Veliaj pranon se po hetohet, por fajëson mediat dhe opozitën

Erion Veliaj reagoi pas shumë orësh për kontrollin e ushtruar në banesën e tij nga SPAK dhe BKH. Kontrolle u ushtruan edhe në banesën e vëllait të Veliajt, por edhe në galerinë e të shoqes.

Veliaj sulmoi opozitën dhe mediat, por nuk la pa lëshuar një ‘thumb’ edhe për Edi Ramën, duke thënë se: “Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale”.

Veliaj konfirmoi se ndaj tij dhe familjarëve po bëhet hetim pasuror. Reagimi i tij erdhi pasi u kthye nga Gjermania. Ai u fotografua në avion kur kthehej nga Hamburgu.

Reagimi

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.

U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale.

Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nga zëri juaj guximtar u denoncuan vjedhjet e kryeminstrit, familjarëve të tij dhe narkoministrave

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nga zëri juaj guximtar në “Rrugën e Shpresës” …