Fundviti 2024 erdhi me një “dhuratë” të majme për oligarken Vilma Nushi, e cila përmes kompanisë familjare “Interlogistic Sh.p.k” u shpall fituese e një tenderi prej 1.4 milionë eurosh për printimin e faturave të energjisë elektrike për vitet 2025-2027. Kjo dhuratë nuk erdhi nga xhepi i drejtorit të OSHEE-së, Enea Karakaçi, por nga paratë që shqiptarët paguajnë çdo muaj për energjinë elektrike.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, më 23 dhjetor 2024, tenderi u dha përmes një gare fiktive, ku fituese u shpall kompania e familjes së Vilma Nushit. Për të krijuar idenë e konkurrencës, “Interlogistic Sh.p.k” bashkoi forcat me dy kompani të tjera, “BNT Electronics Sh.p.k” dhe “Infosoft Office Sh.p.k”, që janë përdorur vazhdimisht si fasada për tenderët e OSHEE-së.
Ironia qëndron në faktin se një kompani tjetër, “Rikon-Al Sh.p.k”, ofroi një çmim prej 924 mijë eurosh – plot 476 mijë euro më pak – por u skualifikua me arsyetimin absurd se kishte 14 automjete transporti mallrash, në vend të 10 të kërkuara nga specifikimet teknike. Me këtë justifikim qesharak, Karakaçi i dha tenderin Vilma Nushit, duke plotësuar urdhrin e Ramës.
Afera e përsëritur
Kjo nuk është hera e parë që kompania “Interlogistic Sh.p.k” përfiton nga OSHEE. Vetëm gjatë viteve të fundit, kjo kompani ka marrë disa tenderë milionësh për printime faturash dhe furnizime me materiale kancelarie. Ja disa nga tenderët kryesorë:
• Në shtator 2023, 606 mijë euro për blerje kancelarie.
• Në 2022, tenderë prej 710 mijë euro dhe 457 mijë euro për blerje kancelarie dhe printime faturash.
• Në shkurt 2020, tender prej 1.5 milionë eurosh për shtypshkrime.
• Në qershor 2021, tender prej 1.3 milionë eurosh për printime faturash për tre vite.
Të gjitha këto tenderë kanë një element të përbashkët: konkurrencë fiktive dhe kompani rivale të lidhura me Vilma Nushin, si “Marketing & Distribution Sh.p.k”.
Përdorimi i qytetarëve për pasurim oligarkësh
Skandali bëhet edhe më i rëndë kur merret parasysh se 35% e faturave të energjisë dërgohen dhe paguhen online, çka do të thotë se shuma e tenderuar për printime është fryrë artificialisht. Për më tepër, ky tender u dha në vlerën maksimale të fondit limit – 99.99% – duke i garantuar oligarkes një fitim të plotë.
Kjo praktikë tregon qartë se OSHEE, në vend që të menaxhojë me transparencë dhe eficiencë paratë e qytetarëve, është kthyer në një bankë që pasuron oligarkët dhe rrethet e tyre familjare. Ndërkohë që shqiptarët vuajnë nën barrën e rritjes së çmimit të energjisë dhe përballen me korrupsion në çdo hap, drejtuesit e institucioneve publike vazhdojnë të shpërblejnë klientelën e tyre me “dhurata” të pakufishme.
A ka drejtësi për këtë grabitje të hapur?
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e cilëson këtë lloj praktike si krim ekonomik-financiar me pasoja të rënda për fondet shtetërore. Megjithatë, deri më sot, drejtësia shqiptare ka qenë e paaftë – ose e pavullnetshme – të ndëshkojë këto skandale që grabisin miliona euro nga taksat e qytetarëve.
A do të ketë SPAK kurajon të hetojë këtë rast? Apo “dhuratat” e fundvitit do të mbeten një traditë e pandëshkueshme për ata që qëndrojnë në krye të shtetit?/Publik.al