Apeli legjitimoi kontrollet te “Harabeli”, gruaja e Veliajt bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kundërshton vendimet e Gjykatës së Posaçme dhe të Apelit, të cilat legjitimuan kontrollet e ushtruara me urdhër të SPAK në bizneset e saj.

Më konkretisht bëhet fjalë për kontrollet e ushtruar mëngjesin e 6 Dhjetorit nga oficerët e BKH-së në banesat e Arbër Veliajt dhe familjarëve të Ajola Xoxës, si dhe në zyrat e fondacionit “Harabel”.

Avokatët e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt pretendonin që kontrollet ishin bërë në shkelje të ligjit procedurial për mungesë shkaku të ligjshëm, por gjyqtarja e Apelit Ilirjana Olldashi i rrëzoi pretendimet e tyre më 24 Dhjetor.

Kontrollet u ushtruan në lidhje me hetimin e nisur nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas SPAK nga kallëzimi i bërë ndaj Veliajt ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje. Më konkretisht, për veprat penale:

 “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,

“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,

“Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

SPAK ka indicie se Erion Veliaj dhe të afërmit e tij janë implikuar në skemat e përfitimit të parave në rrjetin e kompanive që ka në pronësi biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule.

Për çështjen në fjalë kanë dëshmuar në SPAK çifti Erion Veliaj-Ajola Xoxa, por dhe çifti Elman Abule Marisa Nito. Elman Abule dhe bashkëshortja e tij Marisa Nito, konsiderohen miq të afërm të familjes Veliaj, ku miqësia e tyre duket se është ndërthurur edhe përmes disa transaksione të dyshimta financiare, që çifti Abule ka bërë në adresë të llogarive bankare të Ajola Xoxës.

About Redaksia

Check Also

Nën hetim nga SPAK, Rama merr në mbrojtje edhe Bushkën!

Edi Rama ka marrë në mbrojtje edhe deputeten Klotilda Bushka e cila është në hetim …