Shteti Elektoral që kërcënon Demokracinë!

Nga Neada STANA

Në Shqipëri procesi zgjedhor ka hyrë në një spirale të rrezikshme ku burimet e shtetit përdoren si armë në duart e atyre që kanë pushtetin. Lufta për pushtet në Shqipëri ka marrë trajtat e një epike moderne, ku dy forca përballen: një “gjigant” me burime të pakufizuara, që përfaqëson makinerinë e Partisë Socialiste, e cila nuk heziton të përdorë shtetin dhe bandat si mjete elektorale; dhe një “grup trimash” të Partisë Demokratike, që sfidojnë këtë gjigant vetëm me armët e demokracisë, idealizmit dhe respektit për ligjin. Në këtë përballje, gjiganti nuk është thjesht një kundërshtar politik, por një simbol i abuzimit me pushtetin, i kontrollit totalitar mbi burimet publike dhe i një shteti të shndërruar në mjet të dominimit. Nga ana tjetër trimat e demokracisë janë ata që, me gjithë pengesat dhe pabarazitë, i përmbahen rregullave të lojës, duke qëndruar besnikë ndaj Kushtetutës, ligjeve dhe parimeve të ndershmërisë.

Kjo situatë është rezultat i kapjes së shtetit nga një grup i vogël interesash politike, që përdorin pushtetin për të forcuar kontrollin e tyre, shpesh në kurriz të interesit publik. Mungesa e një sistemi efektiv të drejtësisë, presioni ekonomik ndaj qytetarëve dhe frika e humbjes së vendeve të punës për punonjësit e administratës krijojnë një mjedis ku manipulimi dhe intimidimi bëhen norma. Në vend të një gare të lirë dhe të drejtë, proceset zgjedhore shndërrohen në një teatër kontrolli dhe abuzimi, që cenon thelbin e demokracisë. Në njërën anë kemi një fuqi që i ngjan një Autokracie moderne, ku shteti dhe krimi bashkëpunojnë për të ruajtur kontrollin. Në anën tjetër, një grup njerëzish që kanë vendosur të mos heqin dorë nga shpresa për një Shqipëri të drejtë të lirë dhe demokratike.

Makineria socialiste përdor bandat dhe burimet publike si armë të një lufte të padrejtë. Ata kontrollojnë administratën, policinë, financat dhe çdo aspekt tjetër të jetës publike, duke i shndërruar zgjedhjet në një farsë të legjitimitetit. Ky është një sulm jo vetëm ndaj opozitës dhe Partisë Demokratike, por ndaj çdo qytetari që kërkon të jetojë në një shoqëri ku vota e tij ka vlerë dhe ku zgjedhja është e lirë.Nga ana tjetër, Partia Demokratike përfaqëson shpirtin e asaj që demokracia duhet të jetë: një garë e ndershme, një debat idesh dhe një përkushtim ndaj interesave të popullit. Trimëria e saj qëndron në refuzimin për të përdorur të njëjtat mjete të padrejta dhe në insistimin për të respektuar ligjin dhe institucionet.Kjo përballje sjell ndër mend betejat klasike mes së mirës dhe së keqes, ku të mirët janë të armatosur vetëm me idealet dhe virtytet e tyre. I keqi përdor frikën, varësinë dhe korrupsionin si mjetet e tij kryesore, ndërsa trimat mbështeten në dashurinë për vendin dhe në besimin se drejtësia, sado e ngadaltë, në fund triumfon.

Në kundërshtim flagrant me Nenin 78 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon zhvillimin e fushatës zgjedhore brenda institucioneve publike dhe abuzimin me burimet shtetërore. Raportimet tregojnë për një fenomen shqetësues: administrata shtetërore po përdoret si një instrument presioni politik. Punonjësit e administratës shpesh detyrohen, nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës, të angazhohen në aktivitete që shërbejnë interesave të partisë në pushtet. Një shembull alarmant është detyrimi i punonjësve për të plotësuar formularë me emrat e pesë personave që ndodhen jashtë Shqipërisë dhe që angazhohen të votojnë për Partinë Socialiste.

