Themeluesi dinak i platformës Sky Ecc, ose kompanisë Sky ECC Global, Jean-Francois Eap i lindur në Quebek Kanada, me prindër të ardhur nga Kamboxhia e kishte kuptuar nevojën e ethshme që ka bota e krimit për të komunikuar në mënyrë të sigurt. Kryesisht janë njerëz që nuk dalin dot aq lirshëm rrugëve, ndërkohë që paisjet e tyre të komunikimit janë gjithmonë nën vëzhgim nga institucionet e sigurisë. Kompanitë celulare s’mund të ta ofrojnë këtë siguri, siç s’mund të ta ofrojë asnjë aplikacion si fjala vjen Whatsapp, Telegram, apo Signal që operon me një numër telefoni. Atehërë zgjidhja ishte kodi i përdoruesit, pra pa asnjë të dhënë personale, por vetëm me nje kod unik mund të komunikojë lirshëm, ndërkohë që aplikacioni fshinte automatikisht të gjitha bisedat nga serveri i telefonit. Gabimi i tij i vetëm, ishte se serverat i vendosi në Francë, një vend që ka firmosur çdo lloj traktati bashkëpunimi të mundshëm në luftën kundër terrorizimit, krimit të organizuar etj.
Jean-Francois Eap- themeluesi i Sky Ecc (Foto OCCP)
Ku shiteshin telefonat në Shqipëri
Brenda një kohë të shkurtër, SKY Ecc u kthye në mjetin e komunikimit kryesor për bandat. Për ta blerë, duhej të takoje “shitësin” personalisht dhe të sillje para në dorë. Ndonjëherë ai kërkonte të takoheshin në hollin e një hoteli, ndonjëherë në një kafene. Protokolli i sigurisë ishte shumë i rreptë. Por në Shqipëri kjo bëhej hapur. Një burim policor i tha Syri.net se telefoni së bashku me platformën mund të blihej lirisht në pika të ndryshme të kryeqytetit. Një ndër më kryesoret ishte ajo e quajtur Dollari. Çmimi, i telefonit së bashku me platformën varionte nga 1500 deri në 2500 euro. Në çmim, një rol të rëndësishëm luante modeli i telefonit, pasi vetë platforma së bashku me kodin unik dhe një abonim prej 3 muajsh kishte një çmim fiks prej 900 eurosh. “ Mjaftonte të shkoje dhe të kërkoje tek një nga ato pika dhe brenda dy tre orësh telefoni të vinte në dorë së bashku me kodet unike të tij dhe paswordin. Pasi e merrje dhe bëje pagesën ti mund t’i ndryshoje kodin dhe username. Por me një kusht se pagesën për abonim duhej ta bëjë tek i njëjti shitës. Natyrisht ka pasur dhe persona të cilët e blinin jashtë vendit, kryesisht në Hollandë dhe Belgjikë, por dhe atje në të njëjtën mënyrë operohej” thotë i njëti burim për SYRI-n. Në pamje, pajisjet ishin si “Blackberries” ose “iPhone” i zakonshëm. Por në brendësi ishin ndryshe: kamera, mikrofoni dhe GPS i tyre ishin të çaktivizuar dhe telefonat kishin tashmë të instaluar një aplikacion special të mesazheve të koduara “Sky ECC”, i fshehur nën ikonën e makinës llogaritëse. Mesazhet e dërguara përmes këtij aplikacioni ishin të koduara dhe plotësisht të sigurta nga pikëpamja e përgjimit – të paktën në teori.
“Ky aplikacion ishte vendimtar për anëtarët e organizatave kriminale në koordinimin e operacioneve ndërkombëtare, si trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave,” thotë Sasha Gjorgjeviç, një analist i lartë në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional. “Është veçanërisht interesante që anglishtja, shqipja dhe gjuhët e popujve të ish-Jugosllavisë ishin më të përfaqësuara në biseda, gjë që tregon se sa anëtarë të grupeve kriminale ballkanike mbështeteshin në Sky ECC,” shton ai.
Rreth 16 mijë shqiptarë përdorues të SKY
Dhe duket se numri i shqiptarëve që kanë përdorur SKY Ecc ka qenë vërtet i lartë. Dashnor Sula deputet i PD në kuvendin e Shqipërisë në një deklaratë të tij të para një viti u shpreh se ka rezultuar se 16 mijë persona me kombësi shqiptare kanë pasur në pronësi një telefon me playformë të tillë, e cila sipas hetimeve ka rezultuar se në 98 % të rasteve është përdorur nga persona me aktivitet kriminal. Syri. Net, kontaktoi me deputetin për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështje “Informacioni ka ardhur nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere. Natyrisht bëhet fjalë për shqiptarë në çdo vend të botës, por mjaft që 1000 apo 2000 prej tyre të kenë qenë rezident në Shqipëri, mund ta imagjinoni përmasat e këtij fenomeni dhe se çfarë ndodh me krimin e organizuar këtu. Natyrisht nuk përjashtohet që pjesë e kësaj platforme të kenë qenë njerëz të pushtetit, dhe unë e kam kërkuar me forcë këtë gjë” thotë Sula për SYRI-n.
Dekodimi, si ranë në rrjetën e hetimit përdoruesit
Ndërkohë që masivitetin e përdorimit të kësaj paisjeje e e pohon për Syri.net dhe gazetari i kronikës Armand Bajrami. Sipas tij mendohet që vetëm përdorues shqiptarë të kenë qenë mbi 10 mijë të tillë “Sipas Europol në rang global kanë qenë 170 mijë përdorues të Sky Ecc dhe 3 milionë sms në ditë të shkëmbyera mes përdoruesve. Numri i përdoruesve shqiptarë është i konsiderueshëm nuk ka shifër të saktë zyrtare, por është mbi 10 mijë, është përfolur deri në 16 mijë. Por jo çdo komunikim i shqiptarëve është në duart e SPAK” thotë Bajrami. Sipas tij dekodimi nuk është një proces i lehtë, por në rrjetën e hetimit përdoruesit e tij kanë rënë sepse kanë përdorut emra, apo kanë dërguar numra ID personale. “Dekodimi nuk është proces i lehtë përpos komunikimeve në gjuhën shqipe, por ajo që unë di nga burime pranë SPAK, fat për njerëzit e hetimit janë bërë vetë gabimet e përdoruesve të SKY ECC. Transmetimi i të dhënave personale, fotografia, bileta e udhëtimit çka ka bërë që të gjendet përqasja. Këto kanë qenë raste fatlume ku kanë bërë gabime të kësaj natyre, në raste të tjera mund të ketë qenë më i vështirë, por i kanë përafruar me personazhe të tjera” thotë Bajrami.
Laliç, krimineli serb përfaqësues për Ballkanin
Në fakt duket se dhe ata që kanë pasur ekskluzivitetin e shitjes së platformës kanë qenë njerëz të krimit. Natyrisht për aktivitetin e tyre kërkoheshin njerëz besnikë. Sipas OCCPR Rrjeti i Gazetarëve Investigativë Kundër Krimit dhe Korrupsionit në krye të shitjeve për Ballkanin ku përfshihet dhe Shqipëria qëndronte një antar famëkeq i bandës Princip në Beograd, me emrin Serdan Laliç (Srđan Lalić). Laliç është një i penduar i drjtësisë serbe. Ai bëri një marrëveshje me prokurorët dhe pranoi të dëshmonte për aktivitetet e tij kriminale, të cilat përfshinin pjesëmarrjen duke ndihmuar në vrasjen e gjashtë shtatë personave brenda një shtëpie në një periferi të Beogradit me nofkën “Thertorja“, pasi viktimat që dërgoheshin atje, pasi vriteshin, shpesh copëtoheshin në makina mishi. Mediat serbe publikuan dëshminë e tij, duke e quajtur atë “Kasapi i Buzëqeshur“, nofkë që e mori pas publikimit të një fotoje të tij pranë një kufome të rrahur keq. Por Laliç nuk ishte thjesht një vrasës bandash – ai kishte gjithashtu një punë ditore. Ai ishte një rishitës zyrtar i autorizuar për kompaninë e telefonave të koduar Sky Global me bazë në Vancouver, e cila u premtoi përdoruesve të saj se mund të flisnin me këdo, kudo, në fshehtësi absolute.
Srđan Lalić (Foto OCCP)
‘Juniori’ shqiptar që furnizonte Shqipërinë
Laliç gjeneronte rreth 120,000 euro në muaj për Sky Global, edhe ai përdorte telefonin e tij të koduar Sky ECC për të organizuar torturën, copëtimin dhe vrasjen e armiqve të grupit të tij. “Në fillim, ai ishte i detyruar të ndiqte çmimet standarde të Sky — rreth 1,000 euro për një abonim 6-mujor ose 550 euro për tre muaj. Por, me kalimin e kohës, duke fituar më shumë klientë, Laliç fitoi të drejtën të ofronte zbritje. Me suksesin e tij në rritje dhe duke u treguar “i përgjegjshëm dhe i përpiktë,” siç mburrej ai në dëshminë e tij, Sky i dha titullin “përfaqësues i Ballkanit.” Ai filloi të krijonte dhe menaxhonte një rrjet të shitësve të tjerë në rajone të ndryshme, si “Balkan SKY” në Serbi, “Alfa Pro” në Kroaci, “Hugo” në Mal të Zi, “Joker” në Austri, “Junior” në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Zvicër, dhe “Zeus” në Slloveni. Emrat e vërtetë të këtyre shitësve nuk janë zbuluar në dosjet gjyqësore” shkruan OÇPR. Në Shqipëri ka ende gjurmë të shitjes online të telefonave SKY Ecc dhe platformave. Për shembull në rrjetin social Instagram ekziston faqja “SKY_ECC_ALbania”. Udhëzimet e kësaj faqe janë që të kontaktosh me mesazhe në privat ndërsa pagesa bëhet në kriptomonedha, ose cash.
‘Thertorja’ në dalje të Beogradit ku kryheshin krimet e grupit ‘Princip’ (Foto OCCP)
Në ballkan, SKY Ecc përdorej nga politikanë dhe prokurorë
Por megjithëse goditja ndaj platformës u dha në mars të vitit 2021, në Shqipëri duket se aktiviteti i kësaj platforme ka vijuar dhe më vonë. Kjo sepse siç informohemi aplikacioni ka vijuar të përdoret nga grupet kriminale dhe pas vitit 2021 “kishte kohë që grupet kriminale ata kishin shfaqur dyshime për rënie të SKY Ecc pas kapjes së ngarkesave nga autoritetet ligzbatuese sidomos në Belgjike dhe Holandë” shprehet për Syri.net i njëti burim. Si pasojë e dekonspirimit të platformës në të gjithë botën mendohet të jenë arrestuar rreth 7500 persona. Para se aplikacioni të mbyllej, në mars 2021, policia arriti të thyejë kodimin e tij, duke marrë akses në rreth 80 milionë mesazhe të kapura. Ky sukses i dha autoriteteve informacion të vlefshëm mbi aktivitetet e grupeve kriminale, përfshirë ato nga Ballkani Perëndimor. Sipas Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, 30% e 70,000 telefonave që përdornin aplikacionin Sky ECC ishin në duart e kriminelëve nga Ballkani. Përveç kësaj, dyshohet se edhe disa politikanë, prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë policie nga rajoni ishin përdorues të këtij aplikacioni, duke ngritur shqetësime për korrupsion dhe bashkëpunim me aktivitete të paligjshme. Ky zhvillim ishte një goditje e rëndë për rrjetet kriminale, duke zbuluar komunikimet dhe operacionet e tyre, si dhe duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi shkallën dhe organizimin e veprimtarive të tyre.