Studentët në Serbi bllokojnë rrugët: Mosbindje civile për rrezimin e Vuçiç

Serbia u përfshi të premten nga një grevë e përgjithshme, që studentët e kanë quajtur “mosbindje e përgjithshme civile”. Mijëra qytetarë dhe studentë mbushën sheshet dhe bllokuan rrugët në Beograd dhe qytete të tjera, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, ku më 1 nëntor humbën jetën 15 persona nga shembja e një strehëze në Stacionin Hekurudhor.
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë, ndalimin e procedurave ndaj aktivistëve të arrestuar dhe rritjen e buxhetit për universitetet. Për më shumë se dy muaj, studentët kanë bllokuar fakultetet si pjesë e protestës së tyre.
Incidentet nuk munguan gjatë grevës. Një vajzë u plagos në Novi Beograd pasi një makinë goditi një grup protestuesish. Ajo u dërgua në qendrën e emergjencës për trajtim.
Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilloi një tubim në Jagodinë, ku shpalli formimin e një “Lëvizjeje për popullin dhe shtetin”, duke akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës dhe “mercenarë të huaj” për përfshirje në protestat e studentëve.
Greva, e shoqëruar me ndërprerje të punës dhe aktiviteteve të përditshme, shënon një moment kritik në tensionet politike dhe sociale në Serbi.

About Krye Redaktor

Check Also

“Do të humbasë të gjithë mbështetjen e SHBA”/ Trump paralajmëron Izraelin

Izraeli do të humbasë “të gjithë mbështetjen” nga Shtetet e Bashkuara nëse përpiqet të ecë …