Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi denoncoi në seancën e sotme plenare vendimin e qeverisë, të iniciuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Bardhi tha se, ky vendim është marrë në mungesë të plotë transparence dhe pa dëgjuar shqetësimet e banorëve të zonës ku Balluku është deleguar si drejtuese politike e Partisë Socialiste.
“Dolën dje dy ministra dhe raportuan për vendimet që kishte miratuar në datën 18 dhjetor Këshilli i Ministrave dhe i vetmi vendim që nuk u raportua ishte kjo vendimmarrje e fshehtë, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë konsultim me banorët për ndërtimin e një termocentrali në një zonë të banuar”, tha Bardhi.
Duke u ndalur te pasojat që sjell në mjedis, ndikimin te produktet bujqësore dhe shëndetin e banorëve të zonës, Bardhi theksoi kundërshtinë dhe protestat e vazhdueshme të qytetarëve ndaj këtij projekti.
“Kolegët që janë këtu nga qarku i Fierit e dinë shumë mirë që bëhet fjalë për një zonë nga më punëtore në Republikën e Shqipërisë. Një zonë që ka 700 hektarë me sera të ndërtuara me djersë dhe mund. Dhe papritur ata mësojnë se në mes të fshatit do t’iu ndërtohet një termocentral me pasoja të dëmshme në mjedis, produktet bujqësore, shëndetin dhe jetën e banorëve të zonës duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, u shpreh Bardhi.
Bardhi i bëri thirrje Ballukut që të shkojë t’i dëgjojë banorët e zonës, t’u japë llogari, duke i siguruar se opozita ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në krahun e tyre.