Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin e organizuar nga dega e PD Kamëz theksoi se porti i Durrësit, një pasuri historike e shqiptarëve, po shitet dhe shndërrohet në një projekt për t’u shërbyer interesa të huaja, si ato të Dubait.
Berisha akuzon qeverinë për përdorimin e pasurive publike për përfitime personale, duke përmendur shembuj si ndërtimin e portit të ri me fonde të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa, sipas tij, qeveria është duke përfituar nga ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve luksoze.
“Shikoni miq, 3 mijë vite ka porti i Durrësit, u ka shërbyer shqiptarëve 3 mijë vite më radhë.
Çfarë bën Edi Rama tani?
Këtë, tha, do e bëj unë, Dubai City me Alabarin.
Po toka aty me ujin janë 1.4 milionë metër katrorë që me çmimin e tregut shkojnë 4 miliardë euro, pronë publike.
Mbyllni sytë dhe mendoni, nëse do i shisnim ato me çmimin e tregut, secili prej jush do merrnit dy rroga dhe pensione, për të mos thënë më shumë.
E kundërta, ky tani, përveçse e merr tokën për veten, Alabarin dhe çunat e Dubait që shkoi dhe i takoi, tani thotë se portin në Porto Romano do e ndërtojnë taksapaguesit shqiptarë.
Do jepni ju pra 1.3 miliard euro për të ndërtuar portin e ri, në një kohë kur ai ndërton dhe fiton 12.500 apartamente, 6 hotele me 6 yje dhe marinën.
Asnjë kolonizator, ju garantoj, asnjë pushtues nuk do guxonte të sillej siç sillet Edi Rama ndaj shqiptarë.
Ai port nuk do ndërtohet kurrë, ai 1.3 miliardë euro do u jepet ju rroga dhe pensione dhe nuk do jepen kurrë për ndërtimin e portit të ri, porti i vjetër është aty, porti i shekullit dhe mijëvjeçarëve.
Prandaj miq, ja që ne e kemi programin, e kemi ilaçet.
Ne shkojmë tek çdo qytetar dhe ulemi me të.
Por ama duhet të ulemi se ky program nuk është vetëm për demokratët, ky program është për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nuk mundet të jetosh në vendin me pasuritë më përrallore dhe të gllabërohesh në gropën e varfërisë.
Shikoni se ç’bëhet me ilaçet, një shtet që i lë të sëmurët t’i vrasin sëmundjet për mungesë ilaçesh.
A ka mundësi që ne të mos garantojmë ilaçet për njerëzit tanë? I vjedhin fondet se fondet janë.
Kjo është një bisedë shumë serioze që duhet të bëjmë.
Është jetikë të takojmë çdo shqiptar sot.
Ky regjim është një kalbësirë. Mos mendoni kurrë se ka hajdutë trima, hajdutët janë raca më frikacake.
Prandaj mjafton sulmi ynë për t’i rrokullisur këta.
Por ky sulm duhet të bëhet me çdo qytetar shqiptar me këtë program”, tha Berisha.
