Aktivisti dhe politikani i njohur, Arben Tafaj është ndarë nga jeta ditën e sotme.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga drejtuesi politik i PD për Qarkun Tiranë, Belind Këlliçi, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes për humbjen nga jeta të politikanit dhe aktivistit të njohur Arben Tafaj, i cili u nda.
Këlliçi shkruan se, si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve.
“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, familjarit, bashkëpunëtorit, politikanit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj.
Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to. Si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas. Po gjithnjë duke përkrahur bashkëjetesën dhe frymën e miqësisë me secilin komunitet.Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim.
Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve.
Por ai ka lënë pas shumë punë të mira e rezultate dinjitoze, kujtime dhe vlera, siç është dhe dera e madhe Tafaj, nga ai vjen.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë e të afërmit.
Qofsh i Parajsës mik i mirë [🙏🏻]”, shkruan Këlliçi.
Kush ishte Arben Tafaj?
Arben Tafaj, me profesion ekonomist (është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në vitin 1986). Tafaj është zgjedhur kryetar i njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë i kandiduar nga PD me tre mandate radhazi. Kryetari i njësisë bashkiake numër 8 “aventurën” politike e ka nisur në zgjedhjet e vitit 2003 ku ka fituar 4,570 vota, apo 48.65 %. Në zgjedhjet e vitit 2007 ka marrë 6,734 vota, apo 56.85 % dhe në zgjedhjet e vitit 2011, Arben Tafaj ka fituar 9,634 vota ose 59.21 %.
Së bashku me disa miq të tij, drejtonte shoqatën “Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare.
Pikërisht në krye të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, krijon profilin e një drejtuesi që komunikon, hedh ide, por dhe mbron me forcë vlerat e njerëzve që përfaqësonte.
Arben Tafaj, ka qenë propozuesi dhe lobuesi direkt i ndërtimit të pedonales në rrugën “Murat Toptani”, kur dolën themelet e Kalasë së vjetër të Tiranës.