksimi i Shqipërisë nga Federata Jugosllave ishte akti i fundit i tragjedisë së madhe shqiptare që Josif Broz Tito, PKSH dhe Enver Hoxha po realizonin ndaj shqiptarëve. Ky akt, vinte si kurorëzim i instalimit të kalit të Trojës në Tiranë, injorimit total gjatë luftës nga Enver Hoxha të çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosjes së tyre në varësi të PKJ dhe mbështetjes së plotë të pushtimit serb të këtyre trojeve shqiptare. Aneksimi i Shqipërisë si Republikë e 7-të e ish-Jugosllavisë, ishte një projekt i Titos dhe udhëheqjes jugosllave që në vitet e luftës.
Me përfshirjen e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Federatës Jugosllave, përveç ëndrrës së vjetër të Serbisë, daljes së saj në Adriatik, Durrës, sipas tyre do të merrte një zgjidhje përfundimtare edhe problemi i shqiptarëve të Kosovës në kuadrin të Federatës së Jugosllavisë. Madje, duket se për këtë projekt, ata kishin bindur edhe vetë Stalinin, i cili në takimin me Titon dhe delegacionin e tij në Moskë, sipas Milovan Gjilas, i kishte porositur që të “gllabronin Shqipërinë”. Në të vërtetë, në dokumentin e AVNOJ-it, në nëntor 1943, udhëheqja komuniste jugosllave nuk ftoi fare përfaqësuesit e Kosovës dhe në kundërshtim me atë që kishte premtuar, Kosovën e la si krahinë të Serbisë. Në këtë konferencë, Tito shpalli në letër Republikën Federative të Jugosllavisë dhe njësitë apo republikat e saj. Ai në këtë dokument kishte lënë të hapur mundësinë e pranimit në federatë të republikave të tjera, natyrisht pa cituar nominalisht Shqipërinë, por duke vetkuptuar, para se gjithash, atë.
Kështu që pas datës 28 nëntor 1944, jo rastësisht, por në funksion të zbatimit të projektit të aneksimit të Shqipërisë nga federata e Titos, në zyrat e pushtetit të ri në Tiranë, në të gjitha nivelet e tij në parti, qeveri, ushtri, polici, sigurim, arsim, tregti, ndërtim, miniera, etj., etj., do të vërshonin mijëra këshilltarët jugosllavë, vendim-marrësit e vërtetë të vendit. Jugosllavizimi me shpejtësi dhe në çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare ishte misioni i tyre më kryesor. Madje, autoritetet jugosllave, me lejen e Hoxhës, do të instalonin në Shkodër, legalisht, një seksion të shërbimit të tyre famëkeq OZNA, që vepronte e ushtronte terror, njësoj si në Kosovë, i pavarur dhe me autoritet të plotë mbi qytetarët shqiptarë në të gjithë veriun e vendit. Ky seksion i OZNA-s, në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare, ndalonte, arrestonte, rrëmbenin e paketonin për në ish-Jugosllavi, madje edhe pushkatonte brenda territorit të Shqipërisë, qindra dhe qindra shqiptarë, të cilët ky shërbim i konsideronte anti-jugosllavë. Në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e Titos dhe me zell dhe entuziazëm të veçantë, udhëheqja komuniste e Shqipërisë do të përfundonte dhe do të firmoste me shpejtësi të rrufeshme, që në muajin dhjetor të vitit 1944, Traktatin e Bashkëpunimit dhe Ndihmës së dyanshme midis Tiranës dhe Beogradit, si paradhomë ligjore e bashkimit midis dy vendeve. Traktatin rrufeshëm e firmosi vetë Marshalli Tito.
Të dy qeveritë, po në procesin e bashkimit të plotë të dy vendeve, firmosën një seri marrëveshjesh të tjera për bashkimin ekonomik, doganor, monetar. Krejt ndryshe nga sa paraqitej më vonë nga historianët hoxhistë, E. Hoxha firmosi dhe pranoi që të dislokoheshin në Shqipëri divizione të ushtrisë Jugosllave, dhe pas kësaj, ai i propozon Titos bashkimin e ushtrive me një Komandë dhe Shtatmadhëri të përbashkët, pra unifikimin e komandës ushtarake të të dy ushtrive.
