Berisha: Nuk do të ketë asnjë rrugë me pagesë në Shqipëri!

Programi jonë do t’i japë përgjigje gjendjes së mjerë të fshatit shqiptar sot!

Në fjalën e tij përshëndetëse në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, dega Lezhë, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha theksoi rëndësinë historike të këtij momenti për Shqipërinë dhe për qytetin e Lezhës. Berisha tha se, 34 vjet më parë, demokratët dhe studentët, në kushte të rënda, u angazhuan për themelimin e një force politike që do të sillte demokracinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Kryedemorkati, Sali Berisha theksoi se, ndërkohë që disa mendonin se Shqipëria duhej të mbetej si një vend i izoluar dhe diktatorial, PD arriti të ndryshonte rrjedhën e historisë, duke transformuar vendin dhe duke e çuar atë drejt integrimit në NATO dhe Këshillin e Europës. Berisha gjithashtu theksoi sukseset e PD-së, si përmirësimin e kushteve ekonomike dhe rritjen e nivelit të të ardhurave për shqiptarët, duke e bërë Shqipërinë një vend me të ardhura më të larta se disa shtete të tjera të BE-së.

Në fjalën e tij, lideri demokrat, Sali Berisha theksoi forcën dhe unitetin e Partisë Demokratike, duke deklaruar se ata që parashikonin zhdukjen e PD-së do të humbasin disfatën e merituar në 11 maj. Berisha krahasoi situatën e PD-së me atë të Donald Trump dhe të elitës amerikane, duke theksuar se ata që ishin shkëputur nga qytetarët humbën, ndërsa ai dhe PD-ja kanë mbetur të lidhur ngushtë me njerëzit.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi qeverisjen e kryeministrit Rama dhe ndikimin e Xhorxh Sorosit, duke thënë se ata mendonin se do të shkatërronin PD-në, por theksoi se partia është më e fortë dhe e bashkuar se kurrë. Berisha shtoi se ata kanë denoncuar në nivel ndërkombëtar vjedhjen e zgjedhjeve, narkodiktaturën dhe korrupsionin e qeverisë.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se PD është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, duke premtuar disfatën e atyre që parashikonin zhdukjen e saj në zgjedhjet e 11 majit. Berisha iu drejtua me tone të ashpra qeverisë së Ramës për varfërinë dhe keqadministrimin e burimeve shtetërore, duke sfiduar Ramën të shpjegojë para pensionistëve pse ata marrin kaq pak, krahasuar me vendet e tjera. Berisha bëri thirrje për bashkim dhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi një plan për të mbështetur pensionistët dhe ata me paga të ulëta, duke ofruar një “kartë konsumatori” që do të rikthejë mbrapsht TVSH-në dhe mundësojë rritjen e mundshme të të ardhurave deri në 450 euro. Berisha theksoi se rroga minimale do të rritet në 500 euro për të gjithë punonjësit, ndërsa qeverinë e kritikoi për taksën e lartë të naftës, e cila është dy herë më e lartë se në Kosovë dhe Maqedoni. Berisha akuzoi qeverinë për kontrabandën e naftës dhe ngriti pyetje mbi transparencën e menaxhimit të burimeve shtetërore.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoI qeverinë për privatizimin e shërbimeve të rëndësishme, si rrugët dhe energjia, duke e quajtur këtë praktikë të dëmshme për qytetarët. Berisha premtoi që rrugët kombëtare do të mbeten të menaxhuara nga shteti dhe se shqiptarët nuk do të paguajnë për to. Po ashtu, Berisha shqetësohet për falimentimin e fermerëve shqiptarë për shkak të konkurrencës më të fortë nga vendet e tjera, si Serbia, dhe premton mbështetje për bujqësinë. Kryedemokrati, Sali Berisha kritikoi ashpër shpërdorimin e fondeve publike për infrastrukturën dhe apelon për një bashkim të shqiptarëve për të ndryshuar qeverinë. Ai shprehu besimin se Shqipëria do të ketë një të ardhme më të mirë, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju demokratëve dhe demokratëve të qarkut të Lezhës të pranishëm në këtë sallë, dhe gjithë të tjerëve kudo që janë, në Shqipëri e jashtë saj, gëzuar 34-vjetorin e themelimit të PD-së të qytetit të Lezhës.

