Washington/ Rezoluta e tretë e IDU: Të krijohet qeveri teknike për zgjedhje të lira, gjyqësori të jetë i paanshëm

Unioni Internacional Demokratik (IDU) i përbërë nga 84 organizata nga 65 shtete të botës, ka miratuar me votë unanime rezolutën që kërkon reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë në Shqipëri. Anëtarët kryesorë të IDU-së janë partia republikane amerikane dhe konservatorët britanikë. Kërkesat e IDU-së për Shqipërinë përfshijnë ndalimin e persekutimit politik kundër udhëheqësve të opozitës, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për fushata pa frikë nga ndjekjet politike.

IDU kërkon ruajtjen e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si gurë themeli të një shoqërie demokratike, si dhe një sistem gjyqësor të paanshëm, të lirë nga ndërhyrjet politike. Po ashtu, theksohet nevoja për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që këto veprime të jenë të paanshme dhe të mos synojnë opozitën.

IDU kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke siguruar pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet dhe mbështet krijimin e një qeverie kujdestare, të modeluar sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

IDU ka rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë, duke monitoruar zhvillimet në vend.

Rezolutë e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në Takimin Ekzekutiv të IDU-së, më 6 dhjetor në Uashington, D.C. (Shkarko dokumentin në shqip) (Shkarko dokumentin në anglisht)

Rezolutë për Shqipërinë

Rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Republikane në Mbledhjen Ekzekutive të IDU-së,

6 Dhjetor në Washington D.C.

DUKE QENË SE IDU mbron fuqimisht shtetin e së drejtës dhe integritetin institucional si themele të demokracisë. Në 12 vite qeverisje socialiste në Shqipëri, kanë përqendruar pushtetin në duart e një personi, duke i reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Liderët e opozitës, deputetët dhe zyrtarët vendorë përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, njëjtë si regjimet autoritare në Bjellorusi dhe Tunizi.

DUKE QENË SE korrupsioni i shfrenuar dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, të zbuluara nga autoritetet belge, janë alarmante. Kartelët e drogës shfrytëzojnë Shqipërinë për pastrim parash, duke ndërlidhur shtetin me grupet kriminale. Përgjimet zbulojnë bashkëpunimin midis zyrtarëve të qeverisë dhe rrjeteve kriminale për të manipuluar zgjedhjet, emërimet në postet kyçe dhe frikësuar votuesit.

DUKE QENË SE pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, maxhoranca socialiste nën kryeministrin Rama ka dështuar të trajtojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, represioni politik po përshkallëzohet, duke shënuar gjykime, arrestime dhe burgosje të motivuara politikisht të liderëve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 27 nëntor 2024 për të revokuar arrestimin e z. Berisha I cili erdhi menjëherë pasi Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut drejtoi pyetjet palëve për shkeljet në rastin e tij, evidentoi një gjyqësor të komprometuar nga ndikimi socialist, i cili është kthyer në një mjet për të shtypur opozitën dhe për të manipuluar zgjedhjet. Paralajmërimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, të kapur nga partia në pushtet, janë materializuar nën drejtimin e Ramës, duke kërcënuar stabilitetin demokratik të Shqipërisë.

IDU kërkon:

  1. Dhënien fund të persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës, dhe sigurimi i një mjedisi të lirë e të ndershëm për të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik.
  2. Garantimin e shtetit të së drejtës dhe integritetit institucional si themele të një shoqërie demokratike.
  3. Një sistem gjyqësor të paanshëm dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.
  4. Intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme duke mos targetuar opozitën.
  5. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që garantojnë pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet.
  6. Krijimin e një qeverie kujdestare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

IDU konfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kyc të opozitës në rikthimin e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe europiane të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …