Përrallat e pseudo-profesionistëve

Nga Iva V.GRILLO

Nuk është e qartë përse bashkëshortja e Kryeministrit dhe televizioni ku ishte e ftuar zgjodhën pikërisht një ditë feste, ditën e Krishtlindjeve, për t’i mbushur mendjen publikut se zonja Rama nuk është gjë tjetër veçse një “profesioniste” që bën “punën” e vet…mesa duket edhe në ditë pushimi.

Duke mos u ndalur shumë tek vetë-lavdërimet direkte dhe indirekte që ishin konstante kryesore e kësaj interviste (vetë-lavdërime që profesionistët e vërtetë nuk kanë për zakon dhe as nevojë që t’i bëjnë), nuk mund të rri pa permendur të pavërtetat e mëdha që bashkëshortja e Kryeministrit i shiti publikut përsa i përket konfliktit të interesit.

  1. Zonja insiston se të qënurit si autore apo kontributore e raporteve mbi progresin e Shqiperise (nën qeverisjen e të shoqit) nuk është konflikt interesi sepse ajo: “është profesioniste, me integritet”, ndaj nuk ka vend për dyshime.

Në fakt, konflikti i interesit nuk ka të bëjë aspak me aftësitë apo dijet e dikujt në një fushë, por me pozicionin/lidhjet familjare e të biznesit/statusin e profesionistit- pozicione këto që mund t’a bëjnë produktin e vet profesional të njeanshëm, të ndikueshëm, jo-realist.

Ndaj pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve zonja është në konflikt të pastër interesi nëse bën vlerësime mbi performancën e qeverisë të bashkëshortit të vet.

  1. Zonja thotë që meqë ka punuar për 25 vjet me ndërkombëtarë, “ne jemi bërë si ata…ne jemi ata (?)…ndaj mos vini në dyshim aftësitë tona për të bërë filtrimin e konfliktit të interesit: filtrat i bëjmë ne”…tha zonja që rri në krah të kryeministrit , “për të mbështetur Edin”, siç shprehet ajo.

Se çfarë arrogance dhe bullizmi ka në pohimin e mësipërm është e panevojshme t’a shtjellojmë, sepse është e vetëkuptueshme.

  1. Zonja po kështu insiston se “standartet e punës/etikës na i kanë mësuar ndërkombëtarët”, ndaj ne si shqiptarë nuk kemi të drejtë dhe as “surrat” t’i vëmë në diskutim…

Një e pavërtetë e madhe kjo që i servir publikut partnerja e kryeministrit, sepse standartet e etikës e sigurisë asnjëherë nuk merren si të padiskutueshme në perëndim…përkundrazi ka shumë e shumë mekanizma e bilbil-fryrës ( whistleblowers) për “të ruajtur vreshtën nga brejtësit” si puna e rastit në fjalë.

Sesa e pavarur është zonja në gjykim doli qartë kur u pyet nga gazetari për raportin e lartë depozita/kredi në banka, tregues që flet qartë për një klimë pasigurie të investimeve në Shqipëri… pyetje që mori një përgjigje kodra pas bregut.

Po ashtu edhe për ekonominë informale dhe sektorin e ndërtimit, një lidhje e pamohueshme tashmë nga çdo ekspert, sado modest të jetë…zonja u shpreh se nuk mund të jepte një përgjigje se pastaj i binte: “të zeronte gjithçka …”. Besoj se e kishte fjalën që nuk mund të zeronte gjithçka që pretendon se ka bërë i shoqi…

Gjatë gjithë intervistës ishte i qartë toni arrogant dhe hakërryes me të cilën pushteti i flet publikut.

Sepse edhe kur nuk i flet direkt si pushtet, i flet nën petkun e “profesionistëve” me të cilët ndan kulmin e shtëpisë.

About Redaksia

Check Also

SPAK si kandidat socialist më 11 maj!

Nga Basir ÇOLLAKU Duket se Struktura e Posaçme më shumë po bën akte politike se sa …