Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi paralajmëroi në studion e “Off the Record” se do të ketë zhvillime të reja sa i përket çështjeve me drejtësinë të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Belind Këlliçi theksoi se Veliaj do të jetë i vetmi kryetar bashkie që në fund të mandatit të tij mund te mbesë pa asnjë drejtues në institucionin që ai drejton.
“Por për shkak të sekretit hetimor… Unë nuk kam qenë për turizëm në SPAK. Kam qenë rreth 2 orë. Do të ketë zhvillime të tjera, por për shkak të sekretit hetimor, unë nuk mund të flas. Për çfarë më kërkohet që unë të mbaj sekretin hetimor dhe të zbatoj ligjin, pa diskutim që unë do të zbatoj ligjin, gërmë për gërmë”, tha ai.
Sipas Këlliçit, PD-së iu vodh mandati në Tiranë në zgjedhjet lokale, dhe këtë e tregon sipas tij, fakti që drejtuesit e fushatës së Veliajt ndodhen sot pas hekurave.
“Zgjedhjet janë vjedhur. Paratë që vidhen, hidhen në fushatë elektorale…”
Me gjithë goditjet e SPAK majtas, Këlliçi thotë se merita nuk shkon për prokurorinë e posaçme, por tek vetë ai dhe të forca politike në të cilën ai bën pjesë.
Qytetarët, sipas Këlliçit, duhet të kuptojnë që po vidhen në mënyrë permanente dhe nëse nuk do të reagojnë, nuk ka zgjidhje.
Ai u shpreh i bindur se aksioni opozitar do të vijojë derisa të garantohet vota e lirë dhe derisa PD të vijë në pushtet.