Berisha paralajmëron Ramën me një fund të ngjashëm si të Asad

Kam kënaqësinë që të takoj sonte trupën elektorale të PD-së për kryeqytetin e Shqipërisë, për Tiranën, e cila ka një mision të madh, ka një mision të vërtetë, fitoren e opozitës në Tiranë dhe përmbysjen e narkodiktaturës në Shqipëri.

Ra Damasku, ra Asadi, bie Tirana, bie Edvini.

Këto janë raporte të vërteta.

Pushteti dhe kryeqyteti janë ndonjëherë sinonime të njëri-tjetrit.

Ndaj dhe në përmbushje të këtij misioni, iu takon juve së pari të riparoni çdo gabim që mund të jetë bërë në krijimin e këtij ekipi elektoral për kryeqytetin dhe të përfshini personalitete, aktivistë, anëtarë, mbështetës influentë në zonat tona, në mënyrë që të jemi sa më përfaqësues dhe sa më të fortë në këtë betejë.

Kjo është një betejë e një rëndësie, më e rëndësishmja.

Ju garantoj që në një mënyrë ose një tjetër, po të kemi parasysh pasojat shkatërrimtare demografike të këtij regjimi, PD nuk ka bërë ndonjëherë në ekzistencën e saj betejë më të rëndësishme se kjo betejë.

Kjo është e vërteta.

Kjo betejë kërkon që ne pandërprerë të trokasim në dyert e qytetarëve të Tiranës. Të baltosemi nga këpucët në rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti.

Ka një mekanizëm, një faktor i provuar në të gjithëra kohëra si faktor suksesi dhe ky është takimi me njerëzit.

Kanë rëndësi të gjitha të tjerat, kanë rëndësi ekranet, debatet, mediat sociale.

Por në raste të caktuar, p.sh po të ishte për mediat, Kamala Harris fitonte me 80 përqind garën me presidentin Donald Trump se makineri më gjigante në botë se ajo makineri mediatike nuk mund të ketë.

Por fitimtarët e fituan me takime, e fituan me takime intensive me qytetarët amerikanë.

Nuk u ankuan, shumë të rralla ankesat, megjithëse absolutisht pothuajse mediat në tërësi ishin kundër tyre.

Pse unë marr shembull? Duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjithë ata që ndjekin fushatën elektorale, fushata që prin në botë me risitë e veta është fushata në SHBA.

Është ajo fushatë që ka setin e risive dhe që ato përhapen në vendet tjera. Për shembull bënte fushatë Barak Obama me MekKein, ajo fushatë solli përgjigjen flakë për flakë. Në qoftë se ishte para saj përgjigjja ti flisje sot, ai përgjigjej nesër, u kalua te përgjigja e menjëhershme, e shpejtë. U gjet pastaj se vetëm përgjigja flakë për flakë ishte përgjigja që anulonte ose zvogëlonte në maksimum efektin e deklaratës së kundërshtarit.

Në këtë rast, risi ishte mësimi i madh se si u shemb gjiganti mediatik, të themi 80 me 20, ndoshta edhe më shumë se 80 ishin në krahun tjetër.

Ndaj dhe asgjë nuk mund të zëvendësohet, nuk ka gjë më të rëndësishme se t’i trokasësh tjetrit në derë, të ulesh për të pirë në kafe, se sa t’i trokasësh në dyqan dhe të hysh të bisedosh, t’i dorëzosh një copë fletushke me pesë gjëra që ti mendon.

Kështu që pra, mbetet të fillojmë sulmin elektoral, i cili ndalon vetëm me datën 11 maj, ditën e fitores.

Në këtë fushatë, boshti qendror, duhet ta kemi secili nga ne të qartë, i fushatës do jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia.

Pse? Sepse jemi në një realitet që tejkalon absolutisht pothuajse çdo lloj imagjinate.

Jemi në një realitet shumë të dhimbshëm.

Jemi në një realitet shkatërrimtar për njerëzit.

Këto ditë po lexoja një gjë shumë trishtuese. Në vitin 2013, ne paguheshim, shqiptarët paguheshin jo vetëm më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe se rumunët dhe bullgarët.

Sot rumunët janë të paktën 5 herë më mirë se në vitin 2013. Dje e lexova. Pesëfishuar rrogat nga viti 2013.

Kur sheh këto, konstaton se asgjë nuk ka më të pamëshirë, më kriminale se kjo që ka ndodhur për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.

Nuk e dija, ua them me sinqeritet, që qeveria rumune nga viti 2013 gjer vitin e kaluar, ka rritur rrogën 5 herë.

Kurse ne i kemi pensionet sot, minimumi 30 përqind më të ulëta se në vitin 2013.

Sot po lexoja, të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni për gjërat bazë është gjer në 9 herë më i lartë se inflacioni mesatar. Pra, inflacioni i mishit, djathit, qumështit, etj, krahasuar me vitin 2022, arrin shifra gjer 9 herë më shumë.

Mirëpo, të gjithë ata që jetojnë me pension, me rroga të ulëta, me ndihmë ekonomike, ato të ardhura u shkojnë për të blerë këto gjëra.

