DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARJA E KOMISIONIT TË APELIMIT NË PD, ADRIANA KALAJA
Kushëriri i Fatmir Xhafajt, shkatërruesi Armand Lilo, një nga të preferuarit e Erion Veliajt për leje kullash, ndërton banesa edhe në tarracat e pallateve duke krijur rreziqe për jetën e banorëve, duke shkelur ligjet dhe duke shperfillur ankesat e drejta të qytetarëve.
Në një nga pallatet e ndërtuar nga firma “Arlis” e Armand Lilos në zonën e Astirit, në tarracë, po ndërtohet një tjetër banesë, ngjitur me ekzistuesen.
Banorët e shqetësuar i janë drejtuar institucioneve me shkresa zyrtare për të ndaluar këtë ndërtim, pasi përbën rrezikshmëri për shembjen e pallatit, por punimet vazhdojnë pa asnjë pengesë.
Më datën 16 dhe 17 dhjetor 2024 banorët kanë njoftuar Policinë Bashkiake të Tiranës, policia ka shkuar dhe e ka verifikuar, por sapo u është përmendur emri i ndërtuesit, policët u kanë thënë punëtorëve “vazhdoni punën, por me ngadalë, mos bëni zhurmë se janë ankuar këta poshtë”.
Punonjësit e policisë bashkiake u kanë thënë banorëve se, “nuk po bëhet ndërtim pa leje, por rikonstruksion i banesës ekzistuese”.
Më dt. 6 janar dhe 8 janar 2025, banorët kanë bërë dy ankesa zyrtare në IMT e Bashkisë Tiranë, por nga ky instiucion nuk është ndërhyrë.
Më datën 9 janar, njëri nga banorët që banon në katin poshtë tarracës së pallatit, ka shkuar në Komisariatin e Policisë nr.6, Kombinat. Punonjësit e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar ndërtimin pa leje në tarracën e Pallatit, por nuk kanë marrë asnjë masë, duke deklaruar se, ndalimi i ndërtimeve pa leje është kompetencë e IMT e Bashkisë Tiranë.
Përveç rrezikut të shembjes së pallatit, 4 familjeve që jetojnë në ndërtesat poshtë tarracës u është futur uji në banesa si pasojë e shiut. Ata janë drejtuar edhe tek njësia bashkiake nr.14 dhe aty u është thënë se do ta dërgojmë ankesën tuaj tek IMT.
Banorët kanë ngecur në këtë pingpong të institucioneve që në vend që të mbrojnë ata sipas ligjit, i janë bërë mburojë ndërtuesit që shkatërron, Armand Lilo.
Turp për ta dhe faqja e zezë për drejtësinë e kapur që i lejon hallexhinjtë ti vdesin në derë dhe u lë hapur portat e vjedhjes dhe abuzimit, pushtetarëve dhe ndërtuesve që kanë fituar për vete dhe shkatërruar qytetin.