Interesante të konstatoje sonte në dy debate në dy televizione të ndryshme se si Mark Marku dhe Prec Zogaj recitonin të njëjtin tekst kundër Arben Ahmetajt. Të dy ata thoshin se Ahmetaj ishte një i arratisur i qeverisë. Kjo të kujton frazat që Rama përdorte ndaj komisarit të policisë Zagani, që e konsideronte po ashtu si sonte dy të keqpërdorurit nga Rama, si të arratisur nga drejtësia, ndonëse ai denoncoi trafikun e drogës të ish-ministrit Tahiri.
E njëjta situatë përsëritet tani, veçse Rama nuk flet më me gojën e tij, por me atë të njerëzve të tij të paguar në media dhe ato akuza që ai ndërsente dikur ndaj Zaganit, këta të banaqeve televizive i nxjerrin sot kundër Ahmetajt.
Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se SPAK nuk ka për detyrë të ndjekë njerëz që bëjnë deklarata nëpër botë, duke iu referuar Arben Ahmetajt, pasi ai nuk është as i penduar dhe as bashkëpunëtor i drejtësisë, por një i arratisur nga drejtësia dhe SPAK po e gjeti e arreston.
Mark Marku: Një pjesë të mirë të gjërave ne i dinim. Në një vend që problemin kryesor ka korrupsionin, çdo akuzë nuk të befason, vetëm ta konkretizon faktin që ka korrupsion. Në 3 intervistat që Ahmetaj po bën është statusi i tij qeverisës. Jep këto të dhëna për mënyrë si është qeverisur. Kjo e bën me interes atë që thotë ai për aktet korruptive.
Do të ishte mirë sikur të ishte denoncim, edhe më mirë sikur të ishte i penduar. Por mënyra si e thotë Ahmetaj është më tepër shantazh se sa denoncim i pastër. Shantazh ndaj Ramës, ndaj grupit të tij, ndaj drejtësisë. Ai thotë se “kjo është por unë kam gjëra të tjera që do i them më vonë”. Është një njeri i kërkuar nga policia, i arratisur, i ka ikur drejtësisë dhe bën shantazh për gjetur zgjidhje për situatën e tij.
Mark Marku: Për mua është shumë shqetësuese më shumë se korrupsioni, mënyra se si shoqëria dhe pushteti reagon ndaj korrupsionit. Këtu është krijuar një filozofi se korrupsioni është e vetmja mënyra e ekzistencës së shqiptarëve dhe është shumë e vështirë ta ndryshojmë sepse bëhet mentalitet pastaj.