Ndahet nga jeta Baba Hekuran Nikollari i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan

Baba Hekuran Nikollari i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, është ndarë nga jeta parakohe mbrëmjen e së hënës (3 shkurt).

Ai është gjetur i pajetë në vendin e quajtur “Teqeja e Alipostivanit” rreth orës 22:00.

Raportohet se Baba Hekuran Nikollari është gjetur pa shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

Kush ishte Baba Hekurani

Baba Hekuran Nikollari, një figurë e shquar e bektashizmit shqiptar, lindi më 7 shtator 1963 në Seniçan të Përmetit, në një familje që e edukoi me ndershmëri, mirësinë dhe dashurinë për Shqipërinë. Ai u rrit në një mjedis ku vlerat shpirtërore dhe humanizmi ishin thelbësore, dhe ky kontekst formoi shumë nga jeta dhe aktiviteti i tij i mëvonshëm.

Pas përfundimit të shkollës fillore dhe 8-vjeçare në Seniçan, ai nisi shkollën e mesme në Bënjë, por për shkak të vështirësive ekonomike, e ndërpreu dhe filloi punën në sektorë të ndryshëm, duke kontribuar në kooperativën e Mërtinjit dhe Ndërmarrjen e Ujërave në Këlcyrë.

Në vitin 1992, Baba Hekurani emigroi në Greqi, ku qëndroi deri në vitin 2000, dhe pas kthimit në Shqipëri, ai u angazhua fuqishëm për ringritjen e Mekamit në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”. Një hap i rëndësishëm ishte dhe ngjitja e tij në Alipostivan më 22 mars 2001, ku bashkë me besimtarët e kësaj zone dhe mbështetje nga familja e Refat Hasimit, ngritën tyrben e Baba Ali Horasanit. Më pas, ai u emërua dervish dhe nisi shërbimin e tij si lider shpirtëror në teqe të ndryshme, duke pasur një ndikim të madh në ruajtjen e traditave bektashiane.

Më 4 prill 2002, Baba Hekurani  veshi rrobën e bektashiut dhe u bë dervish i teqesë së Baba Ali Horasanit në Alipostivan. Gjatë viteve 2007-2009, ai e udhëhoqi teqenë e Frashërit dhe Kulmakut Tomorr, duke ruajtur origjinalitetin e monumenteve dhe zhvilluar praktikat shpirtërore të besimtarëve. Në vitin 2009, me dekretin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, Baba Hekurani u nderua me titullin “Baba” dhe u emërua Baba i teqeve të Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit, duke e forcuar edhe më tej autoritetin e tij në komunitetin bektashian.

Image

Teqeja e Alipostivanit në PërmetImage

Në vitet e tij të shërbimit, Baba Hekurani arriti të fitojë vlerësime të shumta, si “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit, “Nderi i Frashërit” dhe titullin “Urdhëri Naim Frashëri i Artë” nga Presidenti i Republikës. Ai udhëhoqi me devotshmëri dhe përkushtim besimtarët e bektashizmit dhe mbajti gjallë traditat shpirtërore të Shqipërisë.

Për komunitetin bektashian, Baba Hekurani ishte një lider shpirtëror, një udhëheqës i dashur që përfaqësoi unitetin dhe shpresën. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të ofronte këshilla dhe mbështetje, duke udhëzuar besimtarët me dashuri dhe mençuri. Puna e tij e palodhur dhe angazhimi për ruajtjen dhe zhvillimin e bektashizmit janë një kontribut i çmuar për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Shqipërisë.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit është një humbje e madhe për të gjithë. Ai ishte një figurë që udhëhoqi besimtarët dhe përjetësoi vlerat e bektashizmit, duke ruajtur dhe zhvilluar besimin nëpërmjet përkushtimit dhe dashurisë ndaj njerëzve. Trashëgimia e tij shpirtërore do të mbetet e paharruar, dhe kujtimi për të do të jetojë në zemrat e të gjithëve.

About Krye Redaktor

Check Also

Përfaqësuesi i BE-Ramës: Ka humbur besimi tek qeveria

Përfaqësuesi i BE, Gregor Virant ka deklaruar sot në prezencë të Ramës se ka humbur …