Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në fjalën e tij në seancen e sotme në Kuvend ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën e trajtimit të votës së diasporës, duke theksuar se nuk është kërkuar selektivitet, por vetëm që çdo shtetas shqiptar i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile të ketë të drejtën e votës.
Noka ka bërë thirrje për një trajtim të barabartë dhe për të garantuar që çdo qytetar, pavarësisht vendndodhjes dhe dokumenteve të identifikimit që disponon, të mund të votojë pa pengesa. Përmes këtij qëndrimi, ai ka kërkuar që të respektohen të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit, duke iu referuar Kushtetutës, që garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët.
“Ne kërkuam votën e diasporës, por nuk kërkuam që të ketë selektivitet, kërkuam që çdo shtetas shqiptar që është i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile, pavarësisht ku ndodhet dhe pavarësisht çfarë dokumenti identifikimi disponon, shqiptar apo jo, ai duhet të votojë. Pse? Sepse këtë të drejtë ja njeh Kushtetuta.
Çfarë ndryshimi ka pasaporta biometrike e jona me këtë pasaportë biometrike të tim eti këtu?
Niko, im atë ka pasaportën biometrike të një shteti të Europës, është shtetas europian.
Tani po të bëj një pyetje unë, këtu thotë Dalip Noka. Vendlindja Novoselje Kukës, datëlindja 23 shtator 1935, është “fotografia”, këtu janë të gjitha të dhënat biometrike.
Për çfarë i duhen dokumentet një qytetari që të regjistrohet në KQZ, për të treguar që është ky shtetas dhe këto të dhëna korrespondojnë me shtetasin përkatës në regjistrin e të dhënave civile?
Ne i kërkojmë Europës të njohë patentat e shqiptarëve dhe ata na i njohin, ndërsa ju, nga frika që ju voton kundër diaspora, i mohoni këto dokumenta.
Ju jeni të tmerruar nga vota e diasporës dhe kërkoni selektivitet, që të votojnë ata që ju po regjistroni, një pjesë me patronazhim, dhe pjesa tjetër jo.
Zoti, çdo shtetas shqiptar, me pasaportë amerikane, apo europiane, kanadeze, australiane, Britanisë të Madhe apo kudo, ka të drejtat njësoj si ne, për sa kohë është shtetas shqiptar dhe është në regjistrin e gjendjes civile”, tha Noka.