Në sistemin arsimor të Shqipërisë, në të gjitha nivelet, serbishtja u bë gjuha e detyruar. Shkollat, klasat dhe oborret e tyre mbusheshin nga këngët dhe brohoritjet për Marshallin Tito. Muzika, folklori, dhe prodhimet e tjera artistike jugosllave mbushnin boshllëkun që krijohej nga ndalimi i veprave letrare dhe artistike të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë që nuk kishin mbështetur apo kishin kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Enver Hoxha mbante fjalime në Kuç e gjetiu kundër Fishtës, do të krahasonte gjeniun e epikës së letrave tona me Vladan Gjeorgjeviçin, ish-kryeministrin serb i cili kishte kryer masakra ndaj shqiptarëve dhe ishte shprehur se “shqiptarët janë njerëz primitive”.
Ekonomia shqiptare u vendos nën duar dhe kontrollin e dhjetra e qindra ndërmarrjeve jugosllave që u krijuan me shpejtësi në Shqipëri. Të gjitha shkëmbimet tregtare bëheshin pothuajse ekskluzivisht me Beogradin. Nga këto shkëmbime, Beogradi grabiste nga Shqipëria një sasi kolosale të mbi 200 tonelata flori dhe mijëra tonelata mallra të tjera, të cilat pushtetarët komunistë ua konfiskuan tregtarëve, sipërmarrësve dhe qytetarëve shqiptarë dhe morën nga Jugosllavia kundrejt vlerës punishte, vagona, hekurishte të pavlera. Për Enver Hoxhën dhe suiten e tij serbofile antishqiptare, zhdukja e Shqipërisë së pavarur nga harta dhe bashkimi i saj me Federatën Jugosllave si Republika e 7-të, ishte e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt për kombin shqiptar.
Në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë dhe asgjësimit të pavarsisë së saj, në mbledhjen e Byrosë Politike më 8 janar 1945, Enver Hoxha si promotor kryesor i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, propozoi “bashkimin e PKSH me PKJ mbi baza federative, me sekretar të përgjithshëm të PKSH, Marshallin Tito, si kusht i domosdoshëm për bashkimin e Shqipërisë me Federatën Jugosllave.” Vendosmërinë e tij për zhdukjen e pavarsisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj si Republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Enver Hoxha do ta dëshmonte edhe nëpërmjet një letre drejtuar Josif Broz Titos, lidhur me bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në këtë letër, ndër të tjera, Enver Hoxha shkruan: “nga shoku Savo, na është sugjeruar një hap tjetër përpara në lidhje me formimin e shteteve tona, domethënë, në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e dy popujve tanë,” dhe se: “ky bashkim, s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet me të gjitha format,” dhe vazhdon: “por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër na është sugjeruar nga shokët jugosllavë që përmenda më lartë.” Hoxha gjithashtu shprehet: “Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju, nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të arrijmë në konkluzione.” Dhe, së fundi, ai shkruan: “Ne kemi bindjen se, sikundër Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqaroje dhe do të na këshillojë hapat, dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.”
Po në këtë linjë është edhe deklarata e Titos, dhënë agjensisë AP, në vitin 1946, se, “Kosova dhe territoret e tjera shqiptare do t’i aneksohen Shqipërisë”. Kjo deklaratë, është bërë vetëm e vetëm me projektin e “gllabërimit të Shqipërisë etnike” pra, Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, si dhe shndërrimin e tyre në Republikën e shtatë të Jugosllavisë.
Ky projekt ogurzi, në të cilin ora e kombit shqiptar kishte ndaluar edhe ecte me orën e Beogradit, që po shkonte i sigurt dhe pandalshëm drejt realizimit të tij, do të dështonte vetëm për shkak të keqësimit dhe prishjes së shpejtë të marrëdhënieve midis Stalinit dhe Titos, prishje kjo që nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave, por që sigurisht, tashti Stalini nuk do të pranonte aneksimin nga armiku i tij Tito, të Shqipërisë.
Këto të dhëna dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ajo që quhet datë çlirimi dhe që e majta shqiptare në tërësi, që nga Enver Hoxha gjer te neobllokmenët e sotëm e Edvin Kristaq Rama, mban për arsye të mirëfillta ideologjike si kryefestën e tyre, e festojnë gjithnjë, më shumë se çdo festë tjetër, është njëkohësisht për kombin shqiptar një ditë me hipotekë të zezë, madje me të zezën në kalendarin e shtetit shqiptar. Kjo ditë shënon largimin, tërheqjen e gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe vendosjen e pushtimit të ri dhe të plotë të shqiptarëve nga serbët, armikët e tyre shekullorë. Shqiptarët dhe serbët në shekuj ishin përballur me dhjetra e dhjetra herë. Nga mesi i viteve 1800 e këtej, serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalë në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve të tyre, kishin kryer genocid dhe masakrat më të tmerrshme ndaj tyre.
Por në të gjitha këto lufta, serbët kishin pasur ndihmën politike, ushtarake, financiare të perandorive më të mëdha të kohës, përveç Austro-Hungarisë. Kurse fitoren e tyre më të madhe ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit të vitit 1944 serbët e arritën jo me mbështetje dhe ndërhyrje direkte në anën e tyre të fuqive të mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë me Enver Hoxhën dhe veglat e tij. Tragjike është se sot, pas 80 vitesh, e majta shqiptare në Shqipëri, me në krye argatin e Beogradit Edi Ramën, me gjithse ish-pushtuesit e asaj kohe, janë miqtë dhe partnerët tanë strategjikë, mbajnë si kryefestë të saj ditën e largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe ditën e parë të pushtimit serb, dhe kjo vetëm si trashëgimi të etërve barbarë e tradhtarë. Tragjike është se sot, pas 8 dekadash, Edvin Kristaq Rama deklaron para shqiptarëve se ai ka mik dhe është krenar me miqësinë me presidentin serbomadh Aleksandër Vuçiç, ish-Goebbelsin e Millosheviçit, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Veriun e Kosovës do të betohej se Serbia do të bëhet më e madhe, vetëkuptohet pra duke marrë dhe spastruar territore të tjera të Kosovës.
Në mënyrë të përsëritur, ky serbomadh do të deklaronte se qëllimi i udhëheqjes shqiptare në Kosovë është: “shkatërrimi i shtetit tonë”, dmth kërkon të mbajë shtetin e Serbisë në Republikën e Pavarur të Kosovës. Tragjike është se sot, pas dy dekadash të çlirimit të Kosovës, argati i Beogradit në Tiranë, apo Pashiqi i Tiranës, njësoj si dikur Enver Hoxha, Miladinet Dushanet, Fadil Hoxhet, mbajnë në duar dhe tundin flamurin e zi të Serbisë së Madhe. Në projektin e ndarjes dhe copëtimit të Kosovës, Edvin Kristaq Rama, në akt tradhtie të hapur kombëtare, lidhi Shqipërinë në Aleancë Trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë dhe vendosi Kosovën në darën e klikave armiqësore serbo-shqiptaro-maqedonase në nismën “Ballkani i Hapur”, me të cilën, së bashku me patronin e tij, iu kundërvune haptas nismës së BE, procesit të Berlinit.
Pas agresionit barbar të Rusisë së Vladimir Putinit ndaj Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe NATO ndaj Rusisë, Putini i vogël i Ballkanit, Aleksandër Vuçiç, refuzoi zbatimin e këtyre sanksioneve. Edi Rama, si vasal i Vuçiçit, kalonte nga samiti në samit duke bërë haptas thirrje që të mos i kërkohet Serbisë të zbatojë sanksionet dhe duke mbrojtur drejtpërdrejt padronin e tij dhe shndërrimin e Serbisë në një prapavije të fuqishme të Rusisë de facto, më shumë se kurrë në një Rusi të vogël në Ballkan. Ndërkohë, ky armik i egër i kombit shqiptar do të ishte i pari në Europë që, në një akt të turpshëm dhe armiqësor, vendosi sanksione ndaj Kosovës.
Përveç këtyre, Edi Rama, si vasal i Beogradit, po zbaton në Shqipëri politikën e shpopullimit dhe shkombëtarizimit. Me dhunë, terror, vjedhje të votës, grabitje të miliarda e miliardave euro nga fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, më keq se çdo pushtues tjetër në tërë historinë e tij, ai shndërroi shqiptarët në popullin e gomoneve dhe deboi me varfëri dhe vrasje shprese nga vendi. Në 10 vjet, vetëm në hapësirën e Shengenit, 1.1 milion shqiptarë, ose 38% e popullatës, dmth më shumë se çdo luftë civile ndaj një kombi tjetër.
Ai ka përqendruar sot të gjitha pushtetet në duar të tij, ka krijuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, të bazuar në krimin, drogën, dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj sot, për çdo shqiptar, thirrja është për betejë pa kthim për të përmbysur regjimin e tij.
PS: Ky artikull ribotohet me ndryshime për shkak të aktualitetit.
Shtoj gjithashtu se në këtë shkrim unë u ndala vetëm në një aspekt tragjik që mban në vetvete ajo që festohet si ditë çlirimi dhe jo në aspektin e saj më katastrofal, si dita e parë e vendosjes së diktaturës më barbare të të gjitha kohërave në Shqipëri, diktaturës hoxhiste.