Vuksani: Ministria e Bujqësisë, AKU dhe AKVMB përgjegjëse për krizën e pesticideve!

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani tha se, Ministria e Bujqësisë, AKU dhe AKVMB janë përgjegjëse për krizën e pesticideve.

Në një intervistë të sotme në SYRI TV, Vuksani e quajti një qëndrim të papërgjegjshëm hedhjen e fajit tek fermerët, duke përmendur paaftësinë e administratës shtetërore në përmbushjen e detyrave të saj.

Sipas Vuksanit, është detyrë e Ministrisë dhe institucioneve përkatëse të sigurojnë informimin e fermerëve dhe mbikëqyrjen e tregtimit të pesticideve të lejuara. Ai theksoi gjithashtu nevojën për masa më të forta kontrolli dhe monitorimi nga autoritetet shtetërore.

“Është një qëndrim i papërgjegjshëm i Ministrisë së Bujqësisë për të hedhur fajin tek fermerët për paaftësinë dhe për moskryerjen e detyrave të tyre funksionale.

Pra, është detyrë funksionale e Ministrisë së Bujqësisë dhe dy institucioneve të varësisë, AKVMB-së dhe AKU-së, të cilat janë përgjegjëse për sigurinë ushqimore të shqiptarëve dhe për sigurinë dhe ciklikën e frutave dhe perimeve, nga prodhimi në fermë deri në tavolinë.

Fermeri është i painformuar dhe nuk ka informacion se cila nga pesticidet është në listën e lejuar nga Bashkimi Evropian dhe cila nga pesticidet është në listën e ndaluar nga Bashkimi Evropian.

Në radhë të parë, Ministria e Bujqësisë, përmes eksencionit që ndodhet në çdo qark të Shqipërisë, duhet të informojë fermerët që nuk duhet të përdoret, për shembull, kloroprifozi, i cili është një substancë e nxjerrë nga qarkullimi nga Bashkimi Evropian që në vitin 2000.

Në radhë të dytë, është faji, e them me bindje, i Ministrisë së Bujqësisë dhe dy institucioneve të varësisë, të cilat lejojnë tregtimin e substancave të rrezikshme në territorin e Shqipërisë dhe i lejojnë ato të tregtohen në farmacitë bujqësore të cilat janë të licencuara dhe kontrollohen mbi bazën e planit të monitorimit vjetor.

Në të tretën, asgjësimi i produkteve të kthyer nga Kroacia, sidomos ngarkesa e parë që është kthyer më 29 nëntor, është bërë nga fermeri në kundërshtim me ligjin, pa pasur praninë e AKU-së, AKVMB-së, duhet të ishte e pranishme edhe Drejtoria e Tatimeve, si dhe Agjensia e Mjedisit Rajonal.

Pra, në të gjitha aspektet, Ministria e Bujqësisë, AKU-ja dhe AKVMB-ja janë në shkelje të ligjit dhe janë në moszbatim të detyrave të tyre funksionale, dhe atë që nuk mund të bëjnë vetë, duan t’ia ngarkojnë fermerëve”, u shpreh Vuksani.

About Redaksia

Check Also

Vendimi për mbylljen e Tik Tok-ut, dështim dhe mosmarrje përgjegjësi për vitin më të errët të arsimit!

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula Teatri i ministres së …