Elon Musk ka sulmuar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, duke e konsideruat atë një organizatë kriminale
Në rrjetin social “X”, Musk shprehet se USAID është një organizatë kriminale dhe se ka ardhur koha që ajo të vdesë
Seria e postimeve të Musk në Twitter për USAID-in përfshin gjithashtu një koment se “USAID është një gropë gjarpri e marksistëve të majtë radikalë që urrejnë Amerikën”, në përgjigje të postimit të një përdoruesi që shumë punonjës të agjencisë së inteligjencës kishin konfirmuar se “nëse do të shihni vetëm 10 për qind të asaj që kishin parë ata, do të habiteshit.”
Ai ka vijuar sulmet ndaj USAID-it duke thënë se ka financuar kërkime për armë biologjike.
“A e dini se USAID, duke përdorur dollarët TUAJ të taksave, financoi kërkime për armët biologjike, përfshirë COVID-19, që vrau miliona njerëz?”- shkruan Musk.
Po kështu, Musk vijoi me të tjera akuza të rënda:
“Pse USAID dha 27 milionë dollarë për sponsorin fiskal në SHBA të grupit që kontrollon prokurorët e financuar nga Soros dhe u tregon atyre cilët qytetarë dhe politikanë amerikanë të ndjekin penalisht?”
Komentet e Elon Musk për agjencitë e financuara nga Departamenti i Shtetit nuk përfunduan vetëm me USAID-in, pasi ai përmendi gjithashtu National Endowment for Democracy (NED) në tweet-et e tij, i cili njihet për financimin e projekteve të zhvillimit të demokracisë në mbarë botën.
Musk shkroi në një nga postimet e tij në Twitter se “NED është një mashtrim”, i cili ishte në përgjigje të një postimi të një prej përdoruesve, i cili shkroi “20 shembuj të korrupsionit që përfshin NED, bazuar në informacionin e disponueshëm”.
Zyrtarë të lartë të USAID janë pezulluar nga detyra pasi u përpoqën fizikisht të ndalonin DOGE (ekipi i Elon Musk) nga hyrja në sistemet e Agjencisë.
Dy zyrtarë të USAID, John Voorhees dhe zëvendësi i tij u pezulluan nga detyra të shtunën vonë në mbrëmje, pasi refuzuan t’u lejonin anëtarëve të DOGE hyrjen në sistemet e USAID. Anëtarët e DOGE kërcënuan se do të thërrisnin policinë pasi u refuzua hyrja. Ata po përpiqeshin të kishin akses në dosjet e sigurisë dhe personelit.
Zyrtarët federalë janë të shqetësuar se Trump po përpiqet të përfshijë USAID brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si pjesë e një përpjekjeje për të luftuar korrupsionin dhe fryrjen e qeverisë.
USAID ka rreth 10,000 punonjës, pa përfshirë kontraktorët, me 2/3 e tyre jashtë vendit. 60 anëtarë të USAID u pezulluan tashmë javën e kaluar pasi u përpoqën të anashkalonin urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump për ndalimin e ndihmave të huaja.