Rama ka dërguar një ushtri me patronazhistë në konsullatat shqiptare në shkelje të hapur të ligjit duke i kthyer këto zyra të përfaqësimit të shtetit shqiptar në zyra elektorale të PS. Vetëm në konsullatën e New Yorkut raportohen rreth 40 “patronazhistë”.
Në mbledhjen e zhvilluar sot në KQZ diskutimi mbi procesin e regjistrimit për votimin e emigrantëve u shoqërua me dabate. Partia Demokratike ka akuzuar PS për abuzime. Opozita i kërkoi KQZ-së të marrë masa, me akuzën se ambasadat po përdoren për fushatë.
PD tha në KQZ se mazhoranca po përdor për fushatë burimet publike, përfshirë edhe ambasadat. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka akuzuar këta të fundit se dega e PD në Angli jep ndihmë për regjistrimin në portalin e KQZ për të votuar më 11 maj.
Debati:
Franc Nuri: Ka staf diplomatik, nga niveli më i ulët deri në nivelet më të larta të ambasadave, konsullatave tona jashtë vendit që po keqpërdorin detyrat e tyre funksionale dhe janë duke u marrë me fushatë zgjedhore, me regjistrimin e emigrantëve në diasporë.
Elena Xhina: Nuk di raste të dokumentuara që mund të na jenë servirur dhe ne të shprehmi mbi to. Unë paraqes një rast të dokumentuar i publikuar në website të ndryshme ku thuhet se dega e PD në Angli jep ndihmë për regjistrimin në portalin e KQZ për të votuar më 11 maj.
Franc Nuri: Kjo vjen për shkak të vështirësisë së regjistrimit, se aktet që janë miratuar po rezultojnë se nuk janë kaq të thjeshta. Ne jemi parti në opozitë, nuk kemi asnjë burim shtetëror e asnjë burim publik, për rrjedhojë nuk kemi si të abuzojmë me këto burime publike.