Ky proces zhvillohet jo vetëm gjatë orarit zyrtar të punës, por edhe me presione të drejtpërdrejta për të siguruar “rezultate” që favorizojnë subjektin në pushtet. Kjo sjellje është një shkelje e hapur e dispozitave ligjore dhe një cënim i rëndë i të drejtave të punonjësve dhe të procesit demokratik. Ligji ndalon në mënyrë të qartë përdorimin e burimeve publike dhe të funksionit shtetëror për qëllime partiake, por në praktikë, administrata po kthehet në një vegël politike, duke shkelur parimin e paanësisë dhe neutralitetit institucional. Presioni ndaj administratës për të siguruar mbështetje politike jo vetëm që cënon etikën profesionale dhe të drejtën për një zgjedhje të lirë, por gjithashtu minon themelet e demokracisë.

Një administratë e depolitizuar dhe e paanshme është jetike për një sistem zgjedhor të drejtë, ku çdo votë është rezultat i një zgjedhjeje të lira, jo një produkt i frikës dhe manipulimit. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit, për të hetuar dhe ndëshkuar këto abuzime. Për më tepër, nevojitet një mobilizim i shoqërisë civile për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor, duke u bërë kundër përdorimit të shtetit për përfitime politike në kundërshtim me ligjin.

Në një demokraci të vërtetë, shteti duhet të jetë arbitri i paanshëm i garës, jo lojtari kryesor në fushë. Por, në Shqipëri, shteti është bërë instrument i një partie që sheh pushtetin jo si përgjegjësi, por si privilegj. Në këtë skemë, punonjësit e administratës, policisë dhe institucioneve të tjera janë shndërruar në marioneta, të detyruar të ndjekin urdhrat e një sistemi që i bën ata bashkëfajtorë në një farsë demokratike. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një luftë e pandershme, por një garë ku vlerat dhe idetë triumfojnë mbi frikën dhe manipulimin. Nëse ne, si shoqëri, lejojmë që makineria e padrejtësisë të vazhdojë të dominojë, atëherë rrezikojmë të humbasim jo vetëm demokracinë, por edhe shpirtin e kombit tonë.

Ne jemi trashëgimtarë të kësaj beteje, që duhet ta çojmë deri në fund. Është koha që demokratët dhe të gjithë qytetarët të mos jenë spektatorë, por protagonistë të një ndryshimi që do të rikthejë besimin te zgjedhjet dhe te shteti. Është koha që makineria e padrejtësisë të ndalet dhe që trimat e demokracisë, të udhëhequr nga Partia Demokratike, të kenë mbështetjen që meritojnë. Në këtë kohë vendimtare, PD është më shumë se një parti, është një front vlerash dhe shprese për të gjithë ata që besojnë në një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe demokratike.

Partia Demokratike do ndërmarrë reforma të mirëfillta per garantimin e pavarësisë dhe depolitizimit të administratës publike, duke forcuar dispozitat qe ndalojnë përfshirjen e saj në fushata zgjedhore. Ngritja e një komisioni të pavarur për monitorimin e emërimeve dhe shkarkimeve në administratën publike. Rritja e mbrojtes ligjore për punonjësit që denoncojnë presionet politike për vendin e punës, ngritja e një Task-Force të pavarur për parandalimin e manipulimeve zgjedhore, me përfshirje dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Përmirësimi i kuadrit ligjor për garantimin e pavarësisë së mediave dhe mbrojtjen e gazetarëve investigativë. Gjithashtu duhet krijuar një strukture e veçantë e pavarur pranë KQZ për të monitoruar përdorimin e burimeve dhe administratës publike gjatë fushatës.

Vetëm përmes këtyre masave do të sigurohet që qytetari shqiptar të jetë protagonisti i demokracisë, jo viktima e një makinerie abuzive shtetërore.Duhet të zgjedhim mes një shteti qëi  shërben popullit dhe një shteti që e përdor atë si mjet pushteti. Dhe për këtë, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç triumfit të drejtësisë, lirisë dhe demokracisë. Partia Demokratike, me respektin e saj për kushtetutën dhe ligjet, mbetet gardiani i këtyre parimeve dhe forca që do ta udhëheqë këtë betejë drejt fitores.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …