Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, avokatja Adriana Kalaja, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në çështjen e kallëzimit të depozituar kundër gjyqtares kushtetuese Marsida Xhaferllari dhe bashkëjetuesit të saj Enkelejd Alibeaj duke u shprehur se ka dorëruar sot prova të reja në SPAK që konfirmojne bashkëjetesën e çiftit.
Kalaja ka theksuar se kallëzimi fillestar i bërë më 8 janar ka qenë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë dhe ka sjellë prova shtesë që konfirmojnë seriozitetin e akuzave. Kalaja ka nënvizuar se bashkëjetesa e këtyre dy subjekteve, e cila nuk është deklaruar në mënyrë ligjore, ka krijuar një konflikt interesi të pastër në vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese.
“Në fakt, sot nuk depozitojmë kallëzim fillestar, por në referim të kallëzimit fillestar që kemi depozituar më 8 janar kundër gjyqtares kushtetuese Marsida Xhaferllari dhe bashkëjetuesit të saj Enkelejd Alibeaj.
Sot, së pari, sjellim prova shtesë që konfirmojnë, përtej dyshimit të arsyeshëm, atë që ne kemi deklaruar në kallëzim, dhe që lidhet me bashkëjetesën e këtyre dy subjekteve, të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar jo vetëm para ILDKPKI-së, por, nga ana tjetër, në të gjitha rastet e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese.
Referuar ligjit për konfliktin e interesit, gjyqtarja Xhaferllari duhej të jepte dorëheqjen.
Nga ana tjetër, tani që është konfirmuar, edhe pse ne i sjellim të dokumentuara, pothuajse kemi bërë edhe zbardhjen e veprës penale, SPAK, ndryshe nga ajo që ndodhi me Nesti Angonin, që ne kohë rekord veprojnë, me paditë tona, me kallëzimet tona, kemi parë një pasivitet të dukshëm.
Sot, kemi sjellë edhe një përmbledhje, ku kemi analizuar në mënyrë të detajuar shtatë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë jo vetëm në konflikt të pastër interesi, por kemi vërtetuar edhe alibinën që nxjerrin disa sharlatanë, gjoja opozitarë, se gjyqtarja Xhaferllari paska votuar pro Partisë Demokratike.
Në asnjë rast, zonja Xhaferllari nuk ka votuar pro Partisë Demokratike, por ka votuar pro bashkëjetuesit të saj dhe kjo është një shkelje shumë e rëndë, sepse pa hyrë në votim, ligji në mënyrë kategorike ndalon pjesëmarrjen në një trup gjykues kur palët në këtë proces janë të lidhura apo në konflikt me bashkëjetuesin, i cili, sipas ligjit për konfliktin e interesit dhe për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive, ka të gjitha atributet e bashkëshortit.
E fundit, po ashtu kemi sjellë edhe një status që ka bërë vetë deputeti Enkelejd Alibeaj, ku për fatin tonë të mirë, jo vetëm pranon bashkëjetesën, pra këtu e kemi problemin, nuk e kemi problemin pse ata bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, por kemi gjithë problemin se vepra penale fillon dhe konsumohet nga momenti që nuk deklarohet bashkëjetesa dhe gjithë vendimmarrjet janë në konflikt të hapur me këtë bashkëjetesë.
Kështu, ne edhe sot, me këto prova shtesë dhe me përmbledhjen e qartë që i kemi bërë organit të SPAK-ut, kërkojmë nisjen e procedimit penal ndaj dy personave dhe, ashtu siç e kemi kërkuar në kallëzimin fillestar, kërkojmë edhe pezullimin nga detyra të gjyqtares kushtetuese, pasi përbën, sipas nesh dhe sipas dispozitave ligjore, një rrezik potencial për fshehjen, manipulimin e provave dhe, nga ana tjetër, përbën po ashtu, për shkak të pozicionit që ka, edhe një intimidim potencial të dëshmitarëve”, u shpreh Kalaja.