Nga Juxhin GJONI
Një kohë e furishme politike, e jetuar prej vitesh nga ne shqiptarët, por që duket se furinë e ka përshkallëzuar deri në çmendurinë e një lufte për jetë a shuarje në këtë fillim viti! Mpleksur në një histori ngjarjesh të dhimbshme në gjithë rrugëtimin e saj si komb e si shtet, Shqipëria përjeton ende përballje të forta politike, të këtilla që vërtetojnë edhe njëherë se vendi ynë ka mbijetuar dhe mbijeton në tehun e thikës, aty ku skenarët e historisë përplasin të mirën dhe të keqen, tradhtarët dhe besnikët, të uriturit dhe të tejngopurit, të gjithë bashkë përcaktues të rrjedhës së historisë.
Rikthen Shqipëria në këto zgjedhje parlamentare një paradoks të fortë.
Pas 35 vitesh pluralizëm politik, ndërsa vendi përjeton një dramë sociale ku burgu i dikurshëm i diktaturës është sot arratia për kë nuk mundet më në Shqipëri, një thirrje për shpëtim tejkalon kufijtë për të shkuar tek çdo shqiptar që derën e ka mbyllur pas vetes, kurdo kur i ka dhënë lamtumirën atdheut me kokën mbetur pas. E drejta për të votuar e shqiptarëve jashtë vendit është mali ku përplaset bërtima e thirrjes për shpëtim nga ne që Shqipërinë sot e mbajmë me vete ashtu siç mbahet në zgavrat e shpirtit shenjtëria e ndjenjave që i ruajmë sa kemi frymë.
Kemi lënë pas një Shqipëri që jetoi në dymbëdhjetë vite një pushtet jo të hekurt, jo tiran si zakonisht mbartin diktatorët, por një pushtet të dëshpërimit, të kotësisë, pushtet të rrënimit moral dhe intelektual të shoqërisë, pushtet të sfilitjes ekonomike, pushtet që skutet nën maskën e demokracisë teksa vret, vret dhe vetëm vret shpresën. Nuk ka pushtet më të pistë, më të urryer se ai që vret vjedhurazi e pa i ndyrë duart, shpresën se në atdhe mund të bëhet më mirë, besimin se nuk vlen kund tjetër sakrifica më shumë se në tokën e të parëve.
Se sa diabolikisht e dështuar ishte kjo qeverisje dymbëdhjetë vjeçare e së majtës në Shqipëri, mjaft të hedhim të zezë mbi të bardhë shifrën e mbi 1 milion shqiptarëve që braktisën shtëpitë në një dekadë, çka nis dhe shteron çdo diskurs mbi ekonominë, papunësinë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë, e deri utopiken për vende si i yni, demokracinë.
Në drithërimat që dëgjohen deri këtu ndër qytete të largëta, vështirë se dhemb diçka më shumë se sa drithërimat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve që lamë pas, ndaj aty ndalet mllefi, dhimbja dhe arsyeja. Tre mandatet e qeverisjes së majtë do të mbahen mend për qindra krime morale, politike, penale dhe ekonomike, por i pafalshëm është raporti që ata ndërtuan me lirinë e shqiptarëve për të zgjedhur.
Pas kemi lënë prindër, vëllezër, të afërm, miq, të cilët në dymbëdhjetë vite jetuan dhe jetojnë dëshpërimin që ulet këmbëkryq në një vend ku me kacidhen e frymës këmbehet liria, ajo e zgjedhjes, ajo e votës, e vetmja armë në duar të qytetarit modern në vende ku utopia e demokracisë merr sado pak trajtën e të prekshmes. Ne dëshmojmë prej këtu ku jemi atë që ata përjetojnë në lëkurë: kërcënimet, shantazhet, terrorin psikologjik që në unison administrata, bandat dhe patronazhistët ushtruan për 12 vite tek çdo shqiptar deri në robërimin e lirisë së zgjedhjes, duke i lënë të pamundur për të ndryshuar realitetin që jetuan e duke i vënë përpara zgjedhjeve herë fatale, – me numrin e vetëvrasjeve në një depresion helmi mbarëkombëtar, – herë alternative, një eksod i papërsëritshëm largimi nga vendi në kërkim të çfarëdolloj pune që mjaft t’i largonte nga aty ku “fati i hodhi”.
E ata që mbetën vuajtën pasojat e stoicizmit të tyre dhe duruan internimin profesional e social në kohërat e demokracisë, delet e zeza të Shqipërisë që si dikur, edhe njëherë nuk iu përulën skllavërimit të lirisë së mendimit, shprehjes dhe votës. Këta shqiptarë mishërojnë një shprehje të filozofit francez Camus “E vetmja mënyrë për t’u përballur me një botë jo të lirë është të jesh kaq absolutisht i lirë sa që vetë ekzistenca jote të jetë një akt rebelimi”. Sigurisht, përballë këtij stoicizmi, pati nga ata bashkëkombas që mjerimi i xhepit u mjeroi mendjen dhe dot nuk mbetën të lirë.
Pyetja që sot bashkë me thirrjen tejkalon kufijtë, është: Kush merr hak për këtë Shqipëri që lamë pas? Mijëra janë arsyet pse kjo herë e parë e votës jashtë Shqipërisë duhet rrëmbyer si të ishte e fundit herë zgjedhjeje, se në fakt ndoshta në lëngimin e vendit, e tillë është. E megjithatë ajo që i bën karshillëk me dominancën e saj të tjerave, është një arsye e fortë morale deri edhe folklorike.
Këtu ku kemi emigruar, vendosur në shtetet ku prekja e lirisë është fitili që përflak sheshet e demokracisë, çfarë justifikimi do të kishim për të mos e ushtruar të drejtën e votës sot kur vendi thërret në dëshpërim? Ne shqiptarët që jetojmë në vende ku liria është e patjetërsueshme, – aty ku kurrë s‘mund të jetë ajo një armë tyta e së cilës kthehet nga populli, – a nuk kemi një përgjegjësi të dyfishtë, atë të votës së pari për vete e së dyti për çdo shqiptar që në këto 12 vite nuk votoi dot i lirë? Atë të përgjegjësisë për t‘u bërë zëri i bashkëkombësve brenda vendit, të cilët sot nuk i kanë kushtet të njëjta me ne? Në dukje një arsye që i largohet pragmatizmit, kur në fakt është arsyeja që i thërret ndjenjës së përgjegjësisë morale aq sa patriotike.
Është kjo arsyeja që kthen sytë dhe mendjet e kujtdo kundër autokracisë në Shqipëri drejt diasporës: liria e zgjedhjes, çlirimi nga çdo formë varësie ndaj pushtetit, kthjelltësia në mendim dhe zgjedhje, fati që patëm dhe kemi për ta jetuar se ç‘është demokracia, meritokracia, liria e sipërmarrjes, mirëqenia që buron nga puna e mirëpaguar, se si një shtet i çliruar nga korrupsioni dhe monopolizimi i pushteteve i shërben qytetarit.
Në kushtet e një votimi absolut të drejtë është i pamohueshëm rotacioni politik me në krye Partinë Demokratike. Së pari, sepse PD konkurron përballë një kundërshtari të shteruar në ide, vizion dhe kjo qoftë edhe për përllogari kohore dhe pasojë të natyrshme që vjen pas qëndrimit prej tre mandatesh në pushtet. Së dyti, PD ofrohet me një të shkuar të përmbushur mbi supe si firmëtare e veprave më të mëdha politike, ekonomike, shoqërore dhe diplomatike në drejtimin e shtetit, dhe si e tillë zgjon në kujtesën e shqiptarëve një kohë progresi. Së treti, sepse PD ka ditur të decentralizojë betejën e saj politike në një balancë të njëkohësishme mes denoncimit, betejës në institucione, punës në terren dhe shpalosjes së një programi qeverisës që hedh gurët e themelit të një projekti konkret për vendin. Në të tre dimensionet, në kushtet e një beteje të drejtë, demokratët fitojnë.
Prej nevojës për krijimin e këtyre kushteve lind përgjegjësia për të votuar e shqiptarëve jashtë vendit. Masiviteti ynë në votim është masivizim i votës së lirë që zbeh deri fshin çdo ndikim të pushtetit në manipulimin zgjedhor brenda vendit. Kjo përgjegjësi është e një peshe të rëndë sepse buron nga liria, liri të cilën nëse nuk e përdorim si armë për të rimarrë në dorë trashëgiminë që lamë pas, ndërsa historia do të rrëfejë se as këtu ku jemi nuk e meritojmë, historia do gjykojë atëherë kur koha të mos mundet më të falë.
Të çliruar nga frika, shqiptarët jashtë vendit udhëheqin kahun optimist të paradoksit. Qindra janë arsyet që na shtyjnë drejt votimit nga çdo cep i globit, por nevoja për të dëshmuar se ç‘forcë e pathyeshme është liria mbizotëron edhe ato pragmatiket. Liri që për ne shqiptarët të cilët e këmbyem me mallin për gurët e vendit, kthehet sot në përgjegjësi për të bërë ndryshimin.
Boshti rreth të cilit vërtitet kjo thirrje, për kënd mund të duket negativist, ndoshta një bosht që reflekton hakmarrjen. Edhe si i tillë, ai prapë mbetet optimist. Mbetje zjarri e shkrumbi është dhe hiri, por ja që prej tij rilind e gjalla, ndaj ashtu qoftë kjo ndjenjë hakmarrjeje ndaj atyre që sfiduan krenarinë e shqiptarit kur i vendosën çmim lirisë, – hiri që ringre shpirtin rebel deri në pakthim.
Në kuadër të nismës thirrëse të Departamentit Brain Gain për votën e shqiptarëve jashtë vendit.