Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, ka denoncuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme për shkak të akuzave të rënda që e kanë prekur.
Ai tha se Edi Rama nuk ka guximin të largohet nga pushteti, pasi dosjet e tij janë të tilla që ai nuk mund të shpëtojë nga dënimi. Berisha i bëri thirrje çdo qytetari, sidomos të rinjve dhe pensionistëve, të bashkohen nesër në protestën e organizuar për të kundërshtuar qeverinë dhe për të kërkuar ndryshim.
“Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen, por nuk ka kurajë sepse dosjet e tij janë aq të rënda, që edhe dy jetë po t’i ketë, vitet e burgut që meriton, nuk i kryen dot.
Ndaj dhe jam sot para jush për të ftuar çdo të ri shqiptar të dalë nesër në shesh në përballje me këtë qeveri që nuk meriton asnjë ditë pushteti, që rrënon dhe shkatërron ëndrrën shqiptare, ëndrrën më të bukur të një të riu për të jetuar në vendin e tij. Që i përzë nga Shqipëria në mënyrën më të pamëshirë.
Ftoj çdo rrogëtar të ndershëm të bashkohet me ne sepse me emergjencë rrogat nuk do jenë kurrë këto që janë sot.
Do vendoset rroga minimale 500 euro, do vendoset rroga mesatare 1200 euro, të shkëputen nga ky regjim.
Ftoj çdo biznesmen të bashkohet pasi ne do ulim të paktën me 50 përqind barrën fiskale. Ne do luftojë me zero tolerancë korrupsionin dhe gjobat që paguajnë.
Energjia, që sot e paguajnë 18 lekë, do u shitet me 6 lekë, me një çmim tre herë më të lirë.
I garantoj për transparencë, konkurrencë të ndershme.
Ftoj fermerët të bashkohen në këtë protestë. Fshati është i përjashtuari i madh nga Shqipëria.
Ka vetëm një alternativë, falimentimin.
Garantoj se pensionet, të cilat sot në fshat janë 120 euro, 3 muajt e parë të qeverisjes së PD, do jenë 200 euro.
Garantoj se një skemë e konsoliduar e subvencioneve për çdo rrënjë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, do jetë politika jonë transformuese për bujqësinë. Investime të mëdha në infrastrukturë dhe trefishim i buxhetit për bujqësinë.
Ftoj çdo pensionist dhe pensioniste që po keqtrajtohen sot në mënyrën vërtet poshtëruese dhe të pamëshirë.
Edi Rama me qëndrimet që mbajti dhe politikat që ndoqi, bëri që pensionistët shqiptarë, që në vitin 2013 kishin pensionet më të larta në rajon, sot i kanë ato të paktën 3 herë më të ulëta se pensionet e rajonit.
Dhe Edi Rama pretendon se në qoftë se do i rrisim ato, Shqipëria falimenton. U shtroj vetëm një pyetje pensionistëve që në vitin 2005 merrnin pensionin e ulët 36 euro, a nuk u rrit ky pension në 82 euro? Pensionistët me pension të mesëm 110 euro a nuk u rrit ky pension në 146 euro?
A falimentoi Shqipëria? Absolutisht jo. Përkundrazi. Shqipëria u begatua dhe varfëria u luftua.
Ndaj ftoj që asnjë pensionist të mos mashtrohet më nga ky i pashpirt.
Garantoj qytetarët se përmbysja e Edi Ramës do të thotë çlirim i dhimbjeve që ata përjetojnë nga situata ekonomike.
Nafta nuk do shitet më kurrë me çmim 10 përqind plus-minus çmimin e naftës në Kosovë dhe Maqedoni.
Të gjithë personat me të ardhura të ulëta do kenë kartën e konsumatorit dhe energjia për konsum familjar do zbresë në 7 lekë.
Pra, me pjesëmarrjen tuaj nesër në protestë ju jepni një kontribut të madh.
I prisni biletën e disfatës së plotë me 11 maj regjimit të narkoshtetit të Edi Ramës”, tha Berisha.