Eliona Kodra Shkreli
Kryetare e PD Shkodër
Bardh Spahia nuk shkoi në SPAK e as nuk u mor i pandehur për tendera korruptivë apo lidhje me grupe kriminale. Bardh Spahia u mor i pandehur tërësisht politikisht për shkarkimin e një drejtuesi që Ujësjellësin e kishte kthyer në pronë private.
Gjykimin mbi shkarkimin e ish drejtuesit të Ujësjellësit e dhanë qytetarët shkodranë dhe kjo s’ka nevojë për asnjë koment më shumë. Bardh Spahia, në cilësinë e kryebashkiakut të atëhershëm, zbatoi vetëm tagrin që i kishte dhënë ligji.
Pse SPAK nuk merr të pandehur Benet Becin, i cili ka shkarkuar nga puna demokratët, ‘pastroi’ administratën për të emëruar patronazhistë dhe rilindas?
Pse nuk merret SPAK me Becin i cili po humb të gjitha çështjet gjyqësore për shkarkimet e padrejta që ka bërë ndaj demokratëve, dhe të gjitha paratë e dëmshpërblimeve po paguhen nga taksat e qytetarëve shkodranë?
Kjo është drejtësia e SPAK?
Bardh Spahia po përdoret “mish për top” nga drejtësia e Ramës, i cili duke parë se Shkodrën e ka të humbur këtë radhë po mundohet të intimidojë figurat e opozitës për të mbuluar korrupsionin dhe zullumin e të zgjedhurit të Tij, Beci, i cili përditë e më shumë po zhgënjen liderin suprem me skandalet dhe pakënaqësitë që ka ngjallur tek banorët e Shkodrës por edhe tek strukturat e PS në Shkodër!
Kjo është frika e Ramës dhe Becit të cilët të ndodhur përballë pakënaqësive të Shkodrës ndaj tyre, mundohen të hedhin baltë ndaj opozitës duke “përdorur” drejtësinë e kapur nga pushteti diktatorial Ramist!
Veprime të tilla janë sulme të pastra politike ndaj Partisë Demokratike dhe eksponetëve të saj, me qellimin e vetëm frikësimin dhe pastrimin e terrenit për grabitjen edhe njëherë të Shkodres. Por nuk do ia dalin!
Fitorja e PD fillon nga Shkodra!