Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjaliën e tij në takimin e organizuar nga dega e PD Kamëz, ku vlerësoi rezistencën dhe besnikërinë e demokratëve ndaj parimeve dhe vlerave që përfaqësojnë, duke theksuar se viti 2025 duhet të jetë viti i triumfit të opozitës shqiptare.
Berisha e cilësoi Partinë Demokratike si një forcë politike të pamposhtur, e cila ka mbrojtur kauza të drejta dhe është përballur me sfida të mëdha. Ai akuzoi qeverinë Rama për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me krimin, duke shtuar se këto akuza janë sot të faktuara edhe në nivel ndërkombëtar.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju demokratë të Kamzës, për të gjithë mbështetësit e PD të kësaj bashkie dhe në mbarë Shqipërinë kudo që janë sot.
Gëzuar festat, le të jetë viti 2025, viti i opozitës shqiptare.
Viti në të cilin PD, që u ngrit si Feniksi nga hiri në zenit, që u faktua para shqiptarëve dhe mbarë botës si forcë politike e pamposhtur, si forcë politike e cila mbrojti kauza të drejta, mbrojti vlera dhe parime themelore të njerëzve të lirë, si forcë politike që u përball me mafien më të rrezikshme të Europës, qeverinë shqiptare, por edhe mafien ndërkombëtare, ia doli sot të jetë forca kryesore politike e Shqipërisë.
Të jetë shumica politike e Shqipërisë.
Të jetë partia e përmbysjes së diktaturës së dytë në një hark kohor 32-vjeçar, ndoshta si kurrë ndonjëherë në histori ndonjë forcë tjetër politike.
Miqtë e mi, ne kaluam një provë të madhe të besnikërisë ndaj idealeve, vlerave dhe parimeve që besojmë.
Në, në tre vite i rezistuam një sulmi të paparë ndonjëherë, me të cilin po bëhej gjithçka që Edi Rama të kishte çdo pushtet në Shqipëri, përfshi opozitën.
U përdorën të gjitha format, por ja ku jemi sot, më të bashkuar se kurrë, më të fuqishëm se kurrë, më të fortë se kurrë, më të mbështetur se kurrë më parë.
Ju me dhjetëra qindra herë në takimet dhe mbledhjet tuaja denoncuat vjedhjet e paimagjinueshme të buxhetit dhe pasurive publike shqiptare nga qeveria.
Ju denoncuat shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë zgjedhore.
Ju denoncuat shkrirjen në një të krimit dhe pushtetit.
Ju denoncuat tradhtinë kombëtare ndaj interesave shqiptare të Edi Ramës.
Sot këto nuk janë më vetëm denoncime tuajat, por sot janë tre rezoluta ndërkombëtare, njëra prej të cilëve e firmosur nga 108 parti politike të qendrës së djathtë, tjetra nga 85 parti, të cilat i thonë mbarë botës se Shqipëria është një narkoshtet, se Shqipëria është vendi i narkodiktaturës me burgje dhe të burgosur politikë, se Shqipëria është vendi i farsës zgjedhore dhe i monizimit, se në Shqipëri shteti dhe krimi janë binom i pandarë, se në Shqipëri, korrupsioni ka rrokur qiellin dhe nuk përmbahet.
Pra miq, qëndruat dhe rezistuat për 3 vite.
Por sot regjimin e keni sjellë buzë varrit. Po.
Sot, në qoftë se ne jemi të bashkuar në respekt të plotë të mendimeve të njëri-tjetrit, ata po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ata kanë një përballje si çakejtë kundër njëri-tjetrit dhe gjuajnë njëri-tjetrin me krimet që kanë kryer vetë.
Kurse ne kemi përgatitur platformën me të cilën do të ulemi të bisedojmë me çdo qytetar të këtij vendi”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD