Urdhri i Donald Trump për pezullimin e ndihmës së huaj ka prekur edhe misionin amerikan OPDAT në Shqipëri.
Një pjesë e mirë e ekspertëve amerikanë të këtij misioni që ishin vendosur nëpër institucionet shqiptare janë larguar, raporton voxnews.
Bëhet fjalë për personat dhe grupet e punës që kanë dhënë ekspertizën e tyre në fushën e ligjbërjes dhe ligjzbatimit, madje një pjesë e tyre kanë punuar edhe me reformën në drejtësi dhe vettingun.
Përfshirja e OPDAT me ekspertizë ligjore në Shqipëri është e zgjeruar, duke përfshirë këtu edhe institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat e posaçme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Ekspertët paguheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes linjës së ndihmës së huaj për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Por, urdhri i Donald Trump, që ka pezulluar fondet për këtë linjë për 90 ditë ka pezulluar edhe pagesat e ekspertëve.
Në këto kushte, ata janë larguar na institucionet shqiptare në pritje të një vendimmarrje përfundimtare që do të mbërrijë nga Uashingtoni.