Gjatë takimit me emigrantët në Perugia, nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, u ka bërë thirrje emigrantë të regjistrohen në portalin e KQZ-së, në mënyrë që kenë mundësi për të votuar më 11 maj.
Gjekmarkaj tha se, PD është e gatshme të marrë pushtetin, por për këtë, duhet të ketë mbështetjen masive të diasporës, që sipas tij, janë një numër i konsiderueshem.
“Dua të them dy fjalë para jush, ndonëse nuk është e lehtë të flasësh sepse foli një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Gazetar i fjalës së lirë, deputet i shumë legjislaturave, zoti Paloka. Megjithatë do të përpiqem të them dhe unë diçka, shumë shkurtimisht. Unë nga profesioni im, pedagog i letërsisë në Universitetin e Tiranës, dhe si amator kam lexuar diçka për historinë e vendit tim, ne shqiptarët shpeshherë zemërohemi, ikim nga vendi, përpiqemi të harrojmë, por në thelb, zemra na rreh në Shqipëri. Është fakt ky, historik. Ne kemi diasporë 500 vjeçare, kemi Arbëreshët të cilët nuk patën mjete komunikimi me Shqipërinë, as nuk patën ‘video-chiamata’, as telefon. Prej 500 vjetësh ruajtën gjuhën, zakonet, Skënderbeun. Ruajtën traditën shqiptare, kontribuan për bërjen e Shqipërisë.
Nuk po e them këtë rastësisht për të përkëdhelur sedrën e askujt, por sot është e domosdoshme që secili prej nesh të japë kontributin që shqipëria të mos prishet, që Shqipëria të kthehet në normalitet, që Shqipëria të jetë një vend i denjë demokratik në europën e bashkuar.
PD ka kaluar një periudhë të vështirë, por është ngritur nga hiri i vet, si në mitet greke dhe sot është e gatshme për të ndryshuar Shqipërinë. Është e gatshme për të marrë pushtetin, jo thjesht për vetveten si formacion politik, por secilin prej nesh, shqiptarët dhe për Shqipërinë. Sali Berisha, pa dyshim është personaliteti që historia bashkëkohore e Shqipërisë ka nxjerrë. Por ai vetëm nuk mund të bëjë asgjë, ka nevojë për ju, ka nevojë për votën masive. Ka nevojë për besimin tuaj, për mbështetjen tuaj.
Nëse ai vërtet themeloi pluralizmin, solli lirinë, ndërtoi Kushetutën e parë demokratike, bëri Shqipërinë pa viza, Shqipërinë në NATO, Shqipërinë me infrastrukturë, Shqipërinë pa drogë dhe krim, është ai që mund ta pastrojë sërish këtë besimin tuaj dhe ta nxjerrë Shqipërinë nga narkotrafiku, nga kriminelët, nga kopukët që kanë zaptuar zyrat e shtetit.
Ne biseduam nga afër me disa prej jush dhe, folem hapur, sinqerisht. Ju e doni Shqipërinë, sa ne që jetojmë atje. Ju keni investuar atje por kurthet e qeverisë së skeçeve ju kanë detyruar përsëri të ktheheni në Itali. Italia është një vend i bukur, një vend mikpritës, një vend i bekuar, por ju duhet të keni mundësinë të zgjidhni. Duhet të jeni krenarë për vendin tuaj. Nuk është bukur që ky vend të identifikohet si vendi i trafikut, si vendi i drogës, si vendi i të korruptuarve, si vendi i autokracisë. Por duhet të jetë një vend i bekuar, i lirë, i bukur, duhet të jetë vendi i demokracisë.
Duhet të jetë vendi i njerëzve që vendosin në mënyrë të lirë, që nuk u vidhet vota. Dhe ju këtu jeni shumë, jeni 500 mijë, 600 mijë, dhe është e rëndësishme që secili prej jush të regjistrohet në portalin e KQZ-së. Këto takime janë vërtet të bukura, por e vërteta është që duhet të regjistroheni ju dhe familjarët tuaj, miqtë. Vota duhet të jetë masive për fitoren”, tha Gjemarkaj.