Një përshëndetje të përzemërt drejtuesve të degëve të PD-së, të Lezhës, Mirditës, Kurbinit, deputetëve të nderuar të këtij qarku, miqve e të ftuarve, anëtarëve të departamentit Brain Gain, të gjithëve ju.

Të dashur miq!

Mblidhemi sot për të përkujtuar një datë në të cilën lezhjanët e lezhjanët guximtarë, idealistë në kushte të rënda terrori, morën përsipër të themelojnë në Lezhën e Besëlidhjes, të firmosin një besë të re, një besë me demokracinë, me vlerat më të larta njerëzore, me lirinë, me dinjitetin njerëzor, me interesin kombëtar.

34 vite më parë, në Lezhë u themelua partia e idealeve më fisnike të shqiptarëve, idealeve të lirisë, vlerave më të arrira të njeriut, familjes, atdheut, besimit tek Zoti. Të gjitha këto në një mënyrë apo një tjetër të përjashtuara nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës për gjysmë shekulli.

34 vite më parë, e vërteta është se u nda historia, u ndanë epokat, dhe duhet të themi, shqiptarët, të cilët ishin indoktrinuar, ishin shtypur, kishin vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga izolimi, nga tirania e varfërisë, vendosën të dalin kundër këtij regjimi. Në këtë kontekst, secili nga ju duhet të jetë krenar me atë trashëgimi. Ai ishte një akt madhor guximi.

Vetëm 3 muaj më vonë nga themelimi i PD-së, kam qenë në Paris në Samitin e Bashkimit Demokrat Europian. Në atë samit në komunikatë është cilësuar Enver Hoxha, si Hitleri shqiptar i pasluftës, kurse prania e Sali Berishës, simboli i asaj çfarë ka arritur Europa. Sepse në rast se në vende të tjera diktaturat ranë njëra pas tjetër, e vërteta është se për Shqipërinë jo të paktë ishin ata që mendonin, le të mbetet si Kuba në brigjet e Adriatikut, në mënyrë që të tjerët, duke parë atë, një vend të uritur, të mos e ëndërrojnë më socializimin në Europë.

Por ky nuk ishte mendimi i studentëve në Tiranë, i demokratëve të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë.

Kanë kaluar 34 vite, pra sigurisht që ne duhet të bëjmë një vëzhgim në trashëgiminë tonë. Nëse forca tjetër ka trashëgimni krimin, terrorizmin, gjenocidin ndaj shqiptarëve, ka trashëgimni rivendosjen e diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjeve, pas 30 vitesh në rrugën e lirisë, PD ka trashëgimni transformimin e Shqipërisë nga një vend kolektivist në vendin e qytetarit të lirë, të iniciativës së lirë, pronës private.

Nga vendi më i izoluar në vendin e hapur, ndaj miqve në të gjithë botën, vendin e anëtarësuar në Këshillin e Europës, vendin që eci drejt BE-së dhe u anëtarësua në NATO.

PD ka dhe një trashëgimi tjetër të shkëlqyer. Kjo trashëgimi konsiston se për herë ndoshta në shekuj, Shqipëria doli nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, në vitin 2008 dhe përfundoi në vitin 2013 vendi i qytetarëve më mirë të paguar në rajon. Më mirë se dhe dy vende anëtare të BE-së që ishin Bullgaria dhe Rumania.

Natyrisht ne kemi gabimet tona dhe jashtë gabimeve nuk dalim ndonjëherë, por ajo që është tipari ynë, është realizmi.

Ne i shohim drejt në sy gjërat. Ne i njohim gabimet. Vërtetë skemat piramidale u zhvilluan nën qeverisjen tonë, por ne e dorëzuam pushtetin. E dorëzuam pushtetin nën parimin moral se, ne duhet tu faktojmë shqiptarëve se nuk kemi prekur një qindarkë të tyre.

Pra, u ndala në një gabim. Por gabime të tjera janë bërë. Por gjithmonë janë njohur dhe janë bërë përpjeke të mëdha për korrigjimin e tyre.

Ne kemi një meritë, kemi një meritë shumë të veçantë; ne kurrë nuk jemi ndarë dhe nuk ndahemi nga qytetarët. Jo.

Miqtë e mi. Ju i keni ndjekur zgjedhjet në SHBA. Edhe unë i kam ndjekur sigurisht. Çfarë keni parë aty? Keni parë e gjithë elita amerikane, i gjithë Hollivudi, mediat etj., me radhë në mbështetje të kandidatit kundërshtar të Donald Trump. Të gjithë humbën, pse humbën? Humbën se ishin të shkëputur nga qytetarët amerikanë.

Thelbi, absolutisht jo se amerikanët nuk admironin Tailor Sëift, apo yjet e Hollivudit, por e kishin të qartë se ata ishin për në Hollivud dhe jo për hallet e tyre.

E dinin mirë se për hallet e tyre ishte një njeri tjetër, një njeri që mediat e censuronin, një njeri të cilin të gjithë, për të mos thënë e gjithë bota kundër tij. Por një njeri që mendonte për amerikanët dhe ato 4 vite që kishte qeverisur u kishte dëshmuar amerikanëve se mendonte për ta, ekonominë dhe xhepat e tyre.

Ne vimë sot, pas një kalvari që kaluam në mënyrë të pamerituar. Kurrë nuk meritonim ne, ne kishim përmbysur diktaturën më të egër në Europë, kishim anëtarësuar vendin në NATO, kishim dyfishuar rrogat, pensionet, e transformuam vendin.

Por u sulmuam nga sundimi mafioz i Edi Ramës. U sulmuam nga kryemafiozi i planetit Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Ata menduan se do na zhduknin, por ata gabuan. Ja ku jemi ne sot më të bashkuar, më të fortë, më të fuqishëm se kurrë.

Na përçanë, u bashkuam.

Na e morën flamurin, ja ku e kemi më krenar se kurrë në jetën e tij.

Na arrestuan, ja ku jemi sot më të fortë se asnjëherë.

Pra miq, ata të cilët kishin parashikuar zhdukjen tonë, me 11 maj do të marrin disfatën e merituar.

Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitoren tonë.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për grabitjen e zgjedhjeve.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për narkodiktaturën.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për vjedhjet e tmerrshme, pasi qëndruam dhëmb për dhëmb për çdo vjedhje të tyre.

Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitore, sepse jemi më të bashkuar, sepse kemi programin tonë, programin që i jep përgjigje çdo qytetari.

Të dashur miq!

ADN-ja jonë është një ADN e veçantë. Ajo ka vlerat, ajo ADN është dashuria për vendin, për familjen, respekti për dinjitetin njerëzor, respekti për lirinë e tjerit, toleranca.

Ne jemi demokratë sepse jemi tolerantë. Kurrë mos e harroni këtë.

Nëqoftëse ne, nga dita e themelimit deri sot, erdhëm dhe shkojmë të sigurtë drejt fitores, sepse ne nuk ramë kurrë në kurthet e të tjerëve, por qëndruam tolerant ndaj mendimit ndryshe, ndaj qëndrimit ndryshe.

Dhe njëherë ua them unë këtu, kurrë mos qëndroni në një parti që nuk ju lejon të thoni mendimet tuaja, nuk është më parti e njerëzve të lirë ajo.

Por ne jemi dhe do të jemi të tillë.

Të dashur miq!

Pak muaj na ndajnë nga dita e zgjedhjeve. Ju garantoj se sot, fitorja është tërësisht në duart tuaja, në mundin dhe djersën tuaj. Por kjo fitore kërkon para së gjithash, se siç u bashkuat me njëri-tjetrin, të bashkohemi tani në një front të gjerë me shqiptarët.

Të bashkohemi me të gjithë shqiptarët që besojnë se zbrazja e Shqipërisë në këto 10 vite, është drama më e madhe në historinë e kombit shqiptar.

Largimi i shqiptarëve vetëm në BE nga 2014-2023 e 1 milion e 99 mijë shqiptarëve, është padiskutim goditja më e rëndë kombëtare që kanë marrë shqiptarët se në çdo pushtim e luftë dhe kjo erdhi nga diktatura e drogës e Edi Ramës.

Miqtë e mi!

Sot Shqipëria dallon shumë nga 1992, por Shqipëria në zbrazjen e saj është me keq se në çdo kohë të ekzistencës së saj. Sot gjithashtu varfëria nuk është një varfëri me dyqane bosh si në ’92, por varfëria është një varfëri me mollën e ndaluar të dyqaneve plote dhe është lemeritëse, dyqanet janë plot, por njerëzit nuk blejnë dot.

