Kërkesa e PD për Qeveri teknike bëhet çështje edhe në Bruksel

Gjendja e përkeqësimit të demokracisë në Shqipëri ishte një nga çështjet e diskutuara në Bruksel në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane.

Zëvendëspresidentja e EPP Women, Albana Vokshi, i ngriti problemet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, persekutimit të lidershipit te opozitës dhe kërkesën për qeverinë teknike para zgjedhjeve gjatë Kongresit të EPP Women. Duke marrë shkas nga tre rezolutat e fundit të miratuara nga organizatat më të rëndësishme politike të partive të qendrës së djathtë në Europë dhe SHBA, zonja Vokshi përmendi tre gjetjet kryesore të rezolutave për Shqipërinë:

*Regjimin autoritar dhe të korruptuar në Shqipëri;

*Kontrollin absolut të Kryeministrit Rama mbi të gjitha pushtetet dhe politizimin e sistemit të drejtësisë

*Përdorimin e drejtësisë si armë për persekutimin politik të opozitës.

“Në Shqipëri, një person, kryeministri, ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij, dhe i ka reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Vetëm 5 muaj para zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik ndaj liderëve të opozitës është intensifikuar me burgosje dhe akuza të motivuara politikisht, përfshirë kryetarët e lartive kryesore të opozitës, Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, si dhe burgosjen pa prova të kundërshtarëve politikë Ervin Salianji apo Fredi Beleri”, tha zonja Vokshi gjatë fjalës së saj në Kongresin e EPP Women, ku ajo ngriti shqetësimin e lidhjeve të thella të qeverisë me krimin e organizuar.

“Korrupsioni i shfrenuar dhe lidhjet mes udhëheqjes socialiste dhe krimit të organizuar, siç është zbuluar nga autoritetet belge dhe franceze, janë alarmante. Kartelet e drogës shfrytëzojnë Shqipërinë për pastrim parash, ndërsa përgjimet kanë zbuluar marrëveshje për blerjen e votave intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve,” u shpreh zëvendëspresidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane.

Albana Vokshi tha se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të garantojnë që Shqipëria të pranohet si e barabartë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ajo njohu Kongresin e Grave të EPP-së me kërkesat e rezolutave të miratuara për krijimin e një qeverie teknike sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. “Nëse nuk ke të drejtën për të votuar lirisht, të gjitha të drejtat e tjera janë një iluzion. Nuk ka demokraci reale, nuk ka stabilitet të vërtetë!” theksoi zonja Vokshi, e cila u bëri thirrje pjesëmarrëseve për mbështetje në përpjekjet për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.

EPP Women në Bruksel përfundoi me një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për Shqipërinë dhe sfidat që ajo përballet, duke theksuar përkushtimin e PPE për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe vlerat europiane. Në punimet e kongresit morën pjesë  figura të shquara nga politika evropiane, përfshirë Komisioneret Dubravka Suica, Jessika Roswall dhe Henna Virkkunen, si dhe eurodeputete nga vende të ndryshme të BE-së.

PD u përfaqësua nga znj. Albana Vokshi, Kryetare e LDGSH dhe Zëvendës Presidente e EPP Women, si dhe znj. Elda Hoti, deputete e PD.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mjeros dhe lëpirësve që u revoltuan për këtë foto!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ndaj atyre “mjeranëve” që u revoltuan pas publikimit …