Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi para të rinjve të FRPD-së, se demokratët janë patriotë. Berisha tha se, midis të gjitha dashurive, dashuria për vendin është më e fuqishmja.
“U ndala te kjo se ne mbrojmë ato vlera të traditës që janë të përjetshme, janë sa tokësore, aq edhe hyjnore.
Mbroni familjen. Në mijëvjeçarë është votra e shoqërisë njerëzore, është qeliza e shoqërisë njerëzore.
Sot, që kur njeriu i qytetëruar besoi tek një Zot dhe një familje, përsëri familja u vu në tavolinën e operacionit të të ashtuquajturve progresistë. Po kujtuat fjalën progresistë, përkthejeni automatikisht mashtrim në kokën tuaj. Nuk ka asgjë të përbashkët me përparimin, ka gjithçka vetëm me mashtrimin.
Mirë që u ngritët, u ngritët për këto vlera se erdhi një moment prove e rëndë për PD-në.
Absolutisht ju ishit midis të parëve që bëtë zgjedhjen tuaj dhe vendosët si liderë të vërtetë.
Kryesia juaj, drejtuesit tuaj, por edhe ju i ndoqët pasivisht dhe qëndruat në anën e vlerave.
Për ne një vlerë eprore është atdheu, është interesi kombëtar.
Ne jemi patriotë, tani po të më pyesni mua, nga gjithë eksperienca e gjatë e jetës sime, çfarë mund t’u them unë ju?
Nuk ka asgjë më të fuqishme se dashuria. Dhe nuk them asgjë të re këtu se kjo, pikërisht ky besim e bëri Nënë Terezën sa qiellore, aq tokësore.
Por unë një gjë mund t’u siguroj se midis të gjitha dashurive, dashuria për vendin është me e fuqishmja.
Dua t’ua përsëris, se e kam thënë herë tjetër dhe nuk më vjen mirë kur përsëris veten, në kohë lufte kërkohet të sakrifikosh, jashtë lufte nuk ka asnjë burim më të fuqishëm motivimi për ju, për çdo njeri se sa dashuria për vendin, ajo që ti ndjen detyrim të kontribuosh në lartësimin e tij, në zhvillimin e tij, ta shohësh atë çdo ditë dhe më të bukur. Kjo është një vlerë e konservatorëve, këtu qëndrojmë ne, ne jemi atdhetarë, jemi patriotë dhe ju e keni dëshmuar këtë”, tha Berisha.