Nëqoftëse buka në vitin 2013 kushtonte 60 lek, sot kushton 1250 lek.

Se qumështi kushton dyfishin.

Se vezët kushtojnë mbi dyfishin.

Se të gjitha ushqimet kushtojnë në këtë vend nga 10 në 250 përqind më shtrenjtë se në Itali, Greqi se mesatarja e tyre në BE, në një kohë kur shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në Europë e ndër më të ulëtat në botë.

Si ndodhi kjo. Kjo ndodhi sepse këta qeveritarë që vjedhin, nuk ua ndjen kurrë për qytetarët, nuk duan të ja dinë kurrë se ekzistojnë.

Dua të ju jap një shembull.

Këtë vit buxheti ishte 8 miliardë e 200 milionë euro. Para të tëra të grumbulluara nga taksat që ju paguani në çdo gotë ujë që pini, në çdo litër qumësht që bleni.

Këto para në çdo vend të lirë u rishpërndahen qytetarëve, me rroga pensione, shkolla, spitale, rrugë, vepra të tjera. A mund të imagjinoni ju, se 780 mijë pensionistëve Edi Rama ju la për vitin 2025, 1 të 512 e këtij buxheti. U la 16 milionë euro. U la fondin mujor që gjermani le për qentë e shtëpisë. Njerëz që kanë shkrirë jetën, që kanë sjellë Shqipërinë gjer këtu, dhe tani i trajton në këtë mënyrë.

Dhe unë i them këtu para jush. Sa rri e flet me veten në makinë, fol sa të duash, por hajde të dalim shesh të burrave dhe ti themi njëri-tjetrit gjërat. Hajde urdhëro në televizion, se rregulli këtë ka.

Hajde të ulemi me ta dhe shpjegoju pensionistëve se pse pensioni në Mal të Zi që në vitin 2013 ishte më i ulët se në Shqipëri, sot është 450 euro. Si shkoi. Çfarë ka Mali i Zi, as të 1/20 nuk e ka.

Hajde shpjegoju pensionistëve se pse pensioni në Maqedoni është 280 përqind më i lartë se në Shqipëri.

Pse pensioni në Kosovë është 30-40 përqind më i lartë se në Shqipëri.

Po pse kryeministri i Kosovës, arrin të marrë 100 mln euro nga buxheti dhe ti vendosë në fondin e pensioneve, për të rritur 20% çdo pension. Dhe ti lë 16 mln euro. Çfarë janë këta, si mund të veprosh në këtë mënyrë.

Nuk del dot? Të vijë. Sigurisht që vjedh. Merr fund kjo.

Prandaj ju do të uleni me çdo pensionist dhe duhet ti tregoni kontratën tonë me çdo njërin prej tyre.

Së pari, nga këto 8 miliardë akti i parë, çdo shqiptar do të marrë 200 euro, do të marrë minimumin jetik.

Se ju jeni njerëz politik, çfarë do të thotë kjo. Nëqoftëse qytetari shqiptar merr 200 euro, në të gjitha standardet botërore nuk është më në mjerim. Në varfëri po, por jo në mjerim. Mjerimi zhduket, nuk ka varfëri ekstreme më.

Dhe ne do ta bëjmë 3 muaj e parë këtë. Jo vetëm kaq, por akoma më shumë.

Paguajmë ushqimet, njëlloj si pensionisti që merr një pension 120 euro, me rrogën time, rrogën e deputetit apo rroga të tjera.

Jo kjo merr fund.

Pensionisti nuk do ti marrë me të njëjtin çmim. Ai që është rrogë ulët nuk do ti marrë me të njëjtin çmim, do të ketë kartën e konsumatori me të cilën ai do ta marrë mbrapsh TVSH-në me 3 pensione të tjera, apo e barabartë me 450 euro.

A do ta ruajmë shoqërinë dhe kohezionin e saj, apo do ta bëjmë copa copa me varfëri e mjerim, dhe hendeqe. Sigurisht që do ta ruajmë.

Do të jepet karta e konsumtatorit.

Dua të rikujtoj pak këtu, se nga 505 mijë pensionistë me pension pleqërie, 57% janë me pension të pjesshëm, që do të thotë gjysëm pensionis, çerek pensioni. Që të gjithë 200 euro. Pa përjashtim.

Rroga minimale, do të vendoset 3 muajt e parë të jetë 500 euro në shtet dhe privat. Ne nuk i ndërhyjmë privatit në pagesa, por në rrogë minimale po. Sepse i ndërhyn çdo vend në botë. Në çdo vend, sipërmarrësi është i detyruar të paguajë një minimum për orën e punës, javën e punës dhe muajin e punës, dhe ky minimum në Shqipëri fillimi do të jetë 500 euro. Dhe ju garantoj se do të rritet dhe ky hap nuk do të ndalet gjersa ne do të dalim në krye të Ballkanit perëndimor për rrogat, pensionet sepse jemi vendi më i pasur.

Prap le ta ftojmë ne atë, le të flasë me veten në makinë, por të dalë dhe para qytetarëve të flasë, por nuk del dot.

Pyetja tjetër dhe po i them që këtu. Nuk po të pyes se ku janë 130 mln euro të inceneratorit se ku janë zhdukur, se t’i lemeriteshe ashtu. Por po të pyesim vetëm për problemet e qytetarëve.

Pse zotëri nafta në Kosovë, që e merr nga Porti i Durrësit, transportohet në Prishtinë dhe shitet 40% më lirë se në Shqipëri, se në Lezhë se në Durrës.

Çfarë ndodh?

Së pari çdo shqiptar paguan për litrin e naftës, ata që nuk kanë makinë dhe ata që nuk kanë makinë e paguajnë, në çmimin e ushqimeve, të transportit dhe çmime të tjera, i paguajnë qeverisë në mënyrë kriminale 1.1 euro për litër nafte.

Në SHBA vendin e tregut, litri i naftës shitet 1 dollar ose 0.8 dollar. Kurse ky taton litrin me 1.1 euro. Taton litrin e naftës 3 herë më shumë se Maqedonia, dy herë e gjysëm më shumë se Kosova. Kjo merr fund.

Ju jap dhe një shifër tjetër. Me 7 prill të vitit 2013, nafta në bursë kushtonte 97 euro. Në treg ishte 1400 lek. Me 7 prill të vitit 2022, nafta në bursë ishte 97.2 euro, në treg 2280 lek.

Faktor tjetër është kontrabanda qeveritare e naftës.

Të dashur miq le të vijë Rama të ua thotë qytetarëve, të ju thotë se si ka mundësi, Shqipëria me 870 mijë automjete këtë vit regjistruara. Kosova me 440 mijë automjete të regjistruara. Kosova zhdoganon 630 mijë ton naftë, Shqipëria zhdoganon 560 mijë ton naftë.

Që Shqipëria duhet të zhdoganojë minimumi 700 mijë ton naftë. E bën qeveria kontrabandën. Nafta nuk mund të bëhet kontrabandë nga askush tjetër veç nga qeveria. Gjemitë  me naftë i zhdoganon qeveria dhe të gjitha këto i ndan me qeveritarët.

Pra ja ku janë paratë. Tani ai e ka kuptuar dhe reciton Belind Ballukun nga mëngjesi deri në darkë, por le të recitojë kë të dojë, unë kam hallin e qytetarëve. Më falni, Lubi Ballukun, Lubi Lotin.

Çfarë ndodh tani. Ju thoni me çmimin më të lartë në Europë, jo vetëm naftën e blini, por për të ardhur nga Kukësi, Tropoja, Hasi, nga Kosova, vajtje ardhje paguani 15 euro. Kaq kushton bileta e Easy Jet nga Rinasi në Milano, në Roterdam, Berlin apo tjerë. Pra sa një biletë avioni paguani ju.

Merr fund. Asnjë qindarkë! Ua them unë këtu!

Ky është një akt jashtëzakonisht i lig. Kjo rruga që sot po i dorëzoj rrugët unë tek privati, nesër dorëzon ujin tek privati dhe ta çon në stratosferë se e ka privati.

Nesër do të dorëzojë dhe furnizimin me energji dhe do të lajë duart, do të ndajë paratë me ta.

Kurrë.

Rrugët kombëtare do të jenë të qeverisë dhe të publikut, nuk do të paguajnë shqiptarët asnjë qindarkë.

Por ka nga ata që pyesin me të drejtë, si do i mirëmbani ju keto? Sot shqiptarët paguajnë 190 mln euro për mirëmbajtjen e rrugëve taksa. 190 milionë euro, atëherë pse duhet ti marrin rrugët privati dhe të ju rrjepë juve me tarifa.

Akte të para heqja përfundimtare e tyre.

Miq!

Ne kemi një program për ti dhënë përgjigjen më të shkëlqyer gjendjes së mjerë të fshatit shqiptar sot.

Sot falimentimi i fermerëve është një nga gjërat më të dhimbshme. Po pse falimendojnë. Sepse hapi dyert në të gjitha anëtët me Ballkanin e hapur. Fermeri i Shumadisë që merr 15-20 herë financime më shumë nga qeveria serbe se, sa fermeri shqiptar që po thuajse nuk merr fare, vetëkuptohet se ai e ka çmimin të subvencionuar, dhe ky ka hapur dyert anë e kënd për mallrat e Serbisë dhe fermerët tanë falimentojnë.

Sa u ka lënë fermerëve? 44 milionë në 8 miliardë e 200 milionë euro dhe më shumë se gjysmën ua merr administrata. Atyre që përbëjnë 35-40 përqind të popullatës dhe japin 20 përqind të prodhimit. Merr fund.

Çdo prodhim bujqësor dhe blegtoral do të subvencionohet për njësi prodhimi.

Pra miq, po si do i realizojmë këto thoni ju?

Shumë e thjeshtë, do të përmbysim rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare.

Lubi Loti ka marrë këtë vit 16% të buxhetit, arsimi ka marrë 2.45 % të buxhetit, shëndetësia ka marre 2.65 % të buxhetit. Kurse ajo që me Edi Ramën ndajnë 13 km rrugë të unazës së re, në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë dhe ndërtojnë rrugë me çmim 10-12 herë më të lartë se sa çmimet në Kroaci dhe vende të BE-së.

Duke premtuar për ato që thashë, ju jap fjalën e nderit se ato që u ndërtuan në mandatin 2005-2013, të tjera shumë më të mëdha e rëndësishme do të ndërtohen gjatë mandatit të ardhshëm.

Me gërshërën e ligjit do i pritet dora hajdutit shtet.

Do ti them dhe këtij Pjerinit. Pjerin i dole zot Erion Veliajt. Ka qenë momenti më i sinqertë i jetës tënde, sepse të dy hajdutë njëlloj jeni, të dy një fat do të keni.

Ndaj dhe miqtë e mi, ju bëj thirrje të bëjmë çdo përpjekje, me çdo qytetarë të këtij qarku, pavarësisht nga bindjet e tij, pavarësisht se për ka votuar, pavarësisht se çfarë mendon për Sali Berishën dhe PD, etj., etj., të bashkohemi për të shpëtuar nga kjo e keqe e madhe që ka pllakosur këtë vend.

Nga ky regjim që po i rrjep, që ka krijuar një gropë të zezë, nga e cila shqiptarët, nga një vend i bekur është bërë një gropë e zezë, nga e cila shqiptarët largohen me shpejtësi për të shpëtuar prej saj, nga varfëria.

U garantoj se do të jetë e afërt dita kur ky vend të shtohet çdo ditë e më shumë në pasuri, në njerëz, në shpresë, në besim në të ardhme.

Ndaj dhe le të jetë kjo si një Besëlidhje mes të gjithë lezhjanëve, mes të gjithë shqiptarëve që 11 maj të jetë dita e ngadhënjimit të qytetarit shqiptar, e dinjitetit, lirisë, e shpresës dhe të ardhmes dhe unë ju garantoj se me programin tonë, ne do të realizojmë ndryshimin më të shpejtë që ka njohur Shqipëria në tërë ekzistencën e saj.

Rrofshi ju, rroftë populli i Lezhës.

Është radha jonë,

është radha jonë,

është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Çfarë po fsheh prokurori i laboratorit të kokainës të Xibrakës për Olsi Ramën?

Gazment BARDHI I njëjti prokuror që jo vetëm mashtroi publikisht, jo vetëm fshehu 4 persona …