U qetësova, s’qenka i sëmurë mendor

Nga Agim XHAFKA

Me zë e figurë e tha, nuk kam probleme të shëndetit mendor. E më pas, si gjithnjë aludoi, se këtë ia ka sajuar doktori, opozita dhe armiqtë e Shqipërisë. Armiqtë e shumtë, dmth.

E dëgjova dhe ah, sa u qetësova! I thashë vetes, nuk e paskemi të sëmurë kryeministrin. Gëzoka shëndet mendor të plotë. Por mendja ime, duke sjellë para syve se çfarë bëri e po bën mendja e tij e shëndoshë, nuk e përtypi dot pohimin që ai e tha faqe shqiptarëve.

Se një mendje normale nuk gënjen çdo ditë për 12 vite rresht. Pa u lodhur, pa iu dridhur qerpiku, pa iu skuqur faqja. I lëviznin veç protezat e dhëmbëve.

Se një njeri me tru në kokë nuk e mbush qeverinë dhe parlamentin me hajdutë e vrasës.

Se një njeri normal do të jepte dorëheqjen sapo zëvendësi i tij kërkoi azil politik në Zvicër.

Se i shëndoshi kur fiton votimet nuk sillet si humbës. Nuk bën reprezalje të vazhdueshme mbi pakicën.

Se një lider me mend nuk ndërmerr ligje për të favorizuar miqtë e vet. Ligje për emra e mbiemra të caktuar.

Se i shëndoshi punon të shëndoshë shoqërinë jo ta sëmurë atë.

Se shëndeti mendor i kryeministrit duket açik në shëndetësinë publike. Që u premtua falas dhe u zbatua e po zbatohet, të fala shëndetit.

Se njeriu me tru është njeri i drejtë, i dhimbsur. Jo xhahil që moshat e treta i trajton me pensione lëmosha.

Se boshatisja e vendit nga thuajse gjysma e popullatës flet për qeverisje të sëmurë.

Dje doli para popullit e tha që nuk kam probleme të shëndetit mendor. Populli që e dëgjoi qeshi. Tundi kokën e si përgjigje i recitoi vargjet e Dritëroit:

“Në vendin tim e në vendin tënd,

Një i çmendur një vend e çmend”.

About Redaksia

Check Also

Ç’po ndodh në Itali? Po lind një lëvizje e re politike kundër politikës?

Nga Alba KEPI “Një shesh për Europën” është një nga manifestimet më të fuqishme që …