Berisha thirrje diasporës: Reagoni me protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit!

Kryetari i PD, Sali Berisha vuri theksin te vota e diasporës dhe vendimi skandaloz i mazhorancës socialiste, që mund të votojnë vetëm emigrantët me dokumente shqiptarë dhe jo emigrantët shqiptarë që disponojnë dokumente nga vendet ku jetojnë.

‘I bëj thirrje diasporës të reagojë me protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit’, u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij gjatë takimit me të deleguarit e Qarkut Tiranë.

“Ky është vetëm programi i emergjencës. Se në mënyrë absolute, program analog do ketë ekonomia, të cilën ne e konsiderojmë gjeneratorin e të gjitha të mirave materiale.

Ne do bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit.

Kemi një program të shkëlqyer për ekonominë.

Kemi një program transformues për sistemin shëndetësor, për arsimin, për sportin, për bujqësinë, për pyjet.

Ekipet tona kanë bërë një punë të mrekullueshme. Po bëhen konsultime ndërkombëtare për programin.

Pastaj vetëkuptohet, gërshërët e ligjit do presin të gjitha lidhjet e krimit me politikën. Do presin dorën e zezë të cilitdo që shtrihet mbi taksat dhe paratë e qytetarëve.

Por të gjitha këto është e domosdoshme t’i përcjellim tek çdo qytetar i Tiranës dhe Shqipërisë.

Ne jemi në prag të një fitoreje të thellë, një fitore që ka të gjithë potencialin të përsërisë vitin 1992.

Ju e keni parë, nuk duan t’ua shohin sytë. Jashtë u bënë protesta të fuqishme, mos na hajdeni. Po nuk mund të pritet narkotrafikanti. Të shkosh në takim me Lubi Ballukun është njëlloj si të fyesh veten tënde.

Pra, të dashur miq, kjo frymë optimizmi është mbizotëruese sot në mbarë vendin.

Dhe ju siguroj se kjo frymë vjen çdo ditë dhe çdo javë e bëhet më e fuqishme.

Çdo orë, çdo ditë që kalon, klani qeveritar po shpërbëhet dhe dezintegrohet gjithnjë e më keq.

Ndaj dhe ne të rrimë me qytetarët. Me programin tonë dhe të organizohemi sa më fuqishëm.

Secili nga ju ka për detyrë të bëjë listën e të gjithë emigrantëve që ai njeh nga familja dhe rrethi i tij familjar. Dhe në qoftë se ndaleni për një moment, ata nuk janë më pak se 100.

Vota e diasporës është historike. Janë të tmerruar. Tani kërkojnë që të votojnë vetëm ata të cilëve u ka ngelur në xhep dokumenti shqiptar. A ka kërkesë më absurde se kjo?

Dokumentet biometrike të Gjermanisë, Francës, SHBA, kërkojnë të mos i njohin në një kohë kur këto i njeh e gjithë Europa. I njëh SHBA.

Këta thonë jo, nuk do mund të votojnë me këto.

I bëj thirrje diasporës të reagojë me protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit se ky është një diskriminim i paimagjinueshëm.

Duhet të kesh urrejtjen ndaj votës që ka Edi Rama të urdhërojë një akt të tillë. Po biometrinë nuk e bëmë ne të parët, e morëm nga ata si proces sigurie. Dhe tani themi atyre nuk u njihet.

Ndërkohë që ata me ato dokumente vijnë në Shqipëri dhe shkojnë kudo.

Është absurde të hedhësh poshtë dokumentet biometrike të Gjermanisë, Francës, Britanisë, SHBA, etj.

Vetëm një mendje primitive mund t’i lejojë vetes të arsyetojë në këtë mënyrë.

Përfaqësuesit tanë kanë bërë një punë shumë të mirë. Jemi plotësisht të votojmë çfarëdo që duhet për procesin e votës së diaporës. Por në mënyrë absolute jo kurrë në qoftë se kërkojnë të ndëshkojnë diasporën me dokumente biometrike.

Kjo është marrëzi, kjo është e turpshme. Imagjino tani, janë aty një familje, burrit i ka humbur pasaporta shqiptare dhe ka marrë pasaportën gjermane. Gruaja e ka ruajtur diku. Tani kjo mund të votojë, ai jo.

Këto praktika i kanë njerëzit, të cilët janë të shpërbërë.

Tani Damiani thotë se kjo na nxjerr probleme. Si të nxirrka probleme? Po në të gjithë sistemin dixhital, ajo pranohet dhe njihet. Ajo verifikohet. Ajo është aq e sigurt sa ç’është e jona.

Kurse është apo nuk është votues ai, e kemi listën e votimit ne. Ai figuron i regjistruar.

Ndaj dhe edhe njëherë, thirrja ime për të gjithë emigrantët dhe diasporën, të bëhen gati për protestat më të fuqishme para ambasadat të narkoshtetit në të gjitha vendet e Europës dhe botës sepse kjo është një përpjekje flagrante për të penguar votimin e tyre.

Nga frika e tmerrshme se e kanë kuptuar se diaspora nuk ka vota për narkoshtetin”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Vota e diasporës/ Berisha: Nuk votojmë amendimet e shumicës nëse nuk pranohet kërkesa jonë

Në një konferencë për media, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita …