Në një konferencë për gazetarët, lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi reformën në drejtësi si një nga aferat më të mëdha korruptive në Shqipëri, duke pretenduar se ajo është përdorur për të eliminuar opozitën dhe për të konsoliduar pushtetin e Edi Ramës.
Berisha iu referua deklaratave të fundit të Elon Musk, duke pohuar se ai ka denoncuar USAID-in si një organizatë kriminale, çka sipas tij konfirmon akuzat e mëparshme të opozitës. Ai kritikoi edhe përfshirjen e ambasadores Yuri Kim në marrëveshjet për reformën në drejtësi, duke e quajtur atë një ndërhyrje të papranueshme në sistemin gjyqësor.
“Ato që kam thënë unë për drejtësinë e re, në një mënyrë ose një tjetër, i përsëriti vetë një nga drejtuesit më kryesorë sot të administratës së SHBA, Elon Musk.
Ai e shpalli USAID-in një organizatë kriminale.
Ndër të tjera rreshtohet reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri dhe jo njëherë, por janë disa publikime tani.
Por edhe po të mos ishin, ju jeni dëshmitarë se njeriu i parë që ka denoncuar 10 milionë dollarë dhënë Delina Ficos për ndihmesat juridikë privatë, është Sali Berisha para të gjithë të tjerëve.
Fatmirësisht tani qeveria e SHBA po mban qëndrim ndaj këtyre akteve superkorruptive.
E kam cilësuar atë ditë, sa kanë firmosur marrëveshjen Llagami-Yuri Kim. Çfarë do ambasadorja në atë marrëveshje? Çfarë do ajo aty? Ndan paratë. I ndan me Llagamin dhe Delinën.
Pra, unë e përshëndes vendimin e pezullimit dhe u bëj thirrje ta analizojnë se është krijuar një drejtësi politike, e cila u angazhua në misionin e një Shqipërie pa opozitë të Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës.
Kjo është e vërtetë.
Komisioni Europian, e lexova unë atë. Do bëjmë prapë punë. Do sqarojmë çdo gjë. Mos harro se është një nga aferat më të mëdha korruptive.
Nuk them se deklarata është korruptive, se ajo bëhet se duhet të ketë drejtësi, por afera në reformën e drejtësisë është një nga aferat më të mëdha.
Dhe do faktohet ajo, ne kemi durim.
Ne jemi parti e shtetit ligjor, e ligjit.
Por dje bashkëbiseduesve të mi teksa u shpjegoja, në mënyrë periodike shpreheshin se këto janë të tmerrshme. Janë jashtë imagjinatës.
A funksionon? Në qoftë se ne nuk kemi arritur akoma të zbardhim dhe të bëjmë transparencën e plotë, ne do ia arrijmë, iu garantoj unë. Kësaj i thonë rikthim i opozitës”, tha Berisha.
