CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82

Kuçana: Rama dhe Veliaj po uzurpojnë pronën e Universitetit të Tiranës ku janë 30 mijë studentë!

Deklarata e anëtares së Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana

Studentët shqiptarë, bijat dhe bijtë tuaj, do të paguajnë kostot e samiteve-qoka të Edi Ramës dhe delirit të tij të madhështisë, dhe synimeve private për të cilat është gati të sakrifikojë gjithçka publike.

Kostoja e radhës e kësaj politike personale dhe delirante është Kampusi Universitar i Tiranës, i projektuar që në vitin 2011 nga Qeveria e Partisë Demokratike.

Kryeministri Berisha kërkonte që studentët shqiptarë të Universitetit te Tiranes te kishin zgjerim te kampusit te tyre, me mjedise të përshtatshme, si të gjitha kolegjet dhe universitetet në Europë apo Amerikë. Për këtë ai mirati projektin për ngritjen e kampusit universitar në pronat e Universitetit të Tiranës, mes fakultetit të Ekonomisë dhe qytetit Studenti.

Në përfundim të procedurave të gjata të aplikimit, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen zhvillimore komplekse me Vendimin nr. 1 datë 29.5.2013, për ndërtimin e objektit: “Shtese ambiente për Universitetin e Tiranës”, thënë ndryshe kampusi universitar.

Me humbjen e pushtetit në vitin 2013, projekti i kampusit universitar u shpërfill, por jo toka ku do të ngrihej ky kampus.

Në vitin 2019 Edi Rama vendosi t’ja merrte pronarit të ligjshëm, Universitetit publik të Tiranës dhe të bënte qokën e radhës për Frederika Mogherinin duke ia kaluar pronën Kolegjit të Europës.

Partia Demokratike është pro çdo nisme për arsimin e mirë dhe solid, sidomos kur vjen nga institucione europiane dhe të Bashkimit Europian.

Thënë këtë, përdorimi i pronës së Universitetit mbi të cilën ishte projektuar ndërtimi i një kampusi universitar, aq të dëshiruar dhe aq të vonuar për studentët shqiptarë, është një akt papërgjegjshmërie, pandjeshmërie dhe korrupsioni politik të Edi Ramës.

Për ta futur në legalitet veprimin e tyre korruptiv, Rama dhe Veliaj, me ndihmën e institucioneve të kapura e kanë kaluar pronën ‘me letra’, nga Universiteti i Tiranës te Ndërmarrja e Trajtimit të Studnetëve nr. 1.

Duke e zhvendosur pronën nga një institucion me autonomi, të parashikuar në ligj, te një ndërmarrje në varësi të administratës shtetërore, Rama ka dashur të heshtë çdo mospajtim të trupës akademike dhe studentore, si dhe “të rregullojë letrat”.

Universiteti i Tiranës ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative të shkallës së parë Tiranë, e cila nuk është pranuar dhe momentalisht çështja ndodhet në gjykim në Apelin administrativ, sipas ankimit të bërë nga drejtoria juridike e UT.

Partia Demokratike, e cila kur ishte në qeveri dha lejen dhe projektoi kampusin universitar, kërkon që kjo pronë t’i kthehet Universitetit, institucionit që i takon. Për Kolegjin Europian të Tiranës, një institucion i mirëpritur, të gjendet një hapësirë diku tjetër, në qindra prona publike në varësi të bashkisë ose qeverisë.

Studentët dhe pedagogët shqiptarë meritojnë kampusin e tyre dhe ne do t’i mbështesim pandërprerë në të gjithë betejën dhe të drejtën e tyre.

Bashkë me këtë deklaratë do t’i shpërndajmë medias një relacion të hollësishëm të të gjitha procedurave për kampusin universitar, si edhe të gjithë dokumentacionin përkatës.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Zero tolerancë krimit të organizuar! Çmimet e apartamenteve nuk i prek kush dot, shkak paratë e drogës!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp, denoncoi qeverinë për lejmin e investimit …