Në 80-vjetorin e lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore organizoi ditën e sotme konferencën shkencore – Jubilare: “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë” në Sallën Consortium.
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se ‘Lidhja e Prizrenit’ ishte padiskutim një bashkim kombëtar, ku Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, këto ishin ëndërrat e shqiptarëve.
“Mirëmëngjesi dhe një përshëndetje të përzemërt, një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për studiuesin, publicistin Enver Bytyçi që vendosi të organizojë këtë konferencë kushtuar një gjeniu të rrallë në historinë e politikës shqiptare, por e vërteta është, për veprën e tij ndër më uniket në historinë e Europës.
Ne e kemi patur këtë fat. Me gjithë problemet dhe serinë e pafundme të mbrapshtive, ne kemi patur, kemi nxjerrë gjithnjë, somitete, figura të shquara.
Shumë dëshirojnë të krahasohen me Skënderbeun, etalon, natyrisht princ i përjetshëm. Por nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.
Kështu që sot ai do të ishte 80 vjeç. Nuk është, por e vërteta është se ai është midis nesh dhe i pavdekshëm me veprën e tij.
Thashë se, bëra atë krahasim në fillim sepse ai, ideja e një Kosove të lirë nuk vdiq kurrë në Kosovë. Edhe gjatë perandorisë Kosova arriti të ishte një nga pjesët më të rëndësishme, herë, herë edhe më fatale të saj.
Kosova ishte e para që ju kundërvu projektit copëtues të trojeve shqiptare. Banorët e Plavës dhe Gucisë, banorët e tjerë. Lidhja e Prizrenit ishte një, padiskutim një bashkim kombëtar. Por Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, këto ishin ëndërrat e shqiptarëve.
Një njeri nisi apo ngjizi në mendjen e shqiptarëve të Kosovës, një ëndërr të re; Kosova e pavarur. Në takimin e parë në shkurt të vitit 1991, i ndjeri Azem Hajdari i cili nuk kishte gjë tjetër në mendje, veç Kosova e bashkuar me Shqipërinë, rrinte e rrinte dhe e pyeste. I thoshte, po për bashkimin? Më vonë i thoshte Rugova, kjo njëherë.
Këtë ide të Kosovës së pavarur ai e mbolli në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari pothuajse, në Kosovë”, tha Berisha.