Marisa Nito, bashkëshortja e biznesmenit Elman Abulem ka mbërritur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime lidhur me hetimet që po kryhen nga SPAK, ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe familjarëve të tij për 4 vepra penale, përfshirë korrupsionin.
Ajo është paraqitur e vetme dhe pa prezencën e avokatit, për të dhënë shpjegime si person në dijeni për rrethanat e hetimit.
Sipas hetimeve të deritanishme, janë zbardhur komunikime të sipërmarrëses Nito dhe bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës, ku evidentohet një marrëdhënie tregtare krahas asaj të paraqitur si miqësore mes bashkëshorteve të biznesmenit Elman Abule dhe kryebashkiakut të Tiranës.
Pasi mori në pyetje për 5 orë kryebashkiakun e Tiranës, SPAK tha se hetimet janë ende në fazë paraprake, dhe se ishin gjetur prova për të paktën katër vepra penale, si “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.