Bujar LESKAJ
Dy ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi shtyrjen e afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike” deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë.
Në bazë të këtij ligji, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe infrastrukturë rrugore. Shumë oligarkë të Ramës janë gjetur komod me këtë ligj, kanë përfituar pa cak dhe, edhe tani kur janë bërë nëntë vite që kanë vjelur favore, kërkojnë që ai të vazhdojë në pafundësi.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”.
Lind pyetja: pse qeveria nuk e ka sjellë që të gjashta herët vetë kërkësën për shtyrjen e ligjit të përgatitur prej saj, por ngarkon e mbingarkon deputetë të veçantë të shumicës parlamentare? Çfarë kërkon të fshehë, duke i nxjerrë gështenjat nga zjarri, përmes deputetëve të veçantë?
Është shumë e qartë pse qeveria nuk e paraqit vetë kërkesën. Rreket të shmangë llogaridhënien dhe transparencën për ecurinë dështake deri tani, të 55 projekteve që kanë marrë statusin e investimit strategjik dhe kanë shkelur me të dyja këmbët kërkesat dhe kushtet e miratimit të statusit, në nivel të investimit të kryer, punësimit të realizuar dhe dobive për komunitetet ku është investuar me këtë status.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime nga njerëz të afërt me qeverine, duke gjeneruar një parajsë të miratimit të ofertave të pakërkuara të oligarkëve.
Këto oferta-projekte nuk kanë qenë investime strategjike, por një maskim gjoja ligjor, për atë që realisht po ndodh për nëntë vite rradhazi tek ne, përmes këtij ligji: megavjedhje me ligje dhe procedura, në kurriz të qytetarëve pronarë në Bregdet dhe në zonat me atraksion turistik. Ligji ka ngjallur konflikte të forta sociale dhe ka rritur kostot e shoqërisë për kompensimin e ish-pronarëve. Kontratat janë dhënë pa asnjë garë, pa transparencë dhe pa asnjë mekanizëm monitorues të këtyre projekteve.
Shtyrja e ligjit gjashtë herë dhe mosardhja e qeverisë në Kuvend, për të mbrojtur shtyrjen, vërteton mungesën e favorizimit real të projekteve në sektorë strategjikë të ekonomisë, por thjesht ndërtimin nga njerëz afër qeverisë të objekteve në zona të ndryshme të vendit, në bregdet për tetë vitet e para dhe tani, ndërtime në zonat malore, ku toka do të jepet me 1 euro, përmes Paketës së Maleve.
Abuzimet me këtë ligj kanë qenë evidente në zonat bregdetare, ku ligji është përdorur për të mbështetur projekte ndërtimesh vilash private dhe jo kompleksesh turistike, sikurse ka ndodhur në Mal të Zi dhe Turqi.
Partia Demokratike që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, jo vetëm që do të abrogojë zgjatjet pa fund të këtij ligji abuziv, por do të kërkojë dhe nxisë realizimin e një auditimi të plotë dhe të pavarur të pasojave që ka prodhuar ligji, si dhe të mënyrës se si është zbatuar. Ajo, për rastet e abuzuara të vërtetuara, do të kërkojë vënien para përgjegjësisë ligjore të abuzuesve.
Ndërkohë, abuzimet me këtë ligj po zgjerohen edhe më shumë, me propozimin e fundit të një deputeti të shumicës, që deri në fund të vitit 2026, të gjitha resortet me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar, të vijojnë të bëjnë biznes pa taksa. Edhe kjo nismë ligjore për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua nga Komisioni i Ekonomisë dy ditë më parë. Ajo zgjeron abuzimin me Ligjin Nr. 55/2015 dhe përbën qokën e radhës për oligarkët e Rames, në prag të zgjedhjeve.
Përjashtimi nga taksat i investimeve me 4-5 yje, me kontratë me ‘brandet’ ndërkombëtare, u bë në vitin 2019 dhe janë 11 struktura turistike që deri tani e kanë përfituar këtë status. Me sa duhet, oreksi ka ardhur duke ngrënë dhe të gjithë oligarkët e Ramës kanë rendur pas gjetjes(blerjes) së një emri përfaqësues marke ndërkombëtare, për t’u pasuruar akoma dhe më shumë me një trajtim të padrejtë favorizues dhe parajse fiskale.
Praktikisht, përmes zgjatjes së këtij përjashtimi, favorizohen pa asnjë përfitim real të ekonomisë sonë, një pakicë hotelesh dhe resortesh, ndërsa shumica dërrmuese e strukturave të tjera turistike të vendit paguajnë rregullisht taksat. Edhe ky ligj hyn në armatën e madhe të ligjeve të qepura me porosi nga Rama dhe sekti i tij, ligje të cilat Partia Demokratike do t’i shfuqizojë të parat, sapo të vijë në pushtet, për t’ia kaluar pushtetin real interesave të qytetarëve, dhe jo oligarkëve.