Josip Iličić, i cili gati sa nuk i dha fund karrierës për shkak të depresionit, u rikthye të luajë një ndeshje me kombëtaren e Sllovenisë pas 955 ditësh. Ai foli gjatë për karrierën dhe problemet e tij, si dhe për muajt e parë të Kylian Mbappésë te Real Madridi.
“Mendoj se ka një keqkuptim thelbësor. Në rastin e Mbappésë shohim një lojtar që gati sa nuk fitoi Topin e Artë. Tani po përpiqet të përshtatet si sulmues qendror dhe nuk e shoh mirë në atë pozicion. Vërehet që ai gjithmonë kërkon të hapet në zonën ku është Vinícius Júnior, dhe, sinqerisht, këtë e prisja. Ai po vuan shumë si sulmues i qendrës, ka më pak hapësirë dhe pak mbështetje për t’u çliruar. Kësaj i shtohet presioni dhe pritshmëritë e mëdha.
Njerëzit prisnin ta shihnin të bënte atë që bëri Cristiano Ronaldo, por kjo është e pamundur. Messi dhe Ronaldo ishin nga një tjetër planet. Përveç kësaj, në Francë ai ndihej më i mbrojtur. Te Real Madridi, kërkesa është maksimale dhe, për sa kohë që nuk shënon gola, nuk vlen asgjë. Real Madridit i mungon një pikë referimi në sulm, një Benzema, që di të luajë edhe me shpinë nga porta, një aspekt ku Mbappé ka vështirësi të mëdha. Shpresoj që të vuajë edhe në Bergamo,” tha ai në një intervistë për ‘AS’, duke iu referuar përballjes mes Real Madrid dhe Atalantës, ish-klub i tij, në raundin e gjashtë të Ligës së Kampionëve.
Lojtari ndërkombëtar slloven kujtoi kohën e Covid-19 dhe periudhën e vështirë që gati sa nuk e bëri të tërhiqej nga futbolli.
Ish-‘ylli’ i Atalantës kaloi një fazë të keqe, por falë përpjekjeve për rikuperim, u rikthye të luajë për Slloveninë pas 955 ditësh:
“Fillova të ndieja diçka ndryshe tek vetja. Nuk po e përballoja më. Nëse nuk je mirë mendërisht, nuk qëndron dot fizikisht. Dhe, nëse nuk mund të jap gjithçka, preferoj të bëj një hap prapa. Nuk e pranoja të isha në stol dhe futbolli nuk është vetëm para. Përndryshe, do të kisha shkuar në Kinë ose në Arabinë Saudite. Futbolli është dashuri. Që kur kam nisur të eci, topi ka qenë gjithmonë me mua. Pas një muaji izolim, i kërkova klubit të largohesha. Po vuaja shumë pa familjen time,” tregoi Ilicic.