Nga e shtuna, kalimi në aksin Thumanë-Kashar do të jetë me pagesë, duke nisur me një tarifë prej 270 lekësh të reja për mjetet e vogla. Çmimi, i cili përfshin 2.52 euro me TVSH për automjetet e lehta, rritet në varësi të kategorisë së mjeteve, por përdoruesit denoncojnë abuzime me kursin e këmbimit nga kompania koncesionare “Gener 2”.
Dy projekte milionëshe për “Gener 2” në vetëm 12 ditë
Pavarësisht pakënaqësisë publike, Bashkim Ulaj dhe kompania e tij “Gener 2” vijojnë të përfitojnë nga qeveria e Edi Ramës. Brenda 12 ditëve, oligarku i njohur ka marrë dy projekte të mëdha me vlerë dhjetëra milionë euro.
1.TEC-i në Roskovec: Në mbledhjen e datës 18 dhjetor, qeveria miratoi ndërtimin e një termocentrali me kapacitet 170 MË në Roskovec, me një kosto ende të panjohur për publikun. Projekti do të realizohet nga një shoqëri greko-shqiptare, ku “Gener 2” zotëron 30% të aksioneve. Megjithatë, burime të brendshme thonë se kompanitë greke janë thjesht fasadë, ndërsa fuqia e vërtetë qëndron te Ulaj, i cili ka lobuar për këtë projekt prej dy vitesh.
Ndaj projektit ka shpërthyer kundërshtim i fortë nga banorët e zonave përreth Roskovecit, të cilët kërkojnë bllokimin e tij për shkak të ndikimeve mjedisore. Por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.
2.Segmenti Milot-Thumanë: Në mbledhjen e fundit të vitit 2024, qeveria miratoi një tjetër kontratë të majme për “Gener 2”. Segmenti rrugor Milot-Thumanë, pjesë e korridorit blu, do të ndërtohet përmes një koncesioni prej 44.6 milionë eurosh pa TVSH. Kontrata është dhënë një bashkimi operatorësh të drejtuar nga “Gener 2”. Projekti do të zgjasë 35 vjet dhe përfshin ndërtimin e një rruge 13.5 km të gjatë, nga nyja e Milotit deri te rrethrrotullimi i Thumanës.
Protestat dhe klientelizmi qeveritar
Banorët e fshatrave përreth Roskovecit kanë protestuar ashpër kundër TEC-it, duke paralajmëruar ndikime të rënda mjedisore dhe sociale në zonën e tyre. Por qeveria nuk ka shfaqur asnjë vullnet për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Në vend të kësaj, ajo vijon t’i japë projekte të majme oligarkëve të saj të preferuar.
Oligarkia përfiton, qytetarët paguajnë
Vendosja e tarifës në rrugën Thumanë-Kashar është shembulli më i qartë i filozofisë qeverisëse: qytetarët paguajnë, ndërsa oligarkët përfitojnë. Ndërsa shqiptarët do të detyrohen të paguajnë deri në 270 lekë për një kalim në këtë aks, oligarkët si Bashkim Ulaj përfitojnë miliona euro nga fondet publike dhe kontratat koncesionare.
Ky model qeverisjeje nuk është vetëm një barrë ekonomike për qytetarët, por një fyerje ndaj transparencës dhe barazisë, duke favorizuar disa të zgjedhur në kurriz të shumicës.