Presidenti i 47-të i ShBA, Donald Trump premtoi se do të kthejë lirinë e fjalës dhe kundërshtarët nuk do të përndiqen më politikisht, ashtu siç u përndoq ai.
‘Asnjëherë më fuqia e shtetit nuk do të përdoret si armë për kundërshtarët, diçka që e kam provuar në kurriz’, theksoi Trump gjatë fjalimit të tij në Kongres.
“Asnjëherë më fuqia e shtetit nuk do të përdoret si armë për kundërshtarët, diçka që e kam provuar në kurriz. Nuk do të ndodhë më kurrë nën udhëheqjen time, nën udhëheqjen time ne do të sigurojmë një sistem drejtësie të drejtë të paanshëm në kuadër të sundimit të ligjit dhe gjithashtu do të kthejmë ligjin dhe rendin në qytetet tona”, tha Trump.
Në fjalimin e tij si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shpalli një vizion të ri për Amerikën, duke theksuar se e pamundura është “ajo që dimë të bëjmë më mirë.”
“Ja ku jam sot. Njerëzit amerikanë kanë folur. Qëndroj para jush si provë që asnjëherë nuk duhet të besoni se diçka është e pamundur,” deklaroi Trump, duke i kujtuar kombit trashëgiminë e pionierëve që ngritën Amerikën mbi sakrifica dhe guxim.
Duke përmendur arritjet e mëdha të së kaluarës, si ndërtimi i infrastrukturës, fitoret mbi komunizmin dhe fashizmin, dhe përkushtimin ndaj lirisë, Trump u zotua të rindërtojë një vend që frymëzon krenari dhe unitet.
“Ne me ndihmën tuaj do rindërtojmë një vend që duam kaq shumë. Për çdo prind që ëndërron për fëmijët e tyre, unë jam me ju, do luftoj për ju dhe do fitoj për ju,” tha ai.
Trump theksoi vizionin e tij për një Amerikë të guximshme dhe të fuqishme, të aftë për të sjellë paqe në një botë të trazuar. Ai u zotua për një vend sovran dhe të pavarur, duke premtuar se SHBA nuk do të pushtohet, intimidohet apo dështojë.
“Do të jetojmë të lirë, do të ëndërrojmë dhe asgjë nuk do të qëndrojë në rrugën tonë. Epoka jonë e artë sapo ka filluar,” përfundoi Trump, duke i dhënë ton optimist dhe energjik fillimit të administratës së tij.