Bastisen zyrat në Portin e Durrësit, sekuestrohen dokumente, ministri i Ramës nën hetim

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë beftas një ditë më parë në Portin e Durrësit duke sekuestruar dokumentacion dhe pajisje. Kapitali ka mësuar se aksioni i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar në kuadër të një hetimi për kontratën e terminalit të kontenierëve, e cila për koinçidëncë përfundoi pikërisht një ditë më parë.

Ngarkim-shkarkimi i kontenierëve të mallrave është një nga bizneset më të mëdha në Portin e Durrësit. Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike e konçesionoi shërbimin tek kompania turke Kurum. Por për shkak se turqit nuk respektuan kontratën, në fund të vitit 2017, ish ministri i atëherëshëm i Infrastrukturës Damian Gjiknuri e anulloi koncesionin.

Në vitin 2021, Autoriteti Portual e privatizoi sërish shërbimin, këtë herë përmes një koncesioni të fshehë. Përmes një tenderi, APD e kaloi shërbimin e operimit të terminalit të kontenierëve tek një kompani private nga Malta e quajtur Hili Limited, e cila krijoi për këtë qëllim shoqërinë Mariner Adriatic. Sipas kontratës, kompania do të kryente për një periudhë 5 vjeçare shërbimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe në këmbim Autoriteti Portual do t’i paguante asaj një shifër prej 31 milionë eurosh.

Zyrtari që nënshkroi kontratën ishte drejtori i atëhershëm i APD, Pirro Vengu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin qeveritar të Edi Ramës. Burime i thanë Kapitalit se në qendër të hetimeve të SPAK është pikërisht roli i Vengut.

Dyshime për abuzim
Në dokumentat e tenderit për dhënien tek privati të shërbimit të kontenierëve, Autoriteti Portual kishte vendosur si detyrim se kompania fituese duhet të siguronte me fondet e veta, një sërë pajisjesh të domosdoshme për kryerjen e shërbimit, përfshirë 3 vinça të tonazhit të lartë, 6 reach stakera dhe 2 lefterakë.

Por pas zhvillimit të tenderit dhe shpalljes fituese të Hili Limited, kushtet dyshohet se u ndryshuan dhe kostot e blerjes së pajisjeve ju ngarkuan Autoritetit Portual duke favorizuar  kompaninë malteze, pasi të vetmet asetet që ajo duhet të sillte iu ngarkuan publikut.

Terminali i kontenierëve është një nga koncesionet më fitimprurëse të Portit. Vitin e kaluar, Mariner fitoi 1.2 milionë euro pas taksave, ndërkohë që regjistroi një xhiro prej gati 10 milionë eurosh. Praktikisht kontrata e operimit të kontenierëve privatizoi të gjithë fitimin e Portit të Durrësit, i cili tashmë ka vështirësi financiare.

Kontrata mes Autoritetit Portual dhe kompanisë ka përfunduar zyrtarisht një ditë më parë. Edhe pse ajo lejonte opsionin e shytrjes me 20 për qind, Autoriteti Portual dhe ministria e Infrastrukturës nuk kanë pranuar ta zgjasin, për shkak se kanë ndier presionin e hetimeve të SPAK.

Kallëzimi penal për tenderin e menaxhimit të kontenierëve në Portin e Durrësit është bërë tre vjet më parë nga deputeti demokrat Gazment Bardhi. Por tashmë hetimet kanë hyrë në një fazë të avancuar. Më parë, hetuesit e SPAK kishin marrë në pyetje anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të këtij tenderi, Alket Bedini, Rafael Rexha, Besian Hereni dhe Endri Sofija. Ndërsa tani hetuesit kanë shkuar më tej duke sekuestruar dokumentacion.

Cështja e pajisjeve është thelbi i hetimeve të SPAK dhe në fokusin e prokurorëve është roli i Pirro Vengut, i cili sipas burimeve, ndodhet në një pozitë jo fort komode në raport me hetimet.

About Krye Redaktor

Check Also

44 milionë euro tendera nga regjimi për të helmuar me ushqimin

Rreth 56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë u paraqitën me simptoma helmimi pas …