Shqipëri-Kosovë, akulli që nuk po shkrin

Ftohja e marrëdhënieve politike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës po përcillet edhe në ekonomi me tregtinë në vendnumëro dhe rënien e vizitorëve. Sipas projeksioneve, PBB-ja e Rajonit pritet të arrijë në 135.3 miliardë euro më 2024, teksa ekonomitë tona, të dyja së bashku, pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit. Ekonomia e Serbisë zë 45% të PBB-së së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Kosova nuk po i shfrytëzojnë potencialet për bashkëpunim, në mënyrë që të bëhen konkurruese dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Kosova dhe Shqipëria, dy shtete të të njëjtit komb, nuk i kanë shfrytëzuar potencialet e burimeve natyrore dhe popullsinë e re në moshë për të rritur përfitimet ekonomike.

Në vend që të rritet, popullata shqiptare në rajon është reduktuar dhe është plakur teksa në aspektin ekonomik, konvergjenca me Rajonin ka mbetur e pandryshuar gjatë 10 viteve të fundit. Qeveritë e dy vendeve, me politikat e tyre, nxitën emigrim masiv të popullatës, duke dështuar të krijojnë mundësi sidomos për të rinjtë.

Ekonomitë e dy shteteve bazohen në një model që nuk gjeneron punësim me vlerë të lartë dhe nuk kanë mundur të integrohen në zinxhirët e industrisë si Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ishte rreth 80,5 miliardë euro në vitin 2013, sipas të dhënave nga institucionet financiare ndërkombëtare FMN dhe BB.

Shqipëria dhe Kosova së bashku e kishin PBB-në 19,2 miliardë euro në vitin 2013, vlerë kjo sa 23.8% e PBB-së së Rajonit. Sipas projeksioneve, PBB-ja e Rajonit pritet të arrijë në 135.3 miliardë euro më 2024, teksa ekonomitë tona të dyja së bashku pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit.

Përgjithësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të popullsisë që kur u shemb regjimi komunist në vitin 1990. Gjatë dekadës së fundit, popullata shqiptare e dy shteteve ka pësuar rënie të fortë për shkak të uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë, por këto fenomene kanë qenë më të dukshme në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë që popullsia e dy vendeve të pësojë rënie me 15% dhe 12% secila ndërmjet 2011 dhe 2024.

Shqipëria dhe Kosova gjithashtu janë të integruara më pak në zinxhirin e vlerës së tregut global, duke qenë se sektori i bujqësisë dominon dy ekonomitë dhe sektorët e industrisë ku ofrohen paga më të larta janë më pak të pranishme se në rajon.

PBB, gara Shqipëria-Kosovë

Kosova përjetoi në 1998 një nga luftërat më të përgjakshme në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Shqipëria doli shumë e varfër nga rrëzimi i një prej regjimeve diktatoriale më të egra. Falimenti i firmave piramidale në vitin 1997 e vështirësoi edhe më tej situatën, pasi një shumicë e madhe familjesh humbën të gjithë kursimet e jetës në këto skema.

Me liberalizimin e tregtisë, të ardhurat nga emigracioni dhe zhvillimi i industrive që kërkonin krah pune, PBB-ja e Shqipërisë shënoi në vitin 2023 mbi 2,3 trilionë lekë (22 miliardë euro). Ky rezultat është 70% më i lartë se në vitin 2013, kur PBB-ja e vendit ishte 1,3 trilionë lekë.

Ekonomia e Kosovës në vitin 2023 arriti një vlerë të PBB-së 9,76 miliardë euro, me rritje 91% në krahasim me vitin 2013, kur përllogaritej 5 miliardë euro.

PBB e përbashkët Shqipëri – Kosovë zë 33% të ekonomisë së rajonit. Serbia në vitin 2024 pritet të ketë një PBB prej 62 miliardë eurosh, që përbën 45% të PBB-së totale të Rajonit.

Struktura e ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dominohet nga në tre sektorë kryesorë, bujqësia, industria dhe shërbimet. Këta sektorë kanë ndryshuar gjatë viteve, pasi shumica e një pjese të vendeve kanë kaluar nga ekonomitë bujqësore në ekonomi më të orientuara nga shërbimet dhe industrisë.

Vetëm në Shqipëri, struktura e ekonomisë dominohet nga bujqësia, e cila në vitin 2022 zuri 18% të PBB-së. Në Kosovë, bujqësia zë 7% të PBB-së, ndërsa në dy vende të tjera, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, bujqësia zë më pak se 7% të PBB-së dhe në Bosnjë është më pak se 5%.

Në vendet e BE-së, bujqësia zuri më pak se 2.5% të PBB-së më 2022. Zhvillimet e sektorit të bujqësisë janë paradoksale për Shqipërinë, pasi është sektori më i madh në ekonomi, teksa nevojat e konsumit të vendit plotësohen nga importet. Importet bujqësore janë tre herë më të larta se eksportet dhe janë zgjeruar më tej këtë vit.

Ekonomia e Shqipërisë dhe Kosovës ka varësi të lartë nga ndërtimi, i cili nuk sjell produktivitet në afat të gjatë.

Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT pas Shqipërisë vjen Kosova, ku ndërtimi zë rreth 10% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera, sektori zë 5-7% të PBB.

Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5,7% të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9% të ekonomisë, në Serbi 7% dhe në Kosovë, pak më shumë se 10%.

Në Serbi dhe Bosnjë, industria është dega kryesore e ekonomisë që kontribuon më shumë se 23% në PBB-në e vendeve. Në Maqedoninë e Veriut, industria zë 19% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri, më pak 14%.

Edhe pse me peshë më të ulët, industria në Shqipëri është më pak produktive pasi mbështetet në njësi prodhimi të industrisë fasone të tekstil-këpucës, që punojnë me material porositësi, ndërsa në rajon, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë, dega e industrisë është e lidhur me zinxhirin e industrisë automative, e cila ka norma më të larta fitimi dhe prodhon paga më të larta për punonjësit.

Burimi: Banka Botërore

Normat e larta të emigrimit të të rinjve po e bëjnë vendin jo tërheqës për transferimin e njësive të prodhimit. Gjithsesi, me dimensionet e reja të gjeopolitikës globale, ku zinxhirët e prodhimit po transferohen sipas aleancave të reja globale, Shqipëria ka shanse të larta për të tërhequr investitorë me potencial.

Me gjithë zhvillimet e pritshme, sektori i ndërtimit do të vijojë të ketë kontribut në rritje në ekonominë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekspertët e ekonomisë në të dy shtetet mendojnë se qeveritë nuk u kanë kushtuar vëmendje zhvillimeve ekonomike.

Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, ka pasuri nëntokësore, tokë pjellore dhe kapacitete për të rritur prodhimin e energjisë së pastër, por në krahun tjetër, mungojnë politikat dhe mbështetja e duhur politike dhe financiare për t’i zhvilluar më tej këto mundësi.

Gjatë viteve të fundit, zhvillimet politike në vend kanë lënë në hije aspektin ekonomik, tha Mustafë Kadriaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Ndërsa eksperti i njohur, Selami Xhepa, thotë se qeveria shqiptare ka zhvilluar një model ekonomik bazuar në vlerën e ulët të punës, teksa përfitimet ekonomike nuk janë ndarë në mënyrë të drejtë përderisa Shqipëria ende ka 43% të popullsisë në rrezik të varfërisë.

Burimi: Banka Botërore

Në “luftë” të ftohtë

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë lënë pas edhe bashkëpunimin formal. Nga viti 2008 deri më 2023, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar 15 mbledhje të përbashkëta, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërmarrjen e reformave të përbashkëta. Mbledhja e fundit u bë në korrik të vitit 2023 në Shkodër dhe deri më tani, kur po mbyllet 2024, nuk është zhvilluar mbledhje tjetër.

Zhvillimet në mbledhjen e fundit kishin të bënin me projektet e përbashkëta infrastrukturore, si rrugët dhe hekurudhat, për të lidhur më mirë dy vendet dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, si dhe zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive për të promovuar më shumë bashkëpunimin në këtë sektor.

Kryeministrat Rama dhe Kurti, jo vetëm që nuk po bashkëpunojnë, por shpesh shfaqen si konfliktualë, duke shmangur takimet dhe duke replikuar në distancë.

Kjo marrëdhënie e ftohtë mes qeverisë ka injektuar një frymë në popullsinë e përgjithshme, kur gjithnjë e më shumë shqiptarët e Kosovës nuk preferojnë të pushojnë në Shqipëri. Numri i vizitorëve nga Kosova ra këtë vit, ndërsa volumi tregtar mbeti i njëjtë.

Profesori Safet Gërxhalliu, i cili më parë ka drejtuar Odën Ekonomike të Kosovës, është shprehur se, ekonomistët dhe ekspertët e dy anëve të kufirit duhet të hidhen në veprim. Nuk ka më kohë për të humbur, pasi politika ka dështuar të bashkojë ekonominë.

“Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet, – propozon ai. Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të axhendës”, thotë ai.

Shqipëria ka nënshkruar me Kosovën marrëveshje bashkëpunimi më shumë se me çdo vend tjetër, por në realitet, një seri konfliktesh tregtare numërohen që kur Kosova shpalli pavarësinë, të cilat shpesh morën parametrat e një lufte tregtare. Shembulli tipik është viti 2013, kur një seri konfliktesh tregtare në të cilat u përfshinë edhe qeveritë ndikuan për keq tregtinë ndërmjet shteteve.

Bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova. Konflikti me miellin u përsërit gjatë vitit 2016-2017. Në 10-vjeçarin e fundit, barra tarifore në tregtinë mes dy vendeve u rrit me tarifa e taksa indirekte.

Kosova vuri në vitin 2014 një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kostot për eksportuesit shqiptarë. Ndërsa këto tarifa u baraspeshuan nga Shqipëria, e cila nga viti 2014 filloi zbatimin e tarifës së skanimit në dogana në 22 euro për çdo deklaratë doganore.

Më vonë, gjatë vitit 2019, qeveria e Shqipërisë dha me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ku automjetet e vogla që kalojnë në të paguajnë 5 euro me TVSH, autobusët 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro dhe kamionët e rëndë 23 euro. Këto tarifa i rënduan më tej kostot për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

Propozimi

Safet Gërxhalliu: Ekonomistët dhe ekspertët e dy anëve të kufirit duhet të hidhen në veprim. Nuk ka më kohë për të humbur, pasi politika ka dështuar të bashkojë ekonominë. Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet.

Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të axhendës.

Tregtia, përkeqësohet pozicioni i Shqipërisë

Këtë vit, Shqipëria përkeqësoi pozicionin tregtar me Kosovën, pasi eksportet u ulën dhe importet u rritën gjatë 10-mujorit 2024.

Në periudhën janar-tetor, volumi tregtar i Shqipërisë me Kosovën ishte 45 miliardë lekë. Kjo vlerë zuri 3% të tregtisë me jashtë të Shqipërisë (import + eksport), një pozicion i ngjashëm me vitin 2023.

Gjatë 10 muajve të 2024, eksportet shqiptare në Kosovë shënuan 31 miliardë lekë, me rënie 9.2%, ndërsa importet nga Kosova u rritën me 29%. Rritja e importeve nga Kosova u dominua nga mallrat e kompanisë Devolli në Shqipëri me birrën “Peja”, prodhimet “Vita” dhe me tapicerinë e shtëpisë nëpërmjet “Comodita Home”.

Importet nga Kosova arritën 13,4 miliardë lekë, rreth 130 milionë euro në 10-mujor, me rritje vjetore 29%.

Eksportet shqiptare në Kosovë shënuan 31.7 miliardë lekë, me rënie vjetore mbi 9%. Tkurrjen më të madhe e pati hekuri me rreth 25% për shkak të rënies së prodhimit në kompaninë Kurum në Shqipëri. Eksporti i zarzavateve shënoi rënie me vlerë me rreth 22%, si rrjedhojë e rënies së çmimeve dhe rënies së euros, e cila i ka vënë në vështirësi eksportet e Shqipërisë këtë vit.

Shqipëria ka suficit tregtar me Kosovën, por kjo pozitë shënoi rënie të dukshme këtë vit. Në 10-mujorin 2024, suficiti tregtar shënoi 18 miliardë lekë, me rënie 27% nga niveli 25 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar.

Tregtia me Kosovën është shumëfishuar në dekadën e fundit. Gjatë vitit 2023, volumi tregtar u 5-fishua në krahasim me vitin 2008, kur u shpall pavarësia. Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nisi pas përfundimit të luftës në vitin 2000.

Në rreth dy dekada tregti shihet se përfituesja më e madhe është Shqipëria, e cila eksporton më shumë se sa importon mallra në Kosovë. Në vitin 2023, vlera e mallrave që Shqipëria eksportoi në Kosovë ishte dy herë më e lartë se vlera e mallrave që importoi.

Eksportet shqiptare në Kosovë dominohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, lëkurët dhe prodhimet e tyre dhe ushqimet, ndërsa importet nga Kosova përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, të cilat zënë gati 50% të importeve, ushqimet dhe produktet kimike dhe plastike.

Në vitin 2023, partnerët tanë kryesorë për eksportet ishin Italia (43%) duke u ulur me 10,2% krahasuar me vitin 2022, Kosova (9%) duke u rritur 8,3% krahasuar me vitin 2022 dhe Greqia (7%) duke u rritur 13,1%.

Ndërsa partnerët kryesorë të Shqipërisë për importet më 2023 ishin Italia (22%) duke u ulur 5,9% krahasuar me vitin 2022, Kina (11%) duke u rritur 21,0% krahasuar me vitin 2022, Turqia (10%) duke u ulur 26,2% krahasuar me vitin 2022.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Vizitorët nga Kosova braktisin Shqipërinë

Marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë në nivelin politik kanë njohur ulje-ngritje, por qytetarët e dy anëve janë lidhur fort sidomos nëpërmjet udhëtimeve, bashkëpunimeve kulturore, sportit dhe muzikës.

Por suksesi turistik i Shqipërisë është zbehur gjatë sezonit të verës dhe fillimit të vjeshtës, të paktën nëse i referohemi atij që njihet si turizëm patriotik. Shifrat zyrtare konfirmojnë se në muajin gusht, rritja e shqiptarëve të Kosovës ishte thuajse inekzistente, ndërsa në shtator hyrjet shënuan rënie me 19.2% në raport me shtatorin e një viti më parë.

Liberalizimi i vizave argumentohet të jetë një tjetër faktor që shtetasit e Kosovës kanë preferuar të eksplorojnë destinacione të reja në disa raste edhe nga Tirana, për shkak të linjave low cost.

Por duket se nuk kemi të bëjmë vetëm me një zbehje të interesit të turizmit patriotik. Shifrat zyrtare tregojnë për një numër më të ulët të çekëve, një grup që vazhdimisht ka qenë me rritje dhe që ka pasur interes për turizmin e organizuar.

Nisi si turizëm patriotik pas luftës së Kosovës në vitin 2000, por tani shtetasit nga ana tjetër e kombit zotërojnë kërkesën për turizëm në Shqipëri, duke zënë një të tretën e totalit të vizitorëve të huaj.

Gjatë dekadës, numri i turistëve nga Kosova rritet me ritme dyshifrore, po gjatë këtij viti ato kanë shënuar rënie. Për shqiptarët për turizmin dimëror, destinacionet e Malit të zi dhe Maqedonisë së Veriut mbeten më të pëlqyera edhe pse Boga, Sharri dhe Brezovica janë po aq të bukura.

Turistët nga Kosova janë bërë furnitori kryesor i të ardhurave në sektorin shqiptar të shërbimeve. Strukturat akomoduese në zonën e Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës fillimisht janë ngritur për t’iu përgjigjur kërkesës për turizëm nga Kosova.

Vit pas viti, kjo kërkesë ka qenë e qëndrueshme dhe në rritje, duke u shndërruar në një burim të sigurte të ardhurash për ekonominë tonë. Gjatë vitit pandemik 2020 ku lëvizjet u bllokuan për shkak të koronavirusit, shqiptarët nga Kosova mbajtën gjallë turizmin në Shqipëri dhe parandaluan në thellimin e humbjeve në sektor.

Me hapjen e Rrugës së Kombit në vitin 2009-2010, numri i udhëtarëve që hynë në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Tani shtetasit nga Kosova, përveç pushimeve të verës, nisën të vizitojnë Shqipërisë masivisht edhe për fundjava, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave edhe për disa qytete jobregdetare si Gjirokastra, Berati dhe Korça, etj.

Të dhënat zyrtare për hyrjen e turistëve nga Kosova datojnë pas vitit 2016, por të dhënat më të hershme për hyrjen e turistëve në rrugë tokësore tregojnë se pas përfundimit të Rrugës së Kombit, fluksi i tyre u rrit shpejt.

Burimi: INSTAT

Nacionalizmi ekonomik dhe përparësitë e bashkëpunimit

Përtej deklaratave për bashkëpunim dhe vullnet të mirë, në themel shqiptarëve në të dy anët e kufirit u mungon nacionalizimi ekonomik. Kjo shihet qartë te mungesa e besimit që konsumatorët e dy shteteve kanë te mallrat e njëri-tjetrit.

Jo vetëm që nuk ka besim por në shumë raste, ka edhe diskriminim. Profesor Safet Gërxhalliu ka vënë re se në Shqipëri, për të njëjtin produkt, preferohen më shumë kompanitë italianë dhe greke se sa ato nga Kosova.

Ndërsa Përparim Tushaj, nga ConsultingALB, thotë se kompanitë e Kosovës nuk kanë mundur të çajnë në tregun e Shqipërisë dhe shpeshherë janë detyruar të bashkëpunojnë ose të bëjnë ortakëri me bizneset atje për të shitur produktet e tyre.

Ndërsa ndryshe ndodh me mallrat shqiptare në Kosovë. Nafta e prodhuar në Shqipëri shitet masivisht në Kosovë dhe gjithashtu kompanitë shqiptare janë të pranishme në sektorët e financave dhe ndërtimit.

Në kontekstin fiskal, Shqipëria ka barrë më të lartë fiskale se Kosova. Shqipëria ka TVSH 20% ndërsa Kosova ka sistemin dy nivelesh 18 dhe 10%. Tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro në Kosovë është 10%, ndërsa në Shqipëri, bizneset e mëdha tatohen me 15%.

Kosova ka një sistem më të butë progresiv për pagat se Shqipëria sidomos për nivelet më të larta dhe ka shumë më të ulëta se Shqipëria taksat e punës. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik.

Kosova ka një sipërfaqe 11 mijë kilometër katror dhe popullsi prej 1,6 milionë banorësh, Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 mijë kilometër katror dhe popullsi prej 2.4 milionë banorësh.

Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë dhe taksat, si dhe politikat ekonomike tregu i përbashkët do të kishte rreth 4 milionë konsumatorë, në një territor prej 39 mijë kilometrash katror. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijon bashkësinë më të madhe në Rajon pas Serbisë.

Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria në një treg unik do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja se në aspektin e tregtar, ashtu dhe në prodhim e manifakturë.

Kjo dëshirë e hershme e bizneseve për një treg unik në fakt nuk është bërë pjesë e agjendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar.

Por tani kur bota është përfshirë në pasiguri nga luftërat, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike.

Sfida

Tani kur bota është përfshirë në pasiguri nga luftërat, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike. /Monitor

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nga zëri juaj guximtar u denoncuan vjedhjet e kryeminstrit, familjarëve të tij dhe narkoministrave

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nga zëri juaj guximtar në “Rrugën e Shpresës” …