E kuptoni pra se ku është katandisur?

Kjo është shkaku absolut i largimit masiv të shqiptarëve.

Ne e themi dhe e themi të vërtetën se janë një seri shkaqesh, por shkaku i të gjitha shkaqeve është mospasja.

Më kujtohet në vitin 1990, një komshi, e kishte djalin punëtor dhe i thotë i birit nënës së vet, më blej një këmishë. Nëna i thotë nuk kam. Iku dhe u fut në ambasadë.

Sot nuk ka nevojë të futesh në ambasadë, ikën jashtë. Paç fatin tënd, gjej jetën tënde se nuk kam.

Nuk duhet të mendojmë se po këta janë pensionistë, ose këta janë kaq përqind apo aq. Jo, jo. Këta janë dhimbja më e madhe sot, këta janë padrejtësia absolute.

Ne i kemi rritur rrogat 5 dhe 6 herë rrogat e larta. Shqipëria ka rroga 7 mijë euro. Po, po. Rrogat e larta janë rritur, kurse këta janë në një varfëri të frikshme.

Kështu që ne do të trokasim në çdo derë, duke paraqitur paketën tonë të emergjencës, ku vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro.

Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro.

Rrogën mesatare 1200 euro.

Pensionet do llogariten mbi 200 eurot.

Pra, një transformim, një përmbysje të plotë të shpërndarjes së të ardhurave.

A mund të bëhet kjo? 100 përqind.

Të kesh në tavolinë 8.2 miliardë, në një kohë kur fatura shkon 900 milionë maksimumi, pa diskutim që këto përmbysen vetëm duke vendosur raportin të paktën 50 përqind me 50 përqind investime për njeriun.

Por ti do investosh edhe më shumë.

Shqiptarët, për fat jo të mirë, nuk e kanë të qartë shkallën e tmerrshme me të cilën vidhen ata.

I vëllai i Erion Veliajt, vitin që i vëllai iu bë kryetar bashkie, bleu me 100 euro një kompani. Sot është me 32 milionë euro. Tendera të fituara që të gjitha në kundërshtim me ligjet.

Por ky është vetëm një shembull se si janë shpërndarë këto pasuri.

Në 14 lote, 14 kontrata firmos Belinda Balluku për 13 kilometra unazë të Tiranës. Nuk ka në planet, kjo është për Gines.

Po ne kemi ndërtuar Rrugën e Kombit 64 kilometra, një kompanie dhe e ka përfunduar brenda dy vitesh. Kemi përfunduar rrugën Ibë-Bradashesh për 20 muaj një kompani.

Ajo të nesërmen shkon atje, merr një buldozer dhe një skrap dhe duket sikur po punon vetë e thotë se unaza do përfundojë brenda këtij viti, paçka se e ka trupëzuar edhe në buxhetin e vitit 2027 punimet në unazë.

Pra, paratë që të gjitha janë. Nuk ka asnjë vështirësi.

Dhe unë ua them ju, këto premtime janë me rezerva. Askush të mos mendojë se janë maksimalizma. Unë personalisht bëj atë që mund të realizoj. Por prapë jam i bindur se këtu ka rezerva.

Sigurisht ne duhet të shkojmë tek çdo biznesmen i vogël, ata janë, jo vetëm këtu, por edhe në vendet e zhvilluara, gjenerator i punësimit dhe mirëqenies, programin e tyre do e bëjmë së bashku me ta.

Imagjinoni ju sa e padrejtë është kjo shoqëri. Ia shet pensionistit me 150 euro ose 180 euro energjinë elektrike me të njëjtin çmim që e blejmë ne. Nuk mund të ndodhë kështu.

Çdo shtet që ka një dimension njerëzor, atij ose ia jep falas, ose ia jep me një çmim qartësisht në proporcionin më të ulët se ai që ka rrogën.

I shitet uji me të njëjtin çmim dhe tarifë. Tani kanë vendosur në disa bashki më të varfrat të dyfishojnë çmimin e ujit.

Bizneseve ne do ua ulim çmimin e energjisë elektrike. Po!

Shqipëria është vend me suficit në prodhimin e energjisë.vjet janë prodhuar 9 miliardë kilovat orë. Sivjet mund të prodhohen 10.

Strategjia që zgjodhëm ne për Shqipërinë si superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon po funksionon.

Sot, mbi 60 përqind e energjisë prodhohet nga HEC-et e reja.

Natyrisht duhet të jenë shqiptarët që përfitojnë më shumë nga kjo.

Energjia vidhet. Meqenëse këta vidhnin në mënyrën më të papërmbajtur, ndërkombëtarët ndërhynë për të ngritur bursën. Por pyet Lubia për bursën? Mos e pyet, është e papërmbajtur.

Nuk shet në bursë se do vjedhë.

Nuk blen në bursë se do vjedhë.

Pra, u ndala në vetëm disa elementë për të faktuar se fondet që të gjitha janë. Absolutisht dhe ato amendamente që dorëzuam në parlament do votohen të gjitha tremujorin e parë pas inaugurimit të qeverisë së ardhshme.

Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që këtë bisedë ta bëjmë me mbarë shqiptarët.

Ne do të zgjidhim këtë lak që ngushtohet çdo ditë e më shumë në fytin e pensionistëve të Shqipërisë, të atyre që marrin rroga të ulëta, të atyre që marrin ndihmë ekonomike, që nuk marrin asgjë pothuajse.

Natyrisht shërbimet do jenë një qëllim madhor.

Nuk ka ndëshkim më të merituar se sa për atë që lë të sëmurët të vdesin jo nga sëmundja, por se nuk u jep ilaçet që e mjekojnë, e shpëtojnë.

Po ta analizosh këtë qëndrim që mbahet ndaj të sëmurëve në onkologjik, as stalinistë, as nazistë, as talibanë nuk mund të pranojë të ketë një qëndrim të tillë ndaj atij spitali.

E them këtë se këta që mbajnë këtë qëndrim, këta harrojnë se 80 përqind e atyre të sëmurëve po të mjekohen, mjekohen. Ajo është sëmundje e rëndë, por mjekohet, luftohet.

Dhe nisen nga mendësia çnjerëzore se nuk mjekohet. Prandaj munguan, nuk munguan ilaçet, nuk ka një gjë.

Po Shqipëria ka çdo lloj kushti t’u blejë çdo lloj ilaçi dhe çdo lloj aparature.

Po kështu shkollat.

Pra, në tërësi ne do u flasim shqiptarëve për jetën e tyre të përditshme, për gjendjen e tyre ekonomike të përditshme.

Do t’i garantojmë se pasuritë publike do shndërrohen në mirësi për ta.

E patë ju Lubinë, u bë një zëdhënëse e Kastratit, kishte hipur në një podium aty dhe recitonte se u bënë 10 milionë pasagjerë. Dhe ky ishte suksesi i saj.

Një turist si në asnjë vend tjetër i kushton atij pensionistit, të punësuarit, të papunit, biznesmenit, 230 euro në vit.

Kurse ai merr prej turistit 4 euro në vit. Kjo nuk ka rëndësi, sepse Edi Rama me investitorët e tij strategjike shpenzon çdo vit 430 milionë euro për të mbështetur investitorët e tij strategjikë, në një kohë kur shitjet e përgjithshme dhe fitimet nga turizmi ishin gjithsej 8 milionë euro.

E kuptoni se ç’ndodh apo jo?

Kurse këta i kanë shndërruar tele-droga i kanë bërë, nga mëngjesi gjer në darkë vetëm për turizmin flasin për të narkotizuar qytetarët.

Nuk po ngjallim frymë anti-turizëm, por ky është sistemi që kanë vendosur këta.

Nuk ka shfrytëzim më të egër se ky.

Pra, janë emergjente këto ndërhyrje.

Së fundmi, unë dua t’u falënderoj ju dhe të gjithë ata që e shndërruan protestën në çështjen kryesore.

Protestat e organizuara, rezistenca, qëndresa kanë pasur një shpërblim botëror.

Nga forca politike më e izoluar, sikur të ishim ne Partia Komuniste e Koresë së Veriut, në një kohë kur ne ishim partia që po luftonte ditë e natë për vlerat e lirisë, familjes, dinjitetit, integrimit euroatlantik.

Të gjitha këto bënë që zëri juaj të dëgjohet kudo dhe ajo mjegull me të cilin në mënyrën më të pamerituar na kishin mbështjellë, u shkri, u zhduk.

Një mirënjohje të madhe të gjitha forcave të qendrës së djathtë në Europë, SHBA, Azi, Afrikë, Oqeani dhe kudo, të cilët në një hark kohor më pak se 1 mujor, kanë votuar tre rezoluta, që të gjitha duke denoncuar ato çështje për të cilat ju keni protestuar.

Edi Rama është në rreth të kuq.

Ju garantoj se ata që i japin dorën, do mendohen dy herë, për të mos thënë se do e dezinfektojnë fill pasi t’ia japin.

Ndaj dhe këto rezoluta e rrisin shumë përgjegjësinë tonë para miqve tanë në botë.

Ata presin nga ne që të çlirojmë shqiptarët nga narkodiktatura.

Me rrugën që kemi zgjedhur, mosbindjen civile.

E them edhe njëherë, diktaturat hiqen ose me armë, ose me mosbindje civile.

Ne nuk jemi për gjakderdhje dhe armë. Jo. Ne jemi për mosbindje civile, kjo është rruga jonë. Kemi qenë dhë të tillë do mbetemi. Jemi parti demokratike.

Por të mos mendojë kush se mund t’i rezistojë mosbindjes civile.

Ndaj dhe e sollëm gjer këtu, tani është vrapi drejt fitores.

Drejt fitores do ecim me një dialog intensiv me shqiptarët për problemet e tyre dhe me një protestë të fuqishme, një mosbindje civile që do e lemerisë çdo ditë e më shumë narkodiktatorin Edi Rama dhe organizatën e tij kriminale.

 

About Krye Redaktor

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …