Përfaqësuesja e re e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka thënë se e vetmja rrugë për anëtarësimin në BE për Kosovën dhe Serbinë është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, me bazë në Marrëveshjen e Ohrit.
Ajo ka thënë se duhet bashkëpunim për zbulim të sulmit të fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
“I takova presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kallas të martën në “X”, pas takimeve të ndara me liderët e Kosovës dhe të Serbisë.
Pas takimeve, Kurti ka thënë se ka insistuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa është shprehur optimist se Kallasi është në kohën dhe vendin e duhur. Kurti ka kërkuar po ashtu që Serbia ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiç tek autoritetet e Kosovës si organizator për sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ndërsa Vuçiçi është shprehur se ka pasur bisedë “jo të lehtë me Kallasin”. Në takim, përfaqësuesja e re ka kërkuar nga Serbia që të zgjidhet rasti i Banjskës dhe që t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.
Kosova e Serbia arritën marrëveshje më 2023, në atë që shihet si rrugë drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja njihet si ajo e Ohrit.