Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) është kthyer në një nga pikat më të nxehta të korrupsionit që lidhet direkt me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një mekanizmi të mirëorganizuar, tenderët e institucionit janë kthyer në burim përfitimi për një rrjet të mirëpërcaktuar zyrtarësh dhe biznesesh pranë Bashkisë.
Situata në UKT ka marrë një kthesë të re pas publikimit të emrit të ish-drejtorit të përgjithshëm, Elton Kacidhja, në komunikimet e WhatsApp-it të kompanisë “5D”, drejtuesit e së cilës janë nën hetim nga SPAK. Për të shmangur përfshirjen publike të Bashkisë në këtë skandal, më 25 tetor 2024, Veliaj bëri një rokadë të drejtuesve. Në krye të UKT u vendos Elda Muçi, e cila, pa kaluar as një muaj, u zëvendësua nga një tjetër emër i besuar i kryetarit, Kostandin Budurushi.
Tenderat që firmosen “sipas direktivave nga lart”
Megjithëse ndryshohen administratorët, mekanizmi mbetet i pandryshuar: Kryetari i Bashkisë përcakton çdo tender, ndërsa administratorët vetëm firmosin. Një shembull konkret është tenderi i fundit me objekt “Rinovimi i Suportit të Infrastrukturës Qendrore të UKT sh.a”, me një vlerë prej 190 milionë lekësh.
Prokurimi u nis më 16 tetor 2024 nga paraardhësi i Muçit, Elton Kacidhja. Gara u mbajt më 18 nëntor, kur Elda Muçi ishte në krye të UKT-së, dhe për tenderin kishte dorëzuar ofertë vetëm një kompani, C.C.S. SHPK, me një vlerë prej 181 milionë lekësh (pa TVSH). Pavarësisht se nuk plotësoheshin kriteret për një garë të hapur, procedurat u mbyllën më 2 dhjetor, kur Budurushi kishte marrë drejtimin.
Tenderi është konsideruar me “Flamur të Kuq” nga Open Data Albania, një shenjë që tregon risk të lartë për korrupsion.
Rrjeti i biznesmenëve dhe tenderët pa garë
Kompania C.C.S. SHPK, e cila fitoi tenderin e UKT-së, është një emër i njohur për kontratat e saj të majme me institucionet publike. Pronar i saj është biznesmeni Genci Likoskëndaj, i cili kontrollon disa kompani të tjera si “C.C.S. OFFICE”, “TETRA SOLUTION”, “CLICK” dhe “eOn”.
Përmes këtyre firmave, Likoskëndaj ka siguruar tenderë pa garë nga institucione të ndryshme, përfshirë Autoritetin Portual të Durrësit dhe AKSHI-n. Praktikat e tij janë një model i konsoliduar i përfitimit nga fondet publike përmes lidhjeve të tij të ngushta me politikën.
SPAK dhe heshtja për skandalet në UKT
Ndërkohë që Elton Kacidhja është thirrur disa herë nga SPAK për t’u marrë në pyetje, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë ndaj tij apo zyrtarëve të tjerë të përfshirë. Sipas burimeve, SPAK është ende në fazën hetimore, por mungesa e rezultateve konkrete ka ngritur dyshime mbi efektivitetin e prokurorisë në goditjen e korrupsionit në nivele të larta.
Mekanizmi i korrupsionit në Bashkinë e Tiranës
Skandali i fundit tregon se Veliaj ka krijuar një rrjet të organizuar për të kontrolluar prokurimet publike në UKT dhe institucione të tjera. Tenderët janë thjesht formalitete që përfundojnë në xhepat e biznesmenëve të lidhur me pushtetin, ndërsa administratorët firmosin pa asnjë pengesë.
Kjo situatë është një tjetër tregues i qartë se si Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Veliajt, funksionon si një makineri korrupsioni, ku pasuria publike shpërdorohet në mënyrë të pandërprerë./Publik/