Avokati i familjes së 14-vjeçarit Martin Cani që u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli”, Redi Ramaj, ka bërë thirrje për drejtësi dhe transparencë të plotë mbi ngjarjen tragjike.
I ftuar në News24, Ramaj theksoi se familjarët e viktimës kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes që nga momenti i parë, por deri më tani janë përballur me kontradikta dhe mungesë qartësie nga organet hetimore.
Sipas avokatit, ka paqartësi në lidhje me numrin e autorëve të përfshirë në incident. Fillimisht janë raportuar tetë autorë, ndërsa aktualisht flitet për tre. Ai tha gjithashtu se deklaratat e dëshmitarëve, përfshirë një tjetër fëmijë të plagosur, duhet të trajtohen me seriozitet. Në dëshmitë e tyre, thuhet se viktima është goditur edhe nga një person tjetër përveç autorit të shpallur deri tani.
Një çështje e rëndësishme e ngritur nga avokati është mungesa e qasjes së familjarëve në pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Ai tha se familja kërkon të njihet me këto prova për të arritur qetësinë dhe të kuptojë më mirë rrethanat e tragjedisë. Sipas Ramajt, një pikë e rëndësishme që kërkon vëmendje është hetimi i mundësisë së përfshirjes së të rriturve në këtë konflikt fatal.
“Familjarët e të ndjerit kërkojnë drejtësi që në ditën e parë. Nga organet shtetërore nuk kemi pasur transparencë të plotë për ngjarjen. Është një ngjarje e rëndë që nuk duhet të ishte zbardhur vetëm për familjarët e Martin Canit, por për gjithë shoqërinë, e cila kërkon drejtësi. Shpresoj dhe besoj se policia do bëjnë detyrën e tyre. Pretendimi i familjarëve është që nuk ka transparencë dhe ka kontradiktë në deklaratat e policisë. Fillohet me 8 autorë dhe pastaj dalin 3.
Vetë deklarimet e të plagosurit, fëmijës tjetër që tha se, u godit edhe nga një person tjetër veç autorit duhet të sqarohen. I plagosuri, Luisi ia ka thënë policisë që ditën e parë se është goditur nga dy persona, autorë. Familjarët e Martinit kanë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë. Prokuroria e cila drejton hetimet duhet të orientojë mekanizmin hetimor duke përfshirë dëshmi, prova shkencore, aktet e ekspertimit të na vendosen në dispozicion se si ndodhi ngjarja dhe si u vra Martini.
Pamjet filmike nuk janë parë nga familjarët. Ka dëshmitarë që thonë se nuk ka vetëm konflikt vetëm në datën 18, por ka konflikt edhe ditën e premte ku është përfshirë edhe një rritur. Duhet të merren në pyetje. A ka patur apo jo të përfshirë në konflikt persona të rritur. Familjet janë të shqetësuara se në ambientet e shkollës dhe përreth qarkullojnë fëmijë me thika. Zbardhja e kësaj çështjeje do t’i shërbente të gjithë fëmijëve që janë në shkollat shqiptare”, tha ai.