Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës para medieve dhe qytetarëve tek godina e SPAK u shpreh se, ka përfunduar koha e Xhorxh Sorosit, që mori goditjen fatale, dhe sot inagurohet presidenti i ri i SHBA-së.
“Pra, gjatë kohës që qëndrova në këtë ndërtesë, gjeta aty Zaho Kokën me dosjen e tij. Zaho po dëshmonte, i rrethuar nga disa OPGJ, për Olsi Ramën.
Ai kishte dorëzuar fotografi, video, të cilat faktonin se Olsi Rama është një kriminel trafikant dhe se ai bashkë me një bandë trafikantësh, erdhi nga Bostoni për të vazhduar trafiqet në Shqipëri.
Natyrisht pjesa më e madhe e ndërtesës përbëhej nga plehrat e inceneratorit të Tiranës. Ishin mbi plehrat këtu dhe shumë shpejt do i shihni edhe mbi çati.
Kriminelë të tjerë qarkullonin në seli. Ndaj dhe të vazhdojmë këtë betejë se ashtu siç iu thashë, këta anëtarë të bandës kriminale, që angazhohen në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, do kenë atë fat që meritojnë.
Kohërat nuk janë për diktaturat, koha e Xhorxh Sorosit mori goditje fatale dhe sot inaugurohet presidenti i ri i SHBA, Donald Trump.
Miqtë e mi, është radha jonë.
Në 76 vende, njëra pas tjetrës, të majtat kanë marrë ndëshkimin popullor si parti politike hajdute, si parti politike mashtruese.
I pamëshirë ka qenë verdikti i qytetarëve në 76 vende të planetit, ndaj të majtës mashtruese dhe hajdute.
I pamëshirë do të jetë verdikti i shqiptarëve ndaj të majtës kriminale hajdute, trafikante të Shqipërisë, pra, Edi Ramës dhe veglave të tij”, tha